Andrea Mano: Ja plani për zhvillimin e Korçës dhe rikthimin e vlerave historike e kulturore
Flet ekskluzivisht për “55”-n kandidati demokrat për bashkinë e Korçës
Vetëm “Një Korçë për të gjithë” mund të kapë trenin e zhvillimit - më 8 maj ndahet rruga e qeverisjes së mirë nga ajo e shkatërrimit
Kandidati i Partisë Demokratike dhe i mbështetur nga koalicioni “Aleanca për Qytetarin”, në bashkinë e Korçës, Andrea Mano, shprehet gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “55” se është i zotuar të shpëtojë urbanizimin e egër dhe shkatërrues që pushteti vendor po instrumentalizon aktualisht në kryeqendrën e juglindjes. Sipas kandidatit demokrat, Andrea Mano, sot, e ardhmja e Korçës është në pikëpyetje të madhe- infrastruktura rrugore lë për të dëshiruar, kujdesi social inekzistent, mungesa e gjelbërimit dhe këndeve të lojërave, taksa të larta për bizneset si dhe papunësi të theksuar. Andrea Mano me sloganin e tij “Një Korçë për të gjithë”, parashikon t’i japë zgjidhje përfundimtare këtij ngërçi strukturor siç e quan ai, duke ruajtur dhe mbrojtur vlerat historike dhe kulturore të Korçës fisnike, e cila gjatë viteve të fundit ka humbur shkëlqimin dhe entuziazmin e qytetarëve. Strehimi, është një tjetër specifikë e z.Mano, i cili premton se kjo do të zgjidhet me ndërtimin nga bashkia e Korçës, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, të rreth 500 apartamenteve për shtresat në nevojë. Kandidati i Partisë Demokratike dhe koalicionit të madh “Aleanca për Qytetarin”, premton një bashki transparente dhe të ndjeshme për komunitetin. Sipas tij, qytetarët do jenë bashkë-vendimmarrësit për ndërtimin e një modeli qeverisje, i cili do të jetë shembulli i demokracisë lokale në vend, një qytet për dhe me të gjithë
Z.Mano, jeni shpallur kandidat i Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin” në një prej bashkive më të rëndësishme në vend, siç është ajo e Korçës. Si do ta përshkruanit gjendjen aktuale të qytetit juglindor?
Qyteti i Korçës është momentalisht në një ngërç të madh pasi po humb trenin e zhvillimit. Është qyteti që ka patur më pak rritje demografike dhe më pak zhvillim se të gjithë qytetet e mëdha të vendit. Nga një anë kjo ka mundësuar edhe ruajtjen e qytetit nga urbanizimi i egër, gjë që u tentua të bëhej me planin e qendrës. Qyteti ka probleme të forta sociale si punësimi apo integrimi të komuniteteve të margjinalizuara të cilat as janë zgjidhur e as kanë marrë ndonjë përgjigje. Trashëgimia jonë kulturore gjithashtu është në rrezik me qendrën, pazarin që po rrënohet apo rrugicat. Pra është një qytet, e ardhmja e të cilit sot vihet në diskutim.
Në takimet që keni zhvilluar me qytetarët, cilat kanë qenë shqetësimet më serioze të tyre dhe cila është platforma juaj që i jep zgjidhje problematikës disa vjeçare në këtë qytet?
Unë kam vizituar disa nga zonat informale dhe periferike të qytetit të Korçës. Ato kanë specifika të veçanta për sa i përket grupeve shoqërore që jetojnë në to, por edhe të ardhurave e kështu me radhë. Problemet e përbashkëta që kanë këto zona janë legalizimi, infrastruktura, kanalizimet apo sistemimi i rrugëve. Problemet e tjera kanë të bëjnë me integrimin shoqëror, përjashtimin apo edhe rendin publik e të tjera si këto. Çdo zonë ka specifikat e veta pra, kështu që, dhe ndërhyrjet do të respektojnë pak a shumë këto dallime. Si fillim do ndërhyjmë në të për të rindërtuar apo ndërtuar infrastrukturën e territorit me të gjitha ato që nevojiten për një zonë në modernizim e sipër, pra ndërhyrje me karakter strukturor të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës.
Mungesa e hapësirave të gjelbra, këndeve të lojërave si dhe ndotja e qytetit, është një kosto të cilën e paguajnë shtrenjtë qytetarët. Si mendoni t’i jepni zgjidhje ngërçit të institucionit të bashkisë në realizimin e shërbimeve drejt qytetarit?
