E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, pushohet nga puna mësuesi Ëngjëll Bregu, akuzohet për thyerje të dispozitës normative

Peticioni i dërguar për mësuesin Ëngjëll Bregu në Drejtorinë Arsimore të Qarkut të Beratit nga 13 prindër dhe drejtoria e shkollës 9- vjeçare e fshatit Çiflik ka bërë që Drejtoria e Arsimit të këtij qyteti të marrë masën e pezullimit nga detyra të mësuesit në fjalë. Në këtë peticion shprehej indinjata e prindërve të fëmijëve të tyre që ishin në klasën e 7-të, për sjelljet e pahijshme të mësuesit të matematikës, ankesa të cilat shkojnë deri në akuza për prekje të nxënëseve në pjesë intime në trup nga ana e tij. Por që nuk janë përfshirë në peticion për arsye morali nga ana e tyre. Po në këtë peticion prindërit i kanë kërkuar largimin e menjëhershëm të mësuesit në fjalë nga shkolla ku vijonin mësimi fëmijët e tyre.  Ëngjëll Bregu, mësuesi i lëndës së matematikës në shkollën nëntë vjeçare të fshatit Çiflik në komunën Poshnje të rrethit të Beratit, që prej ditës së djeshme nuk do të japë mësim në këtë shkollë. Burime pranë Drejtorisë Arsimore bëjnë me dije se urdhri për pezullimin e Bregut nga mësimdhënia ka mbërritur në drejtorinë e shkollës, ku dhe i është komunikuar mësuesit. Ky i fundit mësohet të ketë ardhur dje në shkollën e fshatit ku dhe është njohur me vendimin për pezullimin nga puna deri në një urdhër të dytë. Vetë drejtori i drejtorisë arsimore në Berat Yzedin Hima, bëri të ditur faktin e pezullimit nga detyra të mësuesit 50 vjeçar të lëndës së matematikës, Bregu. Kreu i DAR-së theksoi se ai mori këtë masë të menjëherë të pezullimit nga puna të mësuesit të matematikës Bregu, sapo u njoh me akuzat e ngritura në peticionin e hartuar nga ana e drejtorisë së shkollës 9 vjeçare dhe firmosur nga 13 prindër e nxënës të klasës të 7-të. Hima theksoi se vendosi të pezullojë mësuesin e matematikës nga puna me motivacionin e thyerjes së dispozitës normative. Mësuesi Hima tha se kjo ishte masa momentale që mund të merrej ndaj mësuesit, pas peticionit me gjashtë pika të bërë nga ana e prindërve. Ndërsa shtoi se do të njihet me dispozitat ligjore për të vendosur më tej për mësuesin e matematikës. Ai tha në lidhje me akuzat e ngritura ndaj mësuesit Bregu se çdo vendim do të jetë në favor të nxënësve, por për vendimin do të merren në konsideratë vetëm shqetësimit e ngritura nga prindërit në peticion, pasi asnjë akuzë tjetër nuk ka mbërritur pranë DAR-së. Në lidhje me akuzat e ngritura ndaj mësuesit për ngacmime të vajzave me anë të prekjes në pjesë të ndryshme të trupit Hima u shpreh se nuk ka asnjë akuzë të tillë të ngritur ndaj mësuesit.
Ëngjëll Bregu, mësuesi i matematikës u akuza tre ditë më parë nga 13 prindër për sjellje jo të mirë me nxënësit, paraqitje në shkollë në gjendje të dehur, kryerje e ekskursioneve pa lejen e drejtorit dhe mungesën e komunikimit korrekt. Këto kanë qenë akuzat e ngritura zyrtarisht ndaj mësuesit në peticion, pasi prindërit janë ankuar ndaj tij duke e akuzuar dhe për ngacmime të vajzave me anë të prekjes, por që për arsye morali dhe nami nuk kanë dashur ti bëjnë publike ndërsa kanë vendosur që mësuesi të largohen nga shkolla sa më parë që të jetë e mundur për të mos mara masa të tjera të shkallëzuara nga ana e tyre. Mësuesi i matematikës disa vjet më parë ka qenë i dënuar më 7 muaj burg për kryerje të veprave të turpshme me të mitur në shkollën periferike Uznovë. Ndërsa gjykata nuk i hoqi të drejtën e ushtrimit të profesionit dhe që mësuesi duke përfituar nga mos ndëshkimi i kësaj mase ekstreme duket se vazhdoj të njëjtin avaz deri në momentin që u ankuan prindërit e shkollës 9vjecare Çiflik deri në pezullimin e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›