EULEX tensionon situatën në Kosovë, dhunohet shtëpia e ministrit të Transporteve, Fatmir Limaj
Policia e misionit EULEX ka kryer ditën e djeshme një ndërhyrje blic në zyrat e Ministrisë së Transporteve në Prishtinë dhe në disa prona të kreut të këtij dikasteri, Fatmir Limaj. Forcat e rendit të Bashkimit Evropian në Kosovë( EULEX) kanë bastisur Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit në Prishtinë. EULEX, filloi ditën e djeshme një aksion në shkallë të gjerë në rrethinë
dhe në brendësi të Prishtinës për të goditur korrupsionin. Misioni evropian për sundimin e ligjit, ka njoftuar se pasditen e djeshme rreth orës 15:55, Departamenti Ekzekutiv i Policisë së EULEX ka bastisur disa lokacione në rrethinë dhe brenda Prishtinës. Në komunikatë thuhet se kjo është pjesë e vazhdës së hetimeve që udhëhiqen nga Zyra e Prokurorit Special në Kosovë (PSRK). Një zyrtar ka thënë se Policia e Bashkimit Evropian i ka bastisur zyrat e Ministrisë së Transportit dhe ka shoqëruar jashtë shumicën e të punësuarve. Ai ka theksuar gjithashtu se rreth 30 policë kanë hyrë në ndërtesën e ministrisë. Askush nga zyrtarët e këtij misioni nuk ka pranuar të flasë më shumë për këtë çështje. Policia ka bastisur një numër vendesh përfshirë edhe ndërtesën e Ministrisë së Transporteve dhe Telekomunikacionit, që drejtohet nga Fatmir Limaj dhe që është ministria me buxhetin më të madh në qeverinë e Kosovës. Forca të shumta të njësive speciale të Policisë së EULEX për rreth një orë kanë bllokuar kompleksin e banesave tek kinemaja ABC, ku jeton familja Limaj. Sipas burimeve jozyrtare, pretekst i bastisjes është dyshimi se ministri Limaj është i përfshirë në afera korruptive me rastin e disa aktiviteteve të prokurimit. Po për këtë shkak, burimet theksojnë se janë bastisur edhe tri kompani përfituese të tenderëve të kësaj ministrie. Policia e Kosovës thotë se kjo është çështje e policisë së EULEX, ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se nuk ka njohuri të plota rreth aksioneve të policisë së EULEX, por nënvizoi se nëse misioni evropian ka argumente është koha të veprohet dhe të kryhen arrestime ndaj kujtdo që është përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion. Nuk kemi direkt informata. Natyrisht se neve na informon shtylla e hetimeve aq sa duhet të na informoje që të mos dëmtohet. Mirëpo, edhe një herë e përmend, kemi insistuar që nëse kanë argumente, koha është për të vepruar, jo vetëm të mblidhen fakte, por të arrestohen edhe krim, edhe korrupsion edhe të gjitha dukuritë tjera që janë dhe që janë grumbulluar, tha Rexhapi, pas një takimi me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek. Lufta kundër korrupsionit është cilësuar si përparësi e punës së EULEX por edhe Qeverisë së Kosovës. Kryeministri i vendit Hashim Thaçi, ka theksuar se kjo luftë do të jetë e pa kompromis, ndërsa ka kërkuar që sistemi i drejtësisë në vend të reformohet shpejt dhe të kryejë funksionet që i takojnë. Një ditë më parë për arrestime të niveleve të larta dhe për shkarkime të reja nga institucionet e Kosovës ka paralajmëruar shefi i ICO-së, Pieter Feith, gjatë një ligjërate në Universitetin Amerikan. Edhe më herët gazeta Koha Ditore paralajmroi se Feith i kishte kërkuar kryeministrit Hashim Thaçi largimin e një ministri, të një dikasteri të rëndësishëm në Qeverinë e Kosovës.
Bastisja, Thaçi takim urgjent me ambasadorët në Kosovë
Ministri i Transporteve, Fatmir Limaj dhe kryeministri Hashim Thaçi sapo janë informuar për lajmin e bastisjes së zyrës nga EULEX, kanë braktisur seancën e Kuvendit, ku mbante fjalën ministri i Jashtëm italian Franko Fratini. Kryeministri i Kosovës, ka zhvilluar pasditen e djeshme një mbledhje të jashtëzakonshme në selinë e qeverisë së Kosovës, pas bastisjes së zyrave të Ministrisë së Transporteve dhe shtëpisë të ministrit Fatmir Limaj nga policia e EULEX. Sipas informacioneve të fundit, në takim kanë marrë pjesë ministri Fatmir Limaj dhe ambasadorët e akredituar në Prishtinë, mes të cilëve ai amerikan Christopher Dell, shefi i EULEX Yves de Kermabon, si dhe shefi i ICO, Piter Feith. Ndërkohë, selia e Ministrisë së Transporteve deri orët e vona të mbrëmjes, ka qenë e rrethuar nga njësitë speciale të policisë së EULEX, të cilat kur bastisën ndërtesën kërkuan serverin me të dhëna dhe sekuestruan një mori dokumentesh. Kohët e fundit nuk ka pasur ndonjë informacion zyrtar për këtë aksion, por kryeprokurori i EULEX para pak muajsh paralajmëroi arrestimin e peshqve të mëdhenj. Përveç zyrës dhe shtëpisë së Fatmir Limajt, policia ndërkombëtare kontrolloi edhe disa prona të vëllait të tij, si dhe zyrat e disa kompanive që kishin fituar tendera nga Ministria e Transporteve