E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Kemi nevojë për politikë të re

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, shprehet se politika shqiptare duhet të mësojë nga konventa e demokratëve

TIRANË- Nga Denveri i Kolorados ku po ndjek punimet e Konventës së demokratëve, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka folur pikërisht për atë çka duhet të përfitojë politika shqiptare nga kjo eksperiencë e jashtëzakonshme e demokratëve amerikanë.

“Ajo që na vlen ne, është të mundohemi të marrim sa më shumë nga kjo eksperiencë e jashtëzakonshme, nga ajo që është e domosdoshme edhe për ne, që t’i japim procesit politik moral, t’i japim etikë, t’i japim procesit politik atë miqësi që e karakterizon një vend si Amerika apo gjithë demokracitë e mëdha. Duhet të ndahemi nga politika e keqe, nga bataku ku një grusht njerëzish na mbajnë peng prej 17 vjetësh, ku një mënyrë e të kuptuarit gabim e politikës na mban peng. Ne duhet ta transformojmë procesin politik. Ne duhet ta mbajmë politikën të pranueshme për të gjithë qytetarët dhe mbi të gjitha të kuptojmë se politika nuk është fushë veprimi ekskluzive e partive apo atyre grupimeve, grupeve që vetëquhen parti dhe mbrojnë interesa krejt personale, apo klanore, apo oborresh prej shërbëtorësh që janë gati të sakrifikojnë për interesat e tyre miliona njerëz që janë pas nesh”, - tha dje Rama në një intervistë televizive. Ai theksoi se politika është për qytetarët ndaj dhe duhet t’u shërbejë atyre. “Kjo është esenca e kësaj konvente. Kjo konventë është gjithashtu një shprehje kuptimplotë, se kur flitet për interesat e vendit, për interesat e njerëzve shkohet përtej kufijve të partive, nuk bëhet fjalë për të shkuar majtas apo djathtas, por bëhet fjalë për t’u ngjitur më lart, apo ta lësh vendin dhe njerëzit të zhyten më poshtë. Në këtë kontekst, dua të përsëris, që ne kemi nevojë për një politikë të re dhe kjo politikë e re duhet të nisë nga qytetarët dhe duhet të jetë në kundërshtim me sterotipet e këtyre 17 viteve, në kundërshtim me politikën si aritmetikë, apo në kundërshtim me interesat e një grushti njerëzish të ndarë nga qytetarët e vendit”,- tha ai. I pyetur për të majtën në vend, Kryetari i PS-së theksoi se Partia Socialiste është në procesin e një transformimi rrënjësor të brendshëm dhe njëkohësisht në procesin e një transformimi rrënjësor të vet politikës shqiptare. “Në këtë sens doja t’i linim pas steriotipet që e shikojnë bashkimin apo ndarjen si llogari mes disa grupesh, që janë grupe të vetëquajtura parti, apo që mbrojnë interesa krejt personale dhe t’i japim jetë një bashkimi me qytetarët, përtej kufijve të partive dhe mbi të cilat duhet t’i japim mundësi qytetarëve ta përdorin PSSH si instrument për të ndryshuar shoqërinë, vendin dhe jetën”, tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›