Banorët e 3 fshtrave bllokojnë rrugën lidhëse me autostradën Vlorë-Fier
Tashmë është bërë e udhës që banorë të fshatrave të shumtë që kanë banesat e tyre ndanë rrugëve ku kalojnë makinat e rënda të firmave që çojnë inerte në autostradën Vlorë-Fier të bllokojnë herë pas here rrugën që kalon pranë fshatit të tyre, ndoshta si presioni më i madh për të zgjidhur problemet që kanë aktualisht. Një gjë të tillë kanë bërë dje banorë të fshatrave Bestrovë, Kërkovë dhe Bonavi në rrethin e Vlorës.
Të lodhur nga ankesat e shumta në komunën e tyre, në prefekturë dhe më tej dhe duke mos parë asnjë zgjidhje ata kanë bllokuar rrugën dhe nuk kanë lënë për orë të tëra makinat e tonazhit të rëndë të çojnë materialet e përditshme në trasenë e autostradës. Të udhëhequr nga kryepleqësitë e këtyre fshatrave, banorë të shumtë janë ankuar për prishjen e rrugës që të çon në fshatin e tyre, mbulimin e prodhimeve dhe të banesave të tyre me një shtresë të madhe pluhuri dhe mungesën e ujit të pijshëm. Sipas kryepleqve të këtyre fshatrave, rruga që lidh këto fshatra me rrugën nacionale Vlorë-Fier është rikonstruktuar e plotë vetëm pak vjet më parë nga fondi i zhvillimit dhe me kontributin e vetë banorëve të këtyre fshatrave që kanë paguar 10% të vlerës së ndërtimit të kësaj rruge. Deri pak muaj më parë kjo rrugë ka qenë normale por me fillimin e ndërtimit të autostradës Vlorë Fier ajo është bërë e pakalueshme. Kjo sepse në këtë rrugë kanë filluar muaj më parë të kalojnë makina të tonazhit të rëndë që marrin inerte në lumin e Shushicës dhe e çojnë në trasenë e autostradës. Qarkullimi i tyre në këtë rrugë e ka bërë atë gjithë gropa dhe të pakalueshme nga makinat e vogla në vende të caktuara. Më e vështirë bëhet kjo rrugë edhe këmbësorët në shiun e parë që bie. Disa herë është kontaktuar me drejtues të firmave që kalojnë këtu makinat e tyre për të bërë një mirëmbajtje të kësaj rruge por asgjë nuk është bërë deri tani. Po ashtu kontaktet dhe ankesat nuk kanë munguar të bëhen edhe në komunë dhe në prefekturë por edhe këtu nuk e ka marrë njeri seriozisht këtë problem dhe rruga dita ditës po njeh shkatërrim më të madh. Në këto kushte banorët kanë dalë dje në rrugë dhe e kanë bllokuar atë duke mos lënë asnjë makinë të këtyre firmave të lëvizë për të çuar material në trasenë e autostradës. Për këta banorë mbetet problem madhor edhe mungesa e ujit të pijshëm si dhe tymnaja që shkaktojnë mjetet e rënda drejt banesave të tyre.