Berati i UNESKO-S dhe “Aleanca për Qytetarin”
Berati me histori të lashtë, qyteti i Muzakajve, i dëshmorëve të lirisë, i flamurtarit Babë Dudë Karbunara, i kryeministrit Iliaz Vrioni e patriotëve demokratë, meriton një jetë më të mirë. Ky synim mund të arrihet me përkushtimin e një kryetari si Ilir Deçolli, me dhembshuri për vendlindjen, me kulturën dhe aftësinë, i vendosur për ndryshime rrënjësore nga pikëpamja ekonomike.
Berati i mësuesve patritotë si Xhevdet Dëshnica, Shyqyri Lakra e Vlash Papa, i poetëve e dijetarëve, si Vexhi Buharaja dhe doktorëve të dëgjuar në të gjithë vendin, meriton më shumë kujdes, sepse kujtesa e njerëzve e këtij qyteti mbart një histori të lavdishme, por edhe histori dhimbjesh nga sundimi komunist 45 vjeçar dhe shkujdesja e qeverive nga viti 1997 deri më 2005. Kush tjetër i njeh më mirë hallet e qytetit, sesa një doktor vendas si Ilir Deçolli? Berati i bukur, me panoramat mahnitëse, perla e turizmit shqiptar, me zanafillë nga epoka iliriane, sidomos aty nga mbarimi i vitit 1600, krenohet me poetët e filozofët, me piktorët, si Onufri, me legjendat e këngët, me mjeshtrat e ndërtimit, banesat e bardha me tipare të veçanta arkitektonike, medresetë e shkollat, kishat e kodikët e rrallë, xhamitë e teqetë me ngjyra të papërsëritshme. Këto pasuri të Beratit kanë tërhequr vëmendjen e zyrtarëve, artistëve dhe udhëtarëve të huaj qysh në shekujt e shkuar. Librat apo ditaret e vizitorëve, pikturat në muzetë e botës, flasin për madhështinë e hershme dhe bujarinë e banorëve të këtij qyteti mbi lumë pranë fushave pjellore, kodrave me ullishta nën hijen e Tomorit, nga kohëra që s’mbahen mend.
Megjithëse në kohën e diktaturës u shpall “Qytet Muze”, për ironi të fatit, ra në duar komunistësh të paaftë, të ardhur nga viset e tjera pa kujtime rinie. Nga ky qytet bujar shpëtuan për mrekulli, vetëm lagjet Mangalem, Goricë dhe Kala. Zemra apo qendra e tij u dhunua barbarisht me shembje ndërtesash, siç qenë Sarajet e Pashallarëve, dyqanet private pranë lumit, pazaret dhe shfarosja e zejtarisë së njohur në gjithë Ballkanin, Duke shkelur mbi vendimet e listat e monumenteve të kulturës, në lagjen Murat Çelepi u rrafshuan varret e shenjta, Sahati e çezma e xhamisë. U prishën një varg banesash, tok me puset e bahçet e blerta buzë Osumit, për ngritje ndërtesash në kontrast me natyrën romantike të Beratit. Rrugicat e pastra u shkallmuan, çezmat me ujë nga Mbreshtani u shkulën. U vijua pastaj me mbylljen e Katedrales, kishave, xhamive dhe teqeve, për depo. Pas kësaj u ndaluan gjithë festat fetare, ndërmjet tyre parakalimi madhështor i karnavaleve përmes qytetit, me ngjyra gjithëfarësh e muzikë gazmore. Troku i kuajve të pajtonëve, Pazar-Murat Çelepi, nuk u dëgjua më përbri lumit e rrapeve. Lundra për në Goricë nuk u pa mbi ujë. Udha për në Kulmak të Tomorrit u harrua. Të gjitha këto fashitën turizmin, pastaj me shtetëzimet e pabesa u rrënua mirëqenia e qytetarëve beratas, madje ata u kthyen nga pronarë dyqanesh e fermash, në punëtorë me paga të ulëta. Qyteti i fshehur, larg rrugëve nacionale, u përdor edhe si vend internimesh, sidomos për intelektualët. As Lufta e Parë apo e Dytë Botërore nuk shkaktoi në Beratin afër fronteve katastrofa si ato të viteve 60-të. Ndaj Berisha u shpreh: “Sëbashku, me dashurinë tonë për Beratin, me Ilir Deçollin na përket neve tani, ta rindërtojmë këtë qytet. Na përket neve ta shndërrojmë Beratin në një nga polet më të fuqishme turistike të Shqipërisë, në një nga qendrat më të fuqishme të prodhimit industrial e bujqësor, në një qendër të fuqishme të jetës akademike të vendit”.
