E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gava: Jemi Elbasani, duhet të fitojmë në çdo fushë

Nga Elton Karaj

Mesfushori verdheblu, Orgest Gava, thekson se skuadra e tij ka ndryshuar edhe është në gjendje të arrijë minimalisht play-off-in

Po afron derbi me Gramshin, që është edhe transferta e parë e fazës së dytë për verdheblutë. Është kjo ndeshja prova që do të tregojë ndryshimin e verdhebluve, atë ndryshim për të cilin shpresojnë të gjithë. Stafi teknik ka vazhduar punën me grupin për këtë 90-minutësh delikat, ndërkohë që të gjithë e kanë të qartë detyrën: të kapin trenin e fundit për në 5-shen e parë. Elbasani, që ka bërë edhe disa lëvizje në merkaton e dimrit, kërkon të zërë të paktën një vend në play-off, për të shpresuar më pas për kthimin në superligë.

Gava Të gjithë lojtarët janë përgatitur mjaft mirë gjatë kësaj kohe dhe besojnë se në Gramsh do të marrin 3-pikëshin e parë jashtë fushe. Mesfushori Orgest Gava, i cili vendosi të qëndrojë tek Elbasani në merkaton e dimrit, thekson se tashmë ka ardhur ora e së vërtetës. Titullari verdheblu e sheh me optimizëm të madh derbin dhe thotë se Elbasani do ta dominojë ndeshjen.

Ndaj Gramshit do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne jemi Elbasani dhe do të shkojmë atje vetëm për fitore. Në këtë ndeshje do të bindim me lojë dhe rezultat. Do të marrim 3 pikët e para jashtë fushe dhe mendoj se pastaj nuk do të ndalemi më. Jemi ende në kohë për të rikuperuar pikët e lëna fazën e parë dhe jam i bindur se skuadra do të dijë të reagojë.

Ka ardhur momenti që Elbasani të shfaqet plotësