Berat, trafikoi bashkëfshataren për prostitucion, pranga të dënuarit në mungesë
Një 41- vjeçar nga një fshat i rrethit të Beratit, i cili kërkohej si i dënuar me 5 vjet burg në mungesë, ka rënë në pranga të policisë ditën e djeshme për të vuajtur dënimin për shfrytëzim prostitucioni. Burime të komisariatit të policisë së këtij qyteti thanë se rreth orës 22:30 të mbrëmjes së enjte është bërë ndalimi i Besnik Dervishit, banor në fshatin Sheq-Gajd, komuna Poshnje në rrethin e Beratit 18 km në perëndim të Beratit.
Ndalimi i 41- vjeçarit u bë pas një informacioni të siguruar në rrugë operative se ai ndodhej në banesën e tij pas kthimit nga emigracioni disa vjeçar. Prokuroria e Rrethit menjëherë ka nxjerrë urdhrin për ndalimin, njëkohësisht edhe atë të arrestit për 41- vjeçarin. Ndërsa kanë qenë punonjësit blu të komisariatit të Beratit ata që kanë bërë të mundur ekzekutimin e këtij urdhri me numër vendimin Nr. 108 që mban datën 13.09.2002. Ka qenë Gjykata e Shkallës së Parë, e cila me vendimin e saj pas shumë seancash ka dënuar me pesë vjet heqje lirie në mungesë 41- vjeçarin me akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit. Ky i fundit u gjykua në mungesë pas denoncimit të një bashkëfshatareje të tij, e cila e akuzoi Dervishin për shfrytëzim prostitucioni në Itali gjatë vitit 2001. Pas një njohje mes tyre Dervishi i premton fejesë E. A, dhe gjatë kohës që kjo e fundit pranon të shkoj në Itali shfrytëzohet si prostitutë për disa muaj. Pas kthimit në banesë në fund të vitit 2001 vajza ngre padi ndaj Dervishit duke e akuzuar atë për shfrytëzim prostitucioni. Pas disa muaj hetimesh në mungesë çështja mbërrin në gjykatë dhe është ky organ që shpall fajtor Dervishin, duke e dënuar atë në mungesë.