QSUT-ja: Gati uniformat e reja, stop veshjet sexy para pacientëve
Drejtoria e QSUT-së pohon se po ideohen format sipas kategorive të personelit. Do të zbatohet nga të gjithë
Bluza të bardha, të mbërthyera deri në grykë dhe të stileve të ndryshme sipas pozicionit. Kështu dekolterat dhe fundet e shkurtra, nuk do t’u ekspozohen më pacientëve nga mjeket dhe infermieret, si në një paradë mode, por këto të fundit, do ta respektojnë uniformën e re papërjashtim.Pikërisht për këtë fenomen, Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pohon për gazetën se po realizohet projekti për uniformat e reja të personelit. Nga ky rregull, nuk do të kenë përjashtim as studentët e Fakultetit të Mjekesisë, të cilët, deri më sot, nuk kanë qenë aspak korrektë, me mënyrën e të veshurit, gjatë praktikave para pacientëve. Ndërkohë, shefat e shërbimit, por edhe kryeinfermirët me ekpseriencë, kanë shprehur pakënaqësi në lidhje me mënyrën sesi vishen brezat e ri të pesonelit shëndetësor. Në disa prononcime, pak kohë më parë për gazetën, profesorët kanë theksuar se shumë nga personeli nuk e zbaton etikën në të veshur, duke e kthyer misionin e tyre në tundime ndaj pacientëve.
Uniformat
Mjeket dhe infermieret do të kenë uniforma sipas pozicionit dhe shërbimeve ku punojnë. Madje, të gjithë pacientët, do të kenë mundësi të identifiojnë pozicionin e personelit, pikërisht nga uniformat që kanë. “Do të varen në mur të gjitha modelet e uniformave dhe personelit dhe, pacientët, do të kenë mundësinë të identifikojnë pozicionin e personelit, pikërisht në bazë të këtyre uniformave”, - pohojnë burime zyrtare të drejtorisë së QSUT-së, duke shtuar se, këto uniforma, do të zbatohen nga të gjithë, në mënyrë të përpiktë. Kjo është mënyra, sipas tyre, për të vendosur edhe rregull, pasi shpesh, bluzat e bardha, jo vetëm që nuk e kanë respektuar uniformën, por shpesh kanë abuzuar, duke u ofruar pacientëve veshje aspak të përshtatshme për një punë humane siç është ajo e mjekut.
Personeli
Personeli i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, nuk e mban mend se kur ka marrë bluzë të bardhë, për punën që bën. Kështu, lajmi se do të marrin uniforma të reja, u duket disi i papesueshëm dhe, aq më tepër cilësore dhe të ideuara sipas pozicioneve. “Bluzën e bradhë e kam qepur vetë në rrobaqepësi, se ka më shumë se dy vjet që nuk kam marrë bluzë të bardhë. Mendojeni vetëm se çfarë do të thotë të marrësh një bluzë të bardhë në 2 vjet”, - pohojnë infermieret e QSUT-së. Sipas tyrem deri më sotm nuk ka patur ndonjë rregullore strikte për mënyrën e të veshuritm por nëse me ardhjen uniformave të reja kjo do t’u kërkohet nga drejtoria, do të detyrohen ta zbatojnë atë.
Profesorët dhe infermieret me eksperiencë, kritikojnë mënyrën e të veshurit tek infermieret dhe mjeket
Shefat e QSUT-së: Tmerr kur shikon personelin me taka dhe me bark jashtë
Paradë mode në të gjitha ambientet e spitalit sa, pre e këtyre shfaqjeve, nuk bien vetëm mjeket meshkuj, por edhe pacientët. Të gjitha me një qëllim; që të duken sa më bukur, madje sexy, në sy të gjithëve, duke e shndërruar këtë fenomen në një garë se, cila arrin të ketë performancë më të suksesshme në këtë drejtim. Këtë mund ta vënë re të gjithë, nëse kalojnë nga spitalet, por për këtë fenomen, aspak pozitiv, flasin edhe profesorë me emër, të cilët, jo vetëm që nuk e miratojnë shkeljen e kësaj etike, por shprehen shumë ashpër për këdo që e shkel atë. Kështu, profesorë me emër, para pak kohësh, kanë dhënë opinionet e tyre, aspak pozitive për një pjesë të personelit në spitalin e QSUT-së, duke ushprehur se ata përdhosin misionin emjekut, me mënyrën ekstravagante që vishen.