Disiplina vendos në favor të Hafizit dhe Beqirit
Dy çështjet e shqyrtuara dje në mbledhjen e komisionit të disiplinës janë zgjidhur në favorin e ish-trajnerit Astrit Hafizi dhe futbollistit Ardit Beqiri. Sipas vendimit, Tirana duhet t'i paguajë Hafizit dy rroga mujore, të cilat kapin shifrën e 800.000 lekëve. Në bazë të rishikimit të kontratës që ka nënshkruar Hafizi me bardheblutë, rezultoi e drejtë ankesa e ish-trajnerit të kombëtares, që është shkarkuar nga drejtimi i Tiranës pas barazimit 2-2 me Elbasanin, në sezonin e kaluar. Ndërkohë, për sa i përket futbollistit Ardit Beqiri, i cili në kampionatin e fundit ishte pjesë e Partizanit, disiplina vendosi zgjidhjen e kontratës së tij me klubin e kuq. Tashmë, Beqiri është i lirë për t'u aktivizuar me çdo ekip tjetër. Gjithashtu, klubi "Partizani" duhet t'i shlyejë ish-kapitenit pagën e muajve mars, prill dhe maj, të cilat i përkasin vitit të parë të kontratës. Kërkesa e futbollistit për shlyerjen edhe të rrogës së katërt është cilësuar e pabazuar në rregullore nga disiplina. Përveç këtyre dy çështjeve, komisioni vendosi të lërë të lirë futbollistin Elio Shazivari, të cilit i ka përfunduar kontrata dhe nuk ka detyrime ndaj klubit të Laçit. Ndërsa për ngjarjet e javës së parë të kategorisë superiore, disiplina gjobiti me 30.000 lekë futbollistin e Bylisit, Johan Driza, gjithashtu e pezulloi me një ndeshje për shkak të ofendimit ndaj gjyqtarit në ndeshjen përballë Shkumbinit.
Kategoria superiore
Java e 2-të (30.08.2008)
Dinamo - Shkumbini
Gjyqtar: M.Sopjani
Bylis - Besa
Gjyqtar: A.Lulaj
Teuta - Tirana
Gjyqtar: S.Çekaj
Të dielën
Flamurtari - Elbasani
Gjyqtar: K.Meta
Apolonia - Lushnja
Gjyqtar: E.Dobi
Partizani - Vllaznia
Gjyqtar: B.Pashaj