E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqja akuzon PD për parregullsi në zgjedhje në qarkun e Shkodrës

Pas zhurmës që u krijua  për numërimin e 9 kutive të Fierit, Partia Socialiste shprehet se në zhvillimin e zgjedhjeve në disa KZAZ të qarkut të Shkodrës ka pasur parregullsi, duke akuzuar kështu Partinë Demokratike për manipulime të votave. Përmes kandidatit për deputet në qarkun e Shkodrës, Ilir Beqja, selia rozë ka bërë publike konstatimet e saj mbi shkeljet që janë vënë re në procesin zgjedhor të 28 qershorit në këtë qark. Ndonëse Shkodra njihet historikisht si një bastion i Partisë Demokratike, PS nuk pajtohet me tabelat e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për këtë qark, duke u shprehur se tabelat përfundimtare nuk përputhen me tabelat e grupeve të numërimit si dhe denoncojnë faktin se në disa kuti PS ka dalë 0 me 300 vota për PD. Edhe pse vëmendja e opinionit publik është sot e përqendruar në qarkun e Fierit, ku ende procesi i numërimit të votave të qytetarëve fierake nuk ka mbaruar, dëshiroj të denoncoj publikisht disa nga parregullsitë e procesit zgjedhor të konstatuara në qarkun e Shkodrës, ka thënë Beqja. Sipas tij, në KZAZ nr. 40, 6 qendra votimi u vendosën në mjedise private, të cilat në të gjitha rastet kanë qenë në pronësi të militantëve të Partisë Demokratike, duke ushtruar kësisoj presion të hapur ndaj votuesve. Vendndodhja e qendrës së votimit 276 është ndryshuar një ditë përpara datës 28 qershor duke bërë që shumë votues të Partisë Socialiste të mos dinë ku duhet votuar. Ndërsa në qendrat e votimit nr. 240, 293, 299, 303 janë me dhjetëra zgjedhësit për të cilët nuk është shënuar numri i letërnjoftimit apo numri i pasaportës për jashtë shtetit, por vetëm shënimi me kartë apo me pasaportë, çka përbën një shkelje të rëndë të Kodit Zgjedhor, shtoi Beqja. Më tej ai dha edhe fakte të tjera shkeljesh, sesi në qendrën e votimit 285 janë 97 fletë votimi të cilave nuk është hequr kundra fleta, apo atë që në qendrën e votimit 313 janë 25 fletë votimi të vulosura me bojë tjetër, sikundër në qendrat e votimit 317 dhe 319 janë përdorur vula me dy ngjyra të ndryshme. Të gjitha këto kontestime janë prova më e qartë se procesi zgjedhor ka qenë jashtë standardeve të kërkuara dhe në të njëjtën kohë ka ndryshuar rrënjësisht vullnetin e lirë të shqiptarëve, konstatoi Beqja. Sipas tij, në qendrën e votimit 247 të gjitha fletët e votimit duhet të shpallen të pavlefshme pasi është parë botërisht që përmasa e tyre ka qenë më e vogël se përmasa e ligjore miratuar, duke shtuar se fletët janë prerë me mjet të fortë mekanik çka lë vend të mendohet se ato nuk kanë qenë fletët zyrtare të prodhuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në ZAZ 42, rezultatet e shpallura pas numërimit të disa qendrave të votimit janë larg çdo rezultati të mëparshëm dhe certifikojnë manipulimet e bëra nga qeveria e Sali Berishës. Në qendrën e votimit 186, rezultati  për Partinë Socialiste shënon 0 vota. Në qendrën e votimit 187, Partia Socialiste ka marrë sërish 0 vota. Në qendrën e votimit 190 për Partinë Socialiste janë 4 vota nga 120 të vlefshme. Ndërkohë, në qendrën e votimit 191, Partia Socialiste ka fituar vetëm 2 vota. Në ZAZ 44, në qendrën e votimit 038 për Partinë Socialiste janë 0 vota nga 415 të vlefshme. Në qendrën e votimit 046, Partisë Socialiste i është numëruar vetëm 1 votë. Të gjitha këto kontestime janë prova më e qartë se procesi zgjedhor ka qenë jashtë standardeve të kërkuara dhe në të njëjtën kohë ka ndryshuar rrënjësisht vullnetin e lirë të shqiptarëve, përfundoi Beqja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›