“Është e tmerrshme në fakt kur i sheh, jo vetem në majë të takave, por edhe me bark jashtë. Ka një etikë shumë të fortë në spital. Kjo nuk zbatohet, pasi vetë ata që drejtojnë, nuk e kanë këtë etikë”, - thekson shefi i shërbimit të Neurokirurgjisë, Mentor Petrela, duke shtuar se, etika në të veshur, tregon respekt, jo vetëm ndaj profesionit të bluzave të bardha, por edhe ndaj pacientit. Tepër e ashpër për këtë fenomen, shprehet edhe kryeinfermierja e Qendrës së Konsultave, Gjenovefa Nurka, e cila thekson se, shthurja në etikën e të veshurit, vihet re sidomos tek brezat e rinj që po dalin. “Është skandaloze tek shikon infermiere, por edhe mjeke, të cilat shkelin çdo rregull në të veshur. Nuk është aspak normale që të rrinë me gjysmën e gjoksit zbuluar, me minifunde dhe në majë të takave, sikur do të kalojnë në pasarela e jo se do të vrapojnë në shërbim të pacientëve”, - pohon Gjenovefa Nurka. Ndërkohë, edhe shefi i shërbimit të Endokrinologjisë, Feçor Agaçi, i cili ka kaluar breza të tërë studentësh, tregohet tepër i ashpër me personelin që nuk tregon kujdes ndaj të veshurit. “Mendoj se ne që jemi në shëndetësi, e kemi për detyrë të jemi seriozë me veshjet tona sepse nuk reflekton aspak mirë tek të sëmurët. Ky respekt duhet të fillojë nga vetë ne dhe të kuptojmë se shkelja e kësaj etike, nuk i shërben askujt”, - pohon Feçor Agaçi.Shefi i Neurokirugjisë prof. Mentor Petrela
Etika e të veshurit shkelet në mënyrë të tmerrshme
Është e tmerrshme në fakt kur i sheh, jo vetem në majë të takave mjeket dhe infermieret, por edhe me bark jashtë. Ka një etikë shumë të fortë në spital. Kjo nuk zbatohet pasi, vetë ata që drejtojnë, nuk e kanë atë etikë. Kuptohet që, personeli shëndetësor, duhet të jetë i veshur sa më praktik dhe mbi të gjitha i rregullt. Detyra e bluzave të bardha, është që t’i shërbejë pacientit në çdo moment dhe me korrektësi dhe, një veshje aspak normale dhe mbi të gjitha aspak komode, nuk mund ta ofrojë këtë shërbim ndaj pacientëve.
Kryeinfermierja e Konsultave, Gjenovefa Nurka
Shkeja e etikës për të tunduar pacienët, e jo për t’i ndihmuar
E vërteta është se spitali është kthyer në pasarelë mode për shumë mjeke, infermiere dhe studente që vijnë të bëjnë praktikat. Kjo nuk është aspak etike, pasi misioni i bluzave të bardha, është t’u shërbejë pacientëve dhe jo t’i tundojë ata me veshje nga më skandalozet, që mundohen të “fshihen” me bluzat e tyre që i mbajnë gjithnjë të hapuara, pikërisht për të treguar sa më mirë ato çka veshin. Mendoj se ky fenomon, vihet re sidomos tek brezat e rinj që po dalin vitet e fundit, pasi brezi ynë është mësuar që në kohën kur njiheshin rregullat dhe detyrë ishte t’i zbatonim ato. Tashmë është skandaloze tek shikon infermiere, por edhe mjeke, të cilat shkelin çdo rregull në të veshur. Nuk është aspak normale që të rrinë me gjysmën e gjoksit zbuluar, me minifunde dhe në majë të takave, sikur do të kalojnë në pasarela, e jo se do të vrapojnë në shërbim të pacientëve. Nuk mund të ofrojë shërbim korrekt një mjeke, apo infermiere, që i varen flokët e gjata mbi fytyrë dhe kurriz, apo me thonjtë e gjatë dhe të lyer manipulojnë mbi plagët e pacientëve. Mendoj se në këtë mes kanë faj edhe shefat e shërbimit, që tolerojnë veshje të tilla. Nuk i dihet, ndoshta u pëlqejnë edhe shefave të shërbimeve veshje të tilla ndjellëse dhe tunduese, përderisa i tolerojnë. Etika në të veshur, duhet të zbatohet nga të gjithë. Këtu fillon edhe rregulli dhe përkushtimi ndaj pacientëve.
Shefi i shërbimti të Endokrinologjisë, Feçor Agaçi
Etika në të veshur është normë morale, që duhet zbatuar
Në korrik, isha në SHBA me bashkëshorten time dhe, asaj i bëri përshtypje se gratë dhe vajzat, ishin të veshura shumë thejsht, jo si këtu që e kanë lëshuar veten me ca modëra me taka të larta dhe fustane të hapura, e ku ta di unë. Fatkeqësia më e madhe është kur kjo etikë nuk zbatohet, sidomos në punë. Nuk është se ka rregullore të shkruajtur, por janë norma morale që çdokush duhet t’i respektojë. Nuk na ka ardhur ndonjë urdhër nga eprorët tanë që të mos pranojmë në punë ato infermiere, apo mjeke që vishen në mënyrë ekstravagante. Unë mendoj se, ne që jemi në shëndetësi, e kemi për detyrë të jemi seriozë me veshjet tona, sepse nuk reflekton mirë tek të sëmurët.