E Diel, 1 Nëntor 2026

Eksperti i CNN, Cruickshank: Bin Laden i pazëvendësueshëm, al-Kaeda në prag të shuarjes

03-05-2011 / Gazeta 55

“Vrasja e Osama Bin Ladenit është një moment i jashtëzakonshëm dhe shume i  rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit të al-Kaedës. Vendi e tij në këtë organizatë nuk mund të zëvendësohet nga liderët e tjerë, pasojat e së cilës do të materializohet në  frakturimin e Al-Kaedës”, thotë analisti i CNN-it për terrorizmit, Paul Cruickshank

Presidenti Obama njoftoi të dielën se forcat amerikane kanë vranë Osama Bin Ladenin në një rezidencë jashtë kryeqytetit pakistanez Islamabad. Kjo “goditje” vjen në një kohë kur kombi amerikan po i afrohet 10-vjetorit të sulmeve të al Kaedës më 11 shtator 2001, që vrau pothuajse 3.000 njerëz në Shtetet e Bashkuara. Tani me vdekjen e tij, kush mund te dalë përpara për të zënë vendin e tij?
Ai ishte master-truri i  al-Kaedës. Pa atë, Al-Kaeda mund të frakturohet. Ka shumë forca centrifugale brenda al Kaedës, njerëz me ideologji dhe agjenda të ndryshme. Bin Laden ishte në gjendje që këto forca centrifugale me njerëz me ideologji dhe agjenda të ndryshme, t’i bashkonte. Ai është i pazëvendësueshëm dhe përfaqësonte unitetin e kësaj organizate. Nuk ka njerëz brenda Al-Kaedës me nivelin, famë dhe karizmin e tij. Le t’i analizojmë me radhë dy personat me të fuqishëm në hierarkinë e al-Kaedës pas Bin Ladenit. Ayman al Zawahiri nuk ka karizmin e tij.  Ai ka qenë gjithmonë një forcë shumë më polarizuese se Bin Ladeni. Ebu Jahja Libi, një ideolog kyç i Libisë për al Kaedën, ka disa dhunti shpirtërore, është person karizmatik, por kjo karizëm nuk mund të krahasohet me nivelin e Bin Ladenit. Ilyas Kashmiri, një veteran militant i Pakistanit, është shfaqur si një organizatori kryesor i operacioneve të terrorizmit ndërkombëtar, por përsëri nuk ka asgjë si Bin Laden.

Si arriti Bin Laden të formonte një figurë të tillë brenda Al-Kaedës?
Bin Laden fitoi emrin e tij duke luftuar kundër sovjetikëve në mesin e deri në fund të viteve 1980 në Afganistan. Ai ishte i njohur në atë kohë në të gjithë botën arabe, veçanërisht në qarqet xhihadiste, për "trimërinë" e tij ose të paktën se si ishte paraqitur në faqet e revistës Xhihadit. Në fund të viteve 1980, kur ai themeloi al-Kaedën, ai ishte tashmë dikush me rëndësi në lëvizjen xhihadiste. Më pas, ai filloi ta përdorte këtë figurë, pra figurën e një njeriu trim dhe karizmatik, për ta riorientuar këtë organizatë kundër SHBA-së.

Si u pasqyrua ky riorientim i ri kundër SHBA-ve?
Al Kaeda nuk u themelua për të sulmuar Shtetet e Bashkuara, por gjatë viteve 1990, Bin  Laden, i cili kishte filluar të shfaqte pikëpamjet e tij anti-amerikane, vendosi që të sulmonte interesat e SHBA-së. Ardhja e trupave amerikane në Somali në fillim të viteve 1990, ndezi fitilin e “fuçisë” anti-amerikane të Bin Ladenit duke e përqendruar mendjen e tij terroriste drejt Shteteve të Bashkuara. Bin Laden i shpalli luftë shtetit amerikan në vitin 1996 dhe në vitin 1998 ai i shpalli luftë edhe civilëve amerikanë, një zinxhir të ngjarjeve, që çoi në bombardimet ambasadës së SHBA-së në Nairobi dhe Dar es Salaam, sulmi mbi Qendrën Botërore të Tregtisë (9 / 11), sulmi në Londër. Mund të themi me plotë gojë se Bin Laden e ka drejtuar Al-Kaeda me një dorë të hekurt. Vendimi i fundit ishte gjithmonë i tij.

A u habitët kur morët vesh se Bin Laden nuk ndodhej në një pjesë të largët të Pakistanit, pra në shpella ose shpate malesh?
Al-Kaeda është e bazuar në mënyrë të qartë në zonat fisnore të Pakistanit, zona ku ata  sigurojnë operativë me bombë  duke bërë trajnime për të nisur sulmet mbi Perëndimin. Shumë analistë kanë aluduar se Bin Laden mund të fshihet në zonat fisnore,  Uaziristan Verior për shembull, e cila ka qenë një strehë e sigurt për al Kaedën që nga viti 2004. Por për shkak të sulmeve intensive amerikane me avionë pa pilot, Bin Laden mesa duket ka konstatuar se kjo zonë për të nuk ishte më e sigurt. Duke u fshehur në një qytet të Pakistanit, Bin Laden nuk do të kishte qenë i ekspozuar ndaj sulmeve të tilla. Është e mundur, që Bin Laden mund të ketë qenë i fshehur në një zonë urbane të Pakistanit me vite të tëra.

Çfarë i ka mbetur al-Kaedës tani?
Ka ndoshta disa qindra anëtarë të al-Kaedës që ndodhen në rajonin e kufirit të Pakistan/ Afganistan, shumica e atyre gjenden në anën pakistaneze të kufirit, ose në zonat fisnore të Pakistanit. Ata kanë njëqind operativë apo më shumë në Jemen, me al Kaedën në Gadishullin Arabik,  dhe qindra operativë me filiale të tjera nëpër botë. Ajo që ne kemi konstatuar gjatë viteve të fundit është rritja e kërcënimit në Perëndim nga bashkëpunëtorët, veçanërisht degës së al-Kaedës që ndodhet në Gadishullin Arabik, e cila është organizata më aktive operative kur është fjala për komplote kundër Shteteve të Bashkuara. Al Kaeda është ende organizata që mund të organizojë sulme “spektakolare” të vrasjeve në masë. Natyrisht vrasja e  udhëheqësin të tyre kryesor është një përparim shumë i madh.

Çfarë do të ndodhë me al-Kaedën tani?
Unë mendoj se për një periudhë të shkurtër, nuk mund të zhvillojë aktivitet të madh, por ka mundësi që  do të rekrutojë më shumë njerëz, sepse Bin Laden do të jetë një figurë dëshmori gjatë këtij afati të shkurtër. Por në afat të mesëm, do ta ndjejnë me të vërtetë humbjen. Ai ishte shumë i aftë në tejçimin e mesazheve që unifikuan al-Kaedën. Për shembull, në vitet 1990 duke e përqendruar mendjen e tij  drejt Shteteve të Bashkuara, ishte një mënyrë efikase për të bashkuar të gjitha këto fraksione të ndryshme, kombësi të ndryshme. Tani pa Bin Ladenin, ata do të humbasin pak nga ai unitet. Reagim i ashpër kundër al-Kaidës në botën myslimane, kritikat e fuqishme kundër saj nga shokët xhihadistët  për vrasjen masive të civilëve dhe myslimanëve dhe me “Pranverën  Arabe” në proces e sipër, al-Kaeda ka humbur lidhjeje virtuale në botën arabe. Këto përbëjnë një goditje të madhe për al-Kaedën.
Përgatiti Redi Agolli

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›