E Enjte, 5 Nëntor 2026

Delvinë, vazhdon tradita e kultivimit të ullinjve

Në bashkinë e Delvinës, traditë prej vitesh ka qenë dhe ngelet kultivimi i ullinjve. Bujqit çdo vit e më shumë po i drejtohen këtij sektori për të fituar të ardhura për familjet e tyre. Një prej tyre është 68 vjeçari Lulëzim Zhupa i cili që në moshën 18 vjeçare zgjodhi këtë profesion nga pasioni për punët bujqësore. Ai tashmë ka 50 vite që ushtron këtë profesion dhe që kujdeset për rreth 800 rrënjë ullinj në 15 dynym tokë.Bujku i vjetër tregon për Rtsh-Gjirokastra se si përkujdeset për to dhe sa përkushtim duan.Zhupa tregon ndërkaq edhe për vështirësitë me të cilat bujqit e zonës hasen, që nga sjellja e rrënjëve, mungesa e ujit, e një tregu të sigurt, etj. 

“Ky është një bllok rreth 15 dynym, është marrë tokë me qera për 90 vjet dhe sot këtu, kemi të mbjellë gati 800 rrënjë ullinj. Janë në vitin e nëntë të prodhimit. Unë jam agronom dhe duke patur këtë profesion gjykova se bima e ullirit do të jetë më e përshtatshme se kulturat e tjera. Kjo ullishte ka filluar të japë prodhim që vitin e tretë, se janë mbjellë, kultivuar, të tillë, që janë prodhues. Duke filluar nga ulliri spanjoll, italian, grek, etj.

Aq sa bukuri ka të merresh me ullirin, aq edhe vështirësi ka. Ju keni ardhur në kohën e vjeljes ku nevojiten mjaft puntorë. Në këtë sipërfaqe që kemi sot, arrijmë sivjet gati 100 kuintalë ullinj. Bima e ullirit kërkon të jesh gjithë kohës i angazhuar. Me të mbaruar vjelja, fillon direkt krasitja, paralel me të, spërkatja dimërore etj. Bukuria është kur ato nga rrënjë të vogla, arrijnë një lartësi të madhe pra rritja e tyre, të fal kënaqësi. Këtë vit tek ne ndikoi edhe pandemia. Merrnim leje nga komisariati për të ardhur dhe për të punuar. Ulliri vilet dhe çohet në fabrikën e vajit. E vetmja gjë që këtu mungon, është mungesa e një pike grumbullimi e siç dihet që tregu është vështirë për t’u gjetur. Megjithatë, nga cilësia që ai ka, ka kërkesa” shprehet Zhupa. 

Këshilla e këtij bujku të vjetër, është që të rinjtë t’i drejtohen më tepër sektorit të bujqësisë dhe t’a shohin atë si një sektor fitimprurës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›