E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Orkestrës Simfonike të RTSH" Dhurata Lazo, ndez skenën me tingujt e pianos

Në këtë mbrëmje koncertore publiku pati mundësinë të ndiqte dhe interpretimin e shkëlqyer të pianistes shqiptare
Stina Koncertore e Orkestrës Simfonike të RTSH solli koncertin e radhës në skenën e Akademisë së Arteve. Programi i koncertit përmbante vepra të kompozitorëve të njohur botërorë, duke sjellë një repertor të pasur për publikun. Në skenën e arteve erdhën veprat e Edvard Greig koncert për piano në La Minor,opus 16 si dhe Simfonia nr.4 në Mi b major e Anton Bruckner. Të ftuar në këtë koncert ishin dy prej artistëve më të njohur sot në botën muzikore. Pas gati dy dekadash pianistja shqiptare, e cila zhvillon një aktivitet të ngjeshur artistik në skenat evropiane Dhurata Lazo performoi me piano në këtë koncert, si dhe dirigjenti kanadez Alain Trudel. Me talentin e saj pianistja shqiptare me tingujt e pianos përcolli emocion në skenën e arteve, duke u shpërblyer me duartrokitjet e publikut. Në këtë mbrëmje koncertore të veçantë me vepra të romantizmit, publiku pati mundësinë që të ndiqte dhe interpretimin e shkëlqyer të pianistes shqiptare Lazo. Në një prononcim dhënë për gazetën ajo u shpreh se ftesa që i ishte bërë për Stinën Koncertore të Orkestrës së RTSH ishte e veçantë, pasi ajo kthej në Tiranë pas gati dy dekadash. Është një privilegj dhe një emocion shumë i madh për mua që kthehem pas gjithë këtyre viteve për të luajtur me Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar. Kur unë kam qenë në Shqipëri për herë të parë kam luajtur me këtë orkestër në moshën 17 vjeçe. Në atë kohë ishte dirigjent Artisti i Merituar Ferdinand Deda, ku unë luajta Koncertin e Tretë të Bethovenit. Sigurisht që pas 20 vitesh këtu çdo gjë ka ndryshuar. Kam gjetur instrumentistë të rinj, por dhe disa instrumentistë që janë të gjeneratës sime. Për mua kjo është një kënaqësi shumë e madhe dhe kam dhe një dirigjent kanadez nga Vankuveri që quhet Alain Trudel dhe është shumë i mirë si artist. Jam e emocionuar dhe mundohem që të shijoj çdo bukuri të këtij koncerti, tregon mes emocioneve pianistja Loza. Pianistja shqiptare Dhurata Lazo është nga artistet e para "të ikur" nga Shqipëria. Në shtator të vitit 1990 pianistja u transferua në Itali pranë bashkëshortit të saj, edhe ai instrumentist i njohur, e më tej vazhdoi aktivitetin koncertal duke interpretuar në duo, por edhe si soliste. Ka zhvilluar aktivitet didaktik në Maniago, Meduno, Salice, Azzano dhe Aviano. Në vitin 1998 ka mbajtur diplomën në pianoforte edhe në Itali pranë Konservatorit "G. Verdi" të Milanos, duke marrë pjesë gjithashtu në kurset e perfeksionimit. Që nga viti 1994 e deri në vitin 2004 ka ndjekur mbi 6 kurse të tilla perfeksionimi në pianoforte, kryesisht në Padova me profesor Mike Marian, ndërsa koncertet e saj në skenat e Europës e të Amerikës nisin nga Roma, një koncert në Villa Taverna ( rezidenca e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës), e me tej me pjesëmarrjen në festivalin pianistik në Chioggia, në Gjermani në Frankfurt si soliste dhe shoqëruese për studentet amerikanë në Evropë etj. Dhurata ka studiuar pianoforte që nga mosha 6 vjeç në qytetin e saj të lindjes tejet e talentuar, ajo u njoh me notat muzikore që herët, para se të niste mësimet e tjera, dhe u evidentua mes shumë fëmijëve të talentuar në muzike. Rruga e saj tashmë ishte vendosur, dhe gjithë jetën e saj ajo do ta lidhte me pianoforten. Në vijim të Stinës Koncertore në sallën e Akademisë së Arteve, Orkestra Simfonike e RTSH disa ditë më parë luajti një koncert simfonik, me dirigjent Desar Sulejmanin dhe solist Blerim Grubi në violë. Koncerti ishte i ndërthurur me një repertor të pasur, ku u interpretuan vepra të autorëve të njohur botërorë. Në vijim të këtij sezoni koncertor do të vijnë sërish emra të talentuar të muzikës shqiptare dhe asaj botërore, që do të ngjiten në skenën e koncerteve.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›