Berat, nis puna për bypass-in e qytetit

Në qytetin e Beratit ka nisur puna për bypass-in e ri të qytetit. Segmentin prej 4.2 kilometër i cili nis në fillim të rrugës “Santa Lucia” (Stadiumi i Vjetër) dhe përfundon në kufi me Bashkinë e Poliçanit.
Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo, tha për ATSH-në se “ky është një tjetër investim madhor që qytetarët e Beratit e meritojnë prej kohësh. Vlera e këtij investimi nga qeveria shqiptare është 408 milionë lekë, ndërsa punimet do të kryhen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit”.
Zoti Demo thotë se ky bypass do të ketë edhe një dalje të dedikuar për lagjen “Uznovë”.
“Ky investim zgjidh problemin e trafikut dhe ndotjen mjedisore në rrugën “Antipatrea”, si dhe lehtëson hyrjen dhe daljen nga qytetiti i Beratit edhe për banorët e bashkisë Poliçan dhe Çorovodë dhe me përfundimin e kësaj rruge rrëzohet miti që Berati ka vetëm 1 rrugë”,- theksoi Demo.
Kryebashkiaku i Beratit spjegon se “ky projekt është konceptuar sipas modeleve më të mira të infrastrukturës urbane, ku nuk do të mungojnë hapësirat e dedikuara për këmbësorët, rrugët dytësore si dhe korsitë e biçikletave”.
Sipas tij, projekti “3Dimensional” do të jetësohet gjatë vitit që sapo ka nisur në një projekt real.
“Ky bypass do të përfundojë punimet në dhjetor 2021, duke i ofruar qytetarëve dhe turistëve një infrastrukturë më të mirë . Investimet e viteve të fundit e kanë shndërruar Beratin, një nga destinacionet e rëndësishme në vend”, tha Demo.
Investimet që po kryhen në Bashkinë e Beratit vitet e fundit do të kenë një ndikim të madh në rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve si dhe t’i japin një hov të ri turizmit në qytetin e një mbi një dritareve.