Korça tradicionalisht ruan një marrëdhënie të mirë me gjelbërimin. Aktualisht ajo ka disa parqe dhe lulishte në qendër të qytetit të cilat padyshim duhen ruajtur nga çdo lloj ndërhyrje. Njëkohësisht ato duhen shtuar në zonat periferike ku ato mungojë apo duhen parashikuar në planin urbanistik të qytetit. Politika dhe zgjidhjet e mia mbi gjelbërimin do të shtrihen në dy drejtime: 1- Në raport me hapësirat e brendshme të blloqeve të banimit të cilat do të ri-konstruktohen me parashikimin e lulishteve dhe këndeve të lojërave për fëmijë, 2-Rikthimin e kurorës së gjelbër të qytetit nëpërmjet ndërtimit të një rrugice panoramike dhe piste për biçikleta në aksin Kampi-Shënthanas, aty ku edhe ndodhen varrezat e dëshmorëve të cilat do të restaurohen dhe ri-kualifikohen. Një tjetër ndërhyrje e madhe do të bëhet në fushën e plehrave e cila do të mbyllet, bonifikohet dhe kthehet në një hapësirë të gjelbër.
Ju keni akuzuar drejtpërdrejt kryetarin në detyrë të bashkisë, Niko Peleshi, se ka në projekt shkatërrimin e vlerave historike dhe kulturore e këtij qyteti. Ku e bazoni këtë fakt?
Një nga pikat e reja të planit urbanistik në Korçë ishte pikërisht ideja për të ndërtuar një pallat përpara sheshit ku ndodhet Banka, Teatri dhe ish-Hoteli i Madh i qytetit. Nga kjo pikëpamje nuk do të flisja për plan urbanistik, por për një atentat të pastër ndaj një qyteti i cili deri vonë ka qenë një shembull urbanizimi për të gjithë qytetet e Shqipërisë. Korça ka patur në të kaluarën plane urbanistike dhe çdo studentet sado i ri arkitekture dallon kur vjen në qytet se kemi të bëjmë me një hapësirë urbane harmonike sidomos në qendër. Plani urbanistik ashtu siç propozohet nuk do të pranohet kurrë sepse nuk e respekton në asnjë mënyrë qytetin. Bllokimi nuk është vetëm një akt politik ndaj atij që e propozoi, por është një akt kuraje qytetare për të ruajtur vlerat dhe të ardhmen e qytetit.
Infrastruktura rrugore e qytetit të Korçës lë për të dëshiruar. Cilat janë projektet tuaja në këtë drejtim, aq më tepër kur asfaltimin e çdo rruge të qytetit dhe fshatit, kryeministri e ka shndërruar në thelbin e programit të qeverisë?
Asfaltimi i të gjitha rrugëve të qytetit me ndriçimin përkatës. Ky është një projekt sa madhor aq edhe një shenjë e vullnetit të mirë të programit tonë për të mos lënë pas dore shumë nga zonat periferike. Do të trefishohet ndriçimi si për të rivlerësuar shumë nga zonat periferike si për të shtuar nivelin e sigurisë në hapësirat urbane. Si fillim këto ndryshime do të prekin një pjesë të zonave më problematike e më pas do të shtrihen në të gjithë qytetin.
Po ashtu, një tjetër problem social është edhe strehimi. Si mendoni t’i plotësoni e kësaj shtrese?
Problemi i strehimit do të ketë zgjidhjen e vetme atë të investimit dhe ndërtimit nga ana e bashkisë në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë të rreth 500 apartamenteve për shtresat në nevojë. Kjo nuk është natyrisht një zgjidhje përfundimtare por do të jetë mënyrë e parë për ti dhënë një përgjigje shtresave në nevojë. Ne kërkojmë gjithashtu të përfshijmë në jetën e qytetit të gjitha shtresat e margjinalizuara të cilat përballen nga hera me problemin e integrimit duke e nisur nga dy iniciativa të rëndësishme siç janë arsimimi dhe strehimi. Këto janë disa ndërhyrje kryesore për të përmirësuar jetën e komunitetit ku ne jetojmë. Ne synojmë në këtë aspekt jo vetëm të ndërtojmë apartamente sociale, por edhe të krijojmë atë që ne e cilësojmë si Korça policentrik. Pra ndërtime me karakter social të sistemuar. Ne nuk synojmë akoma me margjinalizim, por synojmë që ky qytet të jetë një Korçë për të gjithë.
A parashikoni reduktim të taksave ndaj biznesit?
Parashikojmë një ulje prej 30 % të taksave por mbi të gjitha shpresoj shumë në zgjerimin e bazës së subjekteve që paguajnë pasi synoj një transparencë të plotë në raport me aktivitetet ekonomike në qytet.
Çfarë politikash do ndiqni për punësimin?
Jo pak ndikim do të kenë edhe punët publike që ne do të fillojmë në Korçë. Ato jo vetëm do t’i japin mundësi biznesit korçar të përfitojë, por edhe do të stimulojnë një sërë zejesh tashmë të harruara. Restaurimi i pazarit apo i fasadave do të bëhet duke përdorur elementë tradicionalë dhe materiale të zonës gjë që do të stimulojë edhe ri-zgjimin e artizanatit. Ne kemi si projekt hapjen e një zyre konsulence biznesi në bashki e cila do të asistojë disa kategori të veçanta si të rinjtë apo të rikthyerit nga emigracioni që duan të investojnë ose kanë ide të mira. Kjo strukturë do të jetë një urë reale lidhëse mes biznesit dhe institucioneve duke lehtësuar komunikimin, zhvillimin e përbashkët dhe investimet për të ardhmen. Konsulencat dhe avokatitë do të jenë pa pagesë dhe të ofruara nga një staf i kualifikuar dhe me eksperiencë.
