E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, prangoset adoleshenti që grabiti me dhunë të moshuarit në banesë

Policia ka arrestuar autorin e grabitjes me dhunë para tri ditëve në fshatin Sofratikë në Gjirokastër. Artan Rama, 18 vjeç, banor në fshatin Mamaj, është vënë në pranga mesditën e djeshme nga ana e Policisë së Gjirokastrës pas tentativës për tu larguar në rrjedhën e lumit Vjosë. Aksioni i kapjes së Ramës ka startuar në orët e mbasdites së të mërkurës në qytetin e Tepelenës, në kohën kur uniformat blu ishin vënë në ndjekje të tij. 18- vjeçari, sapo ka parë policët ti afroheshin, ka vrapuar drejt lumit ku dhe është hedhur në rrjedhën e tij. Gati për dy orë, ndjekja e grabitësit ka qenë e pamundur dhe për pasojë është dashur një grup policësh të tjerë nga Gjirokastra që të prangosnin Ramën. Fill pas kapjes së Ramës dhe deponimit të tij fillestar, operacioni i kapjes së keqbërësve ka vazhduar me kapjen e autorit të dytë të grabitjes së banesës së Spiro Nastos, mbrëmjen e të hënës në fshatin Sofratikë. Në fshatin Mamaj të Tepelenës policia ka kapur 16- vjeçarin Kristo Ruçi, i cili mendohet të ketë qenë shoqërues në rrëmbimin e 30 mijë lekëve dhe 50 eurove në Sofratikë. Në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar dy thika, një kapuç i përdorur për maskim, si dhe një palë dorashka me të cilat është kryer vepra penale. Gjithashtu nga puna intensive hetimore e bërë nga Specialisitët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, u arrit të dokumentoheshin me prova ligjore edhe disa grabitje të tjera të kryera gjatë vitit të kaluar zonën e Dropullit të Poshtëm. Sipas të dhënave zyrtare, Artan Rama rezulton të jetë autor edhe i tre grabitjeve të tjera të ndodhura në fshatrat e kësaj zone. Në bashkëpunim me djalin e xhaxhait të tij, Sokol Rama, 23 vjeç, banues po në fshatin Mamaj të Tepelenës në 11 tetor të vitit të kaluar, kanë grabitur me dhunë nën kërcënimin e thikës një sasi prej 800 eurosh dhe 15 mijë lekësh në banesën e shtetasit Nikola Skarpeta në fshatin Sofratikë. Në po të njëjtën ditë kushërinjtë grabitës kanë vjedhur me thyerje banesën e shtetasit Fatmir Aliu në fshatin Dervicjan Komuna e Dropullit të Poshtëm ku kanë arritur të marrin sende të ndryshme dhe një sasi lekësh. E ndërsa Artan Rama është arrestuar, djali i xhaxhait, Sokoli është shpallur në kërkim dhe për këtë ai është arratisur në drejtim të Greqisë. Gjatë veprimeve hetimore dhe procedurale specialistët e Seksionit të Krimeve ndaj Personit, bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin  me prova ligjore edhe të një vjedhjeje tjetër të kryer nga Artan Rama në vitin 2008, në shuma të mëdha. Në 23 gusht të vitit të kaluar ai ka grabitur me thyerje nën kërcënimin e thikës dhe i maskuar, një shumë prej 14 mijë euro në banesën e shtetasit Jorgo Kucoi në fshatin Dhuvjan të rrethit Gjirokastër. Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë së Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprat penale të vjedhjes me dhunë kryer në bashkëpunim si dhe  të vjedhjes kryer në bashkëpunim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›