Berati, me një treg industrial të parametrave bashkëkohorë
Shumë shpejt qyteti i Beratit do të ketë një treg të ri industrial. Lajmin e kanë bërë të ditur sot për gazetën burime nga bashkia e qytetit. Sipas këtyre burimeve, për ndërtimin e këtij tregu gjigand janë dhënë rreth 76 milion lekë të vjetra, nga të cilat 70 % nga Banka Botërore dhe 30 % ose saktësisht 22730 mijë lekë të vjetra nga buxheti i bashkisë së Beratit. Po këto burime, shpjeguan për gazetën, se vendimi i Këshillit bashkiak për ndërtimin e këtij
tregu industrial është miratuar nga Këshilli bashkiak vitin e kaluar dhe mbanë Nr. 33 dhe datën 9 korrik të një viti më parë. Bashkia e qytetit ka miratuar projektin dhe sheshin e ndërtimit, një sipërfaqe totale prej 7000 m2, që ndodhet në periferi të lagjes 30 Vjetori. Brenda këtij trualli do të ngrihet tregu gjigand industrial, i cili do të zëvendësojë të ashtuquajturin treg i tezgave që aktualisht funksionon nga rruga e Gjykatës deri tek zyrat e Degës së sigurimeve shoqërore. Godina një katëshe e këtij tregu do të zënë rreth 4316 m2 dhe brenda saj do të ketë ndarje me godina të përmasave të vogla ku do të strehohen e punojnë mbi 150 tregtarë privatë industrialë si dhe 350 tregtarë industrialë ambulantë. Fondet tashmë janë lëvruar dhe tenderi për përzgjedhjen e firmës ndërtuese pritet të zhvillohet, ndërkohë që punimet do të përfundojnë në mbyllje të vitit 2010. Sipas projektit të miratuar, krahas godinave tregtare, tregu në fjalë do të ketë edhe aksesorë të tjerë të stilit modern, si zyra administrative, sistem ndriçimi dekorativ, lokale dhe ambiente shërbimi e parkime.