E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kinemaja spanjolle, në ekranin e Marubit

Cikli i Filmit Social vjen çdo të premte si organizim nga Ambasada e Spanjës dhe Akademia e Filmit dhe Multimedias Marubi. Cikli i tretë i filmit që do të shfaqet te Akademia Marubi, duke qenë pjesë e programacionit E Premtja e Filmit Spanjoll, na afron ndaj temave me rëndësi të madhe sociale si emigracioni, papunësia, racizmi dhe dhunimi i të drejtave të fëmijëve në botë. Nga moria e gjerë e filmave me përmbajtje sociale janë përzgjedhur: Dokumentari Extranjeras (Të huaja), i regjisores Helena Taberna, e cila, nëpërmjet eksperiencës së grave emigrante që jetojnë në Madrid, shfaq fytyrën e panjohur dhe të përditshme të kulturave të tjera, në një mjedis larg vendeve të tyre në të cilin kanë bërë të pamundurën për t´u integruar. Filmi tjetër është Poninente(Perëndimi), gjithashtu mbi emigrimin dhe racizmin, me regji të një tjetër gruaje Chus Gutierrez, një fiction që fut spektatorin në brendësinë e serave të Andaluzisë, aty ku mijëra emigrantë kërkojnë një të ardhme më të mirë. Në vijim të filmave, që do të projektohen vjen dhe Los lunes al sol( Të hënat në diell) nga Fernando Leon, mbi situatën e një grupi burrash të papunë për të cilët çdo ditë është festë, dhe që përshkojnë rrugët e një qyteti bregdetar, duke kërkuar një zgjidhje për jetën. Listës së projektimeve çdo të premte i shtohet dhe filmi Në botë në çdo moment, realizuar nga pesë regjisorë, në bashkëpunim me UNICEF, si kontribut i kinemasë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në botë. Historitë përfshijnë: luftën kundër sidës; imunizimin, zhvillimin e integruar në periudhën e foshnjërisë, mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna, shfrytëzimi dhe diskriminimi si dhe edukimi i vajzave të vogla. Janë dhe pesë filma me metrazh të shkurtër Patricia Ferreira (El Secreto Mejor Guardado); Pere Joan Ventura (La Vida Efímera); Chus Gutiérrez (Las Siete Alcantarillas); Javier Corcuera (Hijas de Belén), dhe Javier Fesser (Binta y la Gran Idea). Filmat do të shfaqen çdo të premte, në orën 19.00, në Akademinë e Filmit dhe Multimedias Marubi, në versionin origjinal (spanjisht), me titra në anglisht dhe hyrje të lirë. Në këtë okazion, takimi do të jetë me kinemanë e angazhuar me temat sociale dhe realitetin.   

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›