Berberi: Burreli ka traditë, por objektivi ynë dihet
Mbrojtësi i kuksianëve, Besmir Berberi, mendon se transferta e kësaj jave është e vestirë dhe se fusha e lojës do ta tregojë më të mirin
Besmir Berberi, një nga titullarët e Kukësit, kujton me nostalgji vitet kur luante në stadiumin Liri Ballabani, në kohën kur matjanët synonin të ngjiteshin në superligë. Ai do të kthehet si ish në Burrel, por kur pyetet për fituesin e kësaj sfide ai tregon maturi dhe profesionalizëm, duke thënë: Le tia lëmë fushës, edhe pse objektivi i Kukësit për çdo ndeshje dihet.
Ne synojmë që të dalim në superligë dhe nuk na falen hapat false ndaj çdo skuadre. Jemi përgatitur gjatë kësaj periudhe të shpalosim vlerat tona më të mira në Burrel. Do të jetë një transfertë e vështirë, pasi kundërshtari ka bërë edhe përforcime, por jo e pakapërcyeshme. Burreli luan futboll të bukur, madje është nga skuadrat që ka më shumë traditë në kategorinë e parë.
Matjanët e dashurojnë futbollin, unë e njoh ambientin, pasi kam kaluar dy sezone shumë të mira në Burrel. Rikthehem si ish dhe kërkoj që matjanët të na presin siç e ka traditë qyteti. Në Kukës ata u ndjenë si në shtëpinë e tyre, shpresoj që edhe të shtunën të jetë një ndeshje e fair-play për të kënaqur edhe tifozët, – theksoi fillimisht mbrojtësi i djathtë i kuksianëve, Berberi.
Rivaliteti Kukësi renditet i dyti dhe ka bërë edhe një merkato cilësore, duke afruar 4 futbollistë me përvojë, që e kanë shtuar konkurrencën. I pyetur për rivalitetin në garën për superiore, Berberi përgjigjet: Faza e dytë sapo ka filluar dhe është shumë shpejt që të bëjmë llogari, duke pasur parasysh faktin që ekipet që pretendojnë janë shumë afër njëra-tjetrës. Pastaj, mua më interesojnë vetëm llogaritë e skuadrës sime.
Shpresoj që të kalojmë me sukses sfidën e Burrelit, pastaj të mendojmë për të tjerat. Unë di të them me bindje vetëm kaq, që Kukësi në fund të sezonit do të jetë mes dy skuadrave të para që do të sigurojnë një biletë për tu ngjitur direkt në superligë, që është edhe një ëndërr e tifozëve kuksianë, – tha në fund të fjalës së tij mbrojtësi i dalluar i kuksianëve, Besmir Berberi.
Ndërkohë, mesfushori Jozef Thana ka pësuar një dëmtim, por pritet të jetë i gatshëm për sfidën me Burrelin.