Z.Mano, ka patur akuza nga anëtarë të Këshillit Bashkiak se Bashkia nuk është transparente në shpenzimin e të ardhurave si dhe ka pretendime për fshehje të fondeve, për qëllime të mirëfillta politike. Sa e hapur do të jetë për qytetarët dhe taksapaguesit Bashkia e Korçës?
Ne e kemi bërë të qartë me përpjekjet tona që synojmë transparencën. Vetë slogani me të cilin identifikohet fushata ime “Një Korçë për të gjithë” synon pikërisht evidentimin e problematikave dhe raportit që ka bashkia me qytetarët. Përsa i përket fondeve publike kemi si synim publikimin e vazhdueshmërisë së punimeve në faqen internetit të bashkisë apo edhe nëpermjet shtypit qytetas apo broshurës informative mbi qytetin që do t’ju shpërndahet qytetarëve.
Në një takim të zhvilluar me të rinj dhe studentë të qytetit të Korçës, u vërejt një entuziazëm i tyre si shprehje vlerësimi ndaj programit dhe platformës tuaj. Çfarë politikash parashikoni për rininë dhe studentët korçarë?
Ne do të krijojmë një agjenci punësimi dhe formimi profesional e cila do të ketë si qëllim shqyrtimin e tregut të punës në raport me nevojat e tij dhe resurset që ofron tregu. Kjo Agjenci do të ofrojë jo vetëm formim por edhe informacion për të gjitha nevojat e mundshme që ka tregu i punë Që në muajt e parë të mandatit, bashkia do të krijojë një zyrë të mirëfilltë konsulence pranë saj, e cila do të ketë rol të rëndësishëm për bizneset dhe investuesit e ndryshëm. Kjo zyrë do të jetë urë lidhëse midis biznesit dhe terrenit institucional të Korçës, duke lehtësuar komunikimin, zhvillimin e përbashkët dhe investimet për të ardhmen. Në kuadër të incentivimit dhe mbështetjes së zhvillimit të biznesit dhe territorit, Bashkia do të akordojë një grant konsistent për financimin e 100 projekteve të ndryshme që synojnë rritjen ekonomike dhe punësimin në qytetin e Korçës të cilat do të jenë kryesisht për të rinjtë.
Cili është mesazhi që i drejtoni qytetarisë korçare, në mënyrë që ata në 8 maj të votojnë këtë larmi alternativash dhe projektesh vizionare?
Korçarët duhet të votojnë Andrea Manon për arsyen e thjeshtë se kam në plan një Korçë për të gjithë, në Korçë të zhvillimit,të traditës dhe moderne. Unë jam shprehje e këtij qyteti,e kulturës dhe e qytetarisë së tij. Unë e kërkoj votën jo për të qeverisur i vetëm Korçën, por për ta bashkë-qeverisur bashkë me banorët e qytetit tim. Dua dhe do të luftoj për një model qeverisje i cili të jetë shembulli i demokracisë lokale në vend, një qytet për dhe me të gjithë.
“Një Korçë për të gjithë”
11 ide për gjallërimin/zhvillim
* Zona industriale
* Lehtësimi i barrës së taksave mbi biznesin e vogël
* Agjenci formimi profesional dhe punësimi
* Zyrë permanente për konsulencën e bizneseve
* Plani i 100 projekteve/plan-bizneseve
* Investimet në turizëm
* Ndërtimi i banesave dhe mensës për të pastrehët
* Ndërtimi i një azili
* Integrimi institucional i shtresave të margjinalizuara
* Prioritet punësimi në punët publike për qytetarët e Korçës
* Bursa studimi për studentët ekselencë.
11 ide për ruajtjen e traditës
•Guida e Korçës
•Rikonstruksioni i shtëpive tradicionale dhe i fasadave
•Pazari i vjetër i qytetit në UNESCO
•Ndërtimi i galerisë së artit
•Muzeu i ri
•Rikostruksioni i Varrezave të Dëshmorëve dhe rrugës drejt tyre
•Promovimi i aktiviteteve
•Java e kampionateve
•Ndërtimi i rrugës pedonale Kampi-Shenthanas
•Ndërtimi i muzeumit ikonografik.
•Rikonstruksioni i bibliotekës/shtimi i titujve të librave
11 ide për modernizimin
* Plani rregullues
* Riasfaltimi i të gjitha rrugëve
* Pastrim-kanalizim-gjelbërim-ndriçim
* Investime dhe modernizim në arsim
* Rikonstruksioni i plotë i lagjes 4
* Parqe në vend të fushës së plehrave
* Rikonstruksioni i teatrit
•Ndërtimi i 4 qendrave të reja shëndetësore
•Investime në infrastrukturën sportive
•Përmirësimi i sistemit të transportit
•Rikonstruksioni i shesheve të lagjeve 6, 7, 18