E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, vihet në pranga grabitësi i Alba Postës, i dënuar edhe më parë

Uniformat blu të qytetit të Poliçanit, kanë vënë në pranga grabitësin e 15 milionë lekëve të vjetra nga Alba Posta, në qendër të këtij qyteti. Ngjarja e ndodhur para pesë ditësh, ka si të akuzuar 30 vjeçarin, Saimir Zylyftari, i cili grabiti 15 milionë lekë të vjetra. Drejtoria e Policisë së Qarkut të Beratit, bëri me dije se pas pesë ditë hetimesh mundi të ndalojë ditën e djeshme autorin e dyshuar të vjedhjes të bujshme të parave të pensionistëve të qytetit të Poliçanit. Burime të komisariatit të këtij qyteti pohuan se rreth orës 08.00 të mëngjesin e djeshëm kanë rënë në prangat e policisë Saimir Zylyftari, i identifikuar si i dyshuari kryesor i kësaj vjedhje. Po sipas të njëjtave burimeve rreth orës 08: 00 të mëngjesit uniformat blu të policisë së Beratit së bashku me ato të qytetit të Poliçanit dhe në bashkëpunim me prokurorin e rrethit, arrestuan në banesën e tij S. Zylyftarin, 30 vjeç, banor i qytetit të Poliçanit. Nga hetimet në vendin e ngjarjes, por dhe marrjen në pyetje të një numër të madh personazh banorë të lagjes, ku ndodhi vjedhja e filialit të postës, policia arriti të identifikojë autorin e vjedhjes. Në kuadër të operacionit Kasaforta kryer nga seksioni kundër krimeve të rënda në bashkëpunim me organin e prokurorisë u mundësua arrestimi i autorit të dyshuar. Gjatë një kontrolli të bërë në banesën e tij u sekuestruan në cilësinë e provës materiale shumë prej 8 milionë e 500 mijë lekë të vjetra. Kjo shumë është gjetur e fshehur në ambientet e banesës së 30 vjeçarit, ndonëse po hetohet për pjesën tjetër të vjedhur në orët e vona të pesë ditëve më parë. Po në banesën e vjedhësit së bashku me sasinë e lekëve u bllokua dhe mjeti tip Renault Clio me targa DR 78 35 E, pronë e autorit të dyshuar dhe një aparat celular i tipit Nokia. Autori i dyshuar do të përballet me akuzën e vjedhjes, bazuar në neni 124 /2 të Kodit Penal. Burimet policore pohuan për median se 30- vjeçari Zylyftari njihet si person me precedent penal të mëparshëm për vjedhje të banesave dhe si shpërndarës i lëndëve narkotike. Ai mësohet se ka qenë i dënuar më parë për të tilla vepra penale në shtetet perëndimore Holandë dhe Francë. Pesë ditë më parë ai, në ambientet e Alba Postës në qytetin e Poliçanit u vodhën 15 milionë lekë të vjetra, shumë e cila do të shpërndahej për pensionistët e qytetit, por që për fatin e keq të tyre vetëm 7 orë para se të fillonte shpërndarja, lekët u grabitën për tu kthyer sërish nga polica vetëm 5 ditë më pas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›