E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqja, kundër Fullanit: Rritja ekonomike ishte 0

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, përsëriti deklarimin e INSTAT se rritja ekonomike për vitin 2009 është 3.3 %. Ka qenë ky reagimi i Partisë Socialiste menjëherë pas publikimit nga Banka e Shqipërisë të vlerave për rritjen ekonomike. Këtë shifër nuk e beson më askush.

Edhe FMN ka deklaruar se rritja është më pak se 3 %.Guvernatori duhet të shpjegojë a qëndron deklarata e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 14 prill 2010. Kushdo mund të llogarisë se, sipas asaj deklarate, rritja ekonomike para dy javësh ishte 0%.
Po ashtu guvernatori duhet të japë shpjegime pse në tremujorin e parë ka transferuar si fitim në buxhetin e shtetit dy herë më shumë se 1 vit më parë, vetëm për të mbuluar mosrealizimin e të ardhurave është shprehur Ilir Beqja në reagimin e tij. Nga ana tjetër rritja e inflacionit gjatë muajve të parë të vitit është kushtëzuar në një masë të madhe nga faktorë të ofertës. Përveç rritjes së çmimit të energjisë elektrike, oferta e kufizuar e prodhimit bujqësor vendas, tendenca rritëse e çmimeve të lëndëve të para në tregun botëror, në prani të efektit të nënçmimit të monedhës vendase, kanë ushtruar presione në kahun rritës mbi inflacionin. Megjithatë, këta faktorë gjykohet të kenë një natyrë të përkohshme në inflacion. Ecuria e inflacionit bazë dhe e atij të mallrave të patregtueshëm, vlerat e të cilëve qëndrojnë pranë mesatares historike afatgjatë të tyre, konfirmon se presionet inflacioniste nga ana e kërkesës janë të ulëta. Në afat të mesëm, ngadalësimi i kërkesës vendase dhe rritja nën-potencial e ekonomisë sonë pritet të pengojnë krijimin e presioneve të qëndrueshme inflacioniste, duke balancuar kështu efektin direkt të faktorëve të ofertës. Ndërsa në lidhje me politikën monetare Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë monetare të kujdesshme, në mbështetje të respektimit të objektivit tonë të inflacionit dhe të plotësimit të nevojave të ekonomisë për likuiditet. Ajo ka qenë prezente në tregun ndërbankar, duke ofruar likuiditetin e nevojshëm për një zhvillim normal të tregjeve financiare. Këto të fundit janë karakterizuar nga ulje të primeve të rrezikut, rritje të vëllimit të transaksioneve dhe prirje rënëse të normave të interesit.  Me përmirësimin e situatës së likuiditetit të sistemit bankar dhe normalizimit të primeve të rrezikut, në janar të këtij viti, Banka e Shqipërisë vendosi të riaplikojë ankandet e marrëveshjes së riblerjes në formën standarde të tyre: operacione injektuese njëjavore me normë interesi konkurruese. Kryerja e këtyre ankandeve me interes fiks dhe shumë të pakufizuar që në nëntor të vitit 2008 deri në dhjetor të vitit të kaluar ishte një nga masat e marra nga Banka e Shqipërisë në kushtet e një situate të shtrënguar të likuiditetit dhe primeve në rritje të rrezikut dhe pasigurisë së shtuar në atë periudhë. Rikthimi në formën standarde të ankandeve të instrumentit kryesor të Bankës së Shqipërisë shënon edhe fillimin e tërheqjes së këtyre masave në përgjigje të normalizimit të situatës në tregjet financiare në vend.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›