Kur flitet për turizmin e Beratit kemi parasysh një larmi veprimtarish, ndërtimore, ekonomike, kulturore, sportive, fetare etj. Ndryshe nga qytetet antike apo siç thuhet figurshëm, “qytete të vdekur”, si Apollonia e Butrinti, qyteti 2400 vjeçar i Beratit jeton edhe në shekullin XXI. Dihet se pas Luftës së Dytë Botërore, në qytetet e Europës, ku sot dynden turistë nga e gjithë bota, shumë ndërtesa klasike të rrënuara nga bombardimet u ringritën e morën pamjen e dikurshme. Pra, edhe në Beratin e UNESKO-s, monumentet e kulturës, që u shembën gjatë sundimit komunist, ndër to, Sarajet e Pashallarëve në qendër, mund të ringrihen ashtu siç qenë para vitit 1945, kurse në lagjen Murat Çelepi Sahati, madje edhe ndërtesa historike e Shkollës Qytetëse e stilit neoklasik mbi park, në vendin me emrin Topojë, ku gjatë Luftës së Parë Botërore mbaronte hekurudha apo Felbani austriak, Shkodër–Berat. Mandej të rinohen apo të ringrihen shtëpitë monument kulture që shpëtuan apo ato që u rrafshuan në trojet afër lumit. me pamje nga autostrada e ndërtuar nga qeveria e sotme. Edhe lagjet Mangalem, Goricë e Kala, mund të përtërihen, duke rindrequr ndërtesat e ngritura aty jashtë traditës ndërtimore të Beratit. Ura e varur metalike nën Mangalem të hiqet dhe inxhinierët të mendohen për një urë të ngjashme me urën e bukur të Goricës. Lumi Osum të thellohet, për të mënjanuar përmbytjet, ndoshta të përdoret edhe për lundrim argëtues pasi të krasiten shkuret. Në ditë të shënuara apo në fundjavë, të zhvillohen koncerte të këngës qytetare, festivale folkloristike, takime shkrimtarësh e dijetarësh, veprimtari sportive dhe parada e gëzueshme e karnavaleve. Kjo sigurisht do të shoqërohet me zgjerimin e rrjetit të tregtisë, shtimin e restoranteve, hoteleve, moteleve, turizmit familjar, ringjalljen e zejtarisë, muzeve e atelieve me vepra arti, përdorimin e pajtonëve turistik etj. Një veprimtari e tillë të gjallërojë në qytet dhe jo në shfaqjet e rëndomta televizive, Pra, turizëm do të thotë punësim e përmirësim i jetës ekonomike. Ky përshkrim mund të duket si një ëndërr, por shpesh ëndrrat mund të kthehen në realitet, nëse ekziston mundësia, vullneti i qytetarëve dhe fuqia që do të mbështesë këto veprimtari. Kjo fuqi është Qeveria e sotme e aleancës, e cila deri më sot me vepra, ka tejkaluar çdo ëndërr. Askush nuk mund të mohojë arritjet e saj, siç janë anëtarësimi në NATO, heqja e vizave, puna për elekrifikimin e vendit, ndërtimi i infrastrukturës moderne, jug-veri, me Rrugën e Kombit, rrugët e gjera në zonat fushore e bregdet, punimet për Rrugën e Arbrit e rrugën Belsh–Berat, nisja e punimeve për hapjen e autostradës me disa tunele, Tiranë–Elbasan, Lushnjë-Berat, projektimi i rrugës Berat-Tepelenë e shumë të tjera. Askush nuk mund të mohojë përpjekjet e Qeverisë për përmirësimin e jetës ekonomike në qytet e fshat, siç janë, nxitja për zhvillimin e prodhimit dhe tregtisë me anën e uljes së taksave, rritja e të ardhurave, pagave dhe pensioneve dhe përkrahja e fermave private për gjallërimin e mëtejshëm të bujqësisë, blegtorisë, ullishtave, vreshtarisë etj. Rëndësi të veçante merr edhe bashkëpunimi me Institutin e Monumenteve te Kulturës, hartimi i projekteve dhe bashkëfinancimi nga donatorë, të cilët janë të gatshëm të financojnë projekte të tilla.
Në mitingun e Beratit për paraqitjen e kryebashkiakut të ardhshëm të Beratit Ilir Deçolli, në emër të Aleancës për Qytetarin, kryeministri Sali Berisha ndër të tjera tha: “Së bashku ta shndërrojmë këtë muaj në muajin e ndërtimit, në muajin e skicimit të projekteve më të bukura për Beratin, për Shqipërinë. Rëndësi parësore ka që të bëjmë të mundur që ju, qytetarët e fermerët e Beratit, ju, qytetarët e fermerët shqiptarë kudo që jeni të mund të ndërtoni jetën tuaj, të mund të mëkëmbeni gjithnjë e më shumë, të shkëputemi gjithnjë e më shumë nga varfëria, të ecim drejt prosperitetit.” Duke folur për problemet ekonomike në qarkun e Beratit Sali Berisha njoftoi: “Në qarkun tuaj, gjatë 4 viteve që shkuan, qeveria ka subvencionuar 2000 hektarë, nga të cilat 1600 ullishte. Berati qëndron në krye të gjithë Shqipërisë për mbjelljen e drurëve frutorë dhe kanë përfituar nga kjo 5900 fermerë. Dua të garantoj fermerët e Beratit se ne do të subvencionojmë çdo rrënjë ulli, arrë, qershie, lajthie, fiku e çdo dru frutor që do të mbillni.” Nga ana tjetër përfaqësuesi tjeter i Alenancës pë Qytetarin Ilir Meta duke paraqitur kandidaturën e Ilir Deçollit ndër të tjera tha: “Berati do t’i japë me votë, në mënyrë të qetë, të kulturuar dhe demokratike sikurse e ka në natyrën e vet përgjigjen e merituar atyre të cilët e kërkojnë Bashkinë e Beratit, jo për t’i shërbyer qytetarëve, por për t’i shërbyer konfliktit me qeverinë. Ndërkohë që çdo Kryetar Bashkie, pavarësisht se çfarë partie përfaqëson e ka për detyrë të bashkëpunojë me qeverinë pavarësisht se çfarë ngjyrash politike përfaqëson ajo. Interesi duhet të jetë një dhe vetëm një, për të përmirësuar jetën e komunitetit tuaj të mrekullueshëm, për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të shumta për të cilat bashkia ka një përgjegjësi të madhe”.
Në takimet me banorët e lagjeve të Beratit, doktor Ilir Deçolli, pasi u njoh me kërkesat e banorëve u shpreh: “Ju jeni të parët! - Hallet dhe shqetësimet tuaja, preokupimi im më i madh!”. Megjithëse fondet e dhëna nga Qeveria nuk kanë munguar, megjithatë në çdo lagje, sidomos në Murat Çelepi, Donika Kastrioti dhe Uznovë, banorët u ankuan se gjatë tërë kësaj kohe Bashkia nuk ka bërë asnjë investim, për tregun industrial, rrugët e shkatërruara, ndriçimin dhe për një varg problemesh ekonomike, kulturore etj. Edhe ndaj shumë krijuesve, drejtuesit e Bashkisë lidhur me sponsorizimin e veprave të tyre me vlerë,janë mjaftuar vetëm me premtime. Kujdesi dhe ndihma e Bashkisë ka munguar edhe për institucionet në shërbim të zhvillimit kulturor dhe turizmit, siç janë muzetë, ndër to Muzeu historik i Beratit.
Pra, këto kërkesa e mungesa të tjera mund t’i plotësojë vetëm kryebashkiaku i ardhshëm Ilir Deçolli i Alenacës për Qytetarin me përkushtimin e aftësinë e tij, duke pasur edhe mbështetjen e fuqishme të qeverisë. Votoni për Beratin, për mbarëvajtjen tuaj ekonomike! Votoni për turizmin! Votoni për qytetarin tuaj Ilir Deçolli.