E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Të hiqet tatimi mbi fitimin dhe subvencionim të sigurimeve për fasonët

Lëvizja Socialiste për Integrim propozon lehtësira për biznesin fason, duke qenë se aty ka më 100 mijë të punësuar. Heqja e tatimit mbi fitimin deri në fund të vitit 2010, subvencionimi te sigurimet shoqërore, heqja e barrierave administrative për lëndën e parë si dhe bashkëpunimi i shtetit me bankat për të nxitur kreditimin, ishin disa nga rrugëzgjidhjet që kreu i LSI, Ilir Meta përmendi gjatë takimit të djeshëm me përfaqësues të biznesit fason. Sot që jemi në një situatë paraelektorale, por prej muajsh përpara se kriza të përfshinte vendin tonë ne kemi qenë të shqetësuar, dhe unë kam kërkuar vazhdimisht dhe forca politike që unë drejtoj dhe në parlament që Qeveria të paraqesë një plan për të përballuar efektet e kësaj krize në vendin tonë, në mënyrë që të kishim një kosto sa më të limituar si për ekonominë kombëtare si për bizneset dhe për të gjithë qytetarët. Për fat të keq kjo gjë nuk ka ndodhur edhe pse ne e kemi zyrtarizuar kërkesën tonë për një debat të tillë konstruktiv në Kuvend dhe gjatë kësaj kohe ne kemi vënë re që bizneset janë vënë në shumë vështirësi dhe sidomos këto biznese që ju përfaqësoni është shprehur kreu i LSI, Meta gjatë takimit me biznesmenët e fasonëve. Meta ka përmendur më tej se ka takuar shumë biznesmenë të fasonëve si dhe shumë punonjës të këtyre bizneseve, të cilët i janë shprehur të shqetësuar nëse kjo krizë dhe këto vështirësi do ti detyrojnë që të qëndrojnë në shtëpi. Para pak ditësh u ndjeva shumë i shqetësuar si dhe shumë të tjerë, për faktin që rreth 50 ndërmarrje të tilla pothuajse kishin ndërprerë aktivitetin e tyre, dhe që gati 10 mijë apo 11 mijë të punësuar kanë qëndruar në shtëpi, nënvizoi kreu i LSI, duke shtuar se prandaj forca e tij politike ka dalë prej kohësh me propozime konkrete për të lehtësuar vështirësitë financiare, në të cilat ata ndodhen sot, që të vijojnë aktivitetin e tyre dhe të ruajnë këto vende pune. Propozimet tona kanë të bëjnë me heqjen e tatimit mbi fitimin deri në dhjetor të vitit 2010, kanë të bëjnë me subvencionimin e sigurimeve shoqërore në masën 50 për qind deri në fund të vitit 2011, dhe njëkohësisht edhe të sigurimeve shëndetësore dhe njëkohësisht që kanë të bëjnë me subvencionimin 100 për qind të sigurimeve shoqërore për çdo vend të ri pune që do të krijohen në këtë periudhë krize. Njëkohësisht kemi theksuar edhe heqjen e TVSH-së së makinerive të pajisjeve për këtë lloj biznesi në vendin tonë, ka vijuar Meta, sipas të cilit është e domosdoshme gjithashtu që të hiqen barrierat fiskale dhe administrative për thithjen e lëndës së parë direkt nga vendi i prodhimit të saj. Po kështu, Meta ka vlerësuar të rëndësishme që Qeveria të luajë një rol ndërmjetësues me bankat në mënyrë që të diskutohet dhe të shikohet mundësia e ristrukturimit të kredive për këtë periudhë krize. Unë besoj shumë se kjo është një industri që duhet mbrojtur me çdo çmim, por çmimi i gjithë këtyre masave që ne kemi propozuar është krejtësisht i papërfillshëm me rëndësinë e madhe sociale për shkak të numrit të punësuarve që këto biznese kanë, dhe është i papërfillshëm në raport edhe me vlerën e masës së eksporteve që këto biznese përfaqësojnë të cilat rrezikojnë të dëmtohen apo të humben për arsye të disa masave të domosdoshme nga qeveria dhe nga shteti, ka sugjeruar Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›