Berat, gjykata dënon me 16 vjet burg 3 "pronarë" apartamentesh
Gjykata e Beratit ka dënuar me 16 vjet burg dhe 10 milionë lekë të rinj gjobë, 3 të pandehur nga Berati dhe Fieri, të cilët akuzoheshin për falsifikim dhe mashtrim. Burime zyrtare të Gjykatës të Faktit Berat pohuan se togat e zeza të kësaj gjykate, në seancën e radhës dhe të fundit kanë dhënë vendimin dje për dënimin me burg të shtetasit Luan Qyrku, Idajet Virjoni e Hatixhe Lide.
Të tre shtetasit kanë marrë dënimin me 16 vjet burg dhe 15 milionë lekë gjobë, të akuzuarit për falsifikim dhe mashtrim në shitjen e disa apartamenteve, blerësit e të cilëve nuk u bënë kurrë pronarë të ligjshëm të këtyre apartamenteve edhe pse kanë paguar shuma të majme. Treshja e togave të zeza, e kryesuar nga gjyqtari Nazmi Troka ka vendosur që Luan Qyrku, nga Beratit të dënohet me 11 vjet burg, Idajet Virjoni me 4 vjet burg dhe 500 mijë lekë të rinj, Hatixhe Lide, me 1 vit burg dhe 500 mijë lekë të vjetra. Ndërkohë që për përfundimin e këtij procesi gjyqësor treshes të togave të zeza i është dashur të zhvillojë 15 seanca gjyqësore me 21 dëshmitarë në një kohëzgjatje për më shumë se një vit. Në pretencën e tij të dhënë në seancën e parafundit, përfaqësuesi i organit të akuzës prokurori Tasi Puci pasi ka argumentuar në detaj akuzat dhe fajësinë e tre të akuzuarve i ka kërkuar treshes të togave të zeza të kryesuar nga gjyqtari Nazmi Troka që të dënojë me 27 vjet burg të tre të akuzuarit. Por trupi gjykues pasi ka dëgjuar dhe tre avokatët e këtij procesi që zgjati rreth 12 muaj, ka shpallur fajtor të akuzuarin kryesor i çështjes Luan Qyrku, në lidhje me dy akuzat që janë falsifikimi dhe mashtrimi në shitje me përfitime të mëdha. Nga tre të akuzuarit, vetëm Luan Qyrku e ka pritur dënimin i shoqëruar nga uniformat blu, pasi ndodhej nën masën e sigurisë arrest në burg pa afat, ndërsa dy të akuzuarit e tjerë ishin nën masën e sigurisë detyrim paraqitje. Ndërkohë që menjëherë pas vendimit të dhënë nga gjykata, dy të tjerët, Idajet Virjoni dhe Hatixhe Lide janë arrestuar për vuajtjen e dënimit brenda ambienteve të gjykatës. Tre të akuzuarit më anë të falsifikimit të dokumenteve të pronësisë arritën të shisnin në vitet 1998-2000, 15 apartamente të ndërtuara në dy pallate, nga një pronar tjetër, por blerësit e tyre nuk arritën të bëheshin kurrë pronarë të shtëpive të tyre, pasi shitësit ishin vetëm mashtrues dhe falsifikatorë të dokumenteve. Tre të akuzuarit nuk dispononim dokumente hipotekare për truallin prej 1.5 dynym tokë, ku ishin ndërtuar pallatet ndërsa me anë të falsifikimit të dokumenteve dhe me anë të mashtrimit kanë arritur të shesin apartamentet e ndërtuara nga pronarë të tjerë duke përfituar miliona lekë.