E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, ura e Skarrmanes në rrezik shembjeje, asnjë investim në të

Ura që lidh disa fshatra të Shkodrës në kufi me Lezhën dhe që quhet Ura e Skarramanes është në gjendje të mjerueshme por dhe e rrezikshme prej disa vitesh, e  megjithëse janë dhënë shpesh herë alarme dhe janë bërë kërkesa, akoma nuk është bërë asgjë për të ndrequr këtë pikë lidhëse të më shumë se 12.000 banorëve. Ura e Skarramanes është në komunën Hajmel të rrethit Shkodër dhe ajo është duke u shembur dhe praktikisht në të nuk duhet të kalojnë më mjete. Kjo gjë është bërë edhe në mënyrë institucionale nga rrugorët e Shkodrës me anën e tabelave. Por ndërsa nga Drejtoria e Rrugëve Rurale është kërkuar bllokimi i lëvizjes së mjeteve të tonazhit të rëndë mbi këtë urë, kjo nuk ka ndodhur pasi mjetet e rënda të firmave që po punojnë për shtrirjen e linjës së interkonjuksionit Elbasan-Tiranë-Podgoricë, kanë larguar bllokimet dhe lëvizin mbi urë. Sipas drejtorit të ndërmarrjes së rrugëve rurale, Gjovalin Kodra, kjo urë rrezikon shembjen dhe që më 5 shkurt është kërkuar moslejimi i qarkullimit mbi të i mjeteve të tonazhit të rëndë deri në rikonstruksionin e saj. Por deri tani asnjë nga organet kompetente nuk ka reaguar dhe pavarësisht se kjo ndërmarrje ka vendosur edhe tabelat që sinjalizojnë ndalimin e qarkullimit, ato jo vetëm nuk janë respektuar, por edhe janë hequr.
Më e keqja është se mbi urën e ndërtuar nga austriakët në fillim të shekullit të kaluar kalojnë mjete të tonazhit të rëndë të firmës së kontraktuar për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Elbasan-Podgoricë. Për këtë është vënë në dijeni edhe qarku e prefektura e Shkodrës, por, sipas banorëve, drejtuesit e mjeteve të rënda i kanë larguar barrikadat e vendosura në të dyja anët e urës në mënyrë që mjetet të mos kalonin në të.
"Kalonim vetëm me kafshë, biçikleta dhe motoçikleta, por barrikadat u hoqën dhe tani kalojnë lirisht automjetet e rënda. Ura është e çarë dhe rrezikon shembjen dhe po ndodhi kjo, për ne është katastrofë, pasi nuk kemi nga të kalojmë dhe ndërpritet komunikimi me Shkodrën e Lezhën," -shprehen banorët e Hajmelit. Ura e Skarramanes është ndërtuar në kohën e pushtimit austro-hungarez. Përveç disa riparimeve, në këtë urë shumë të amortizuar nuk është ndërhyrë për rikonstruksionin e plotë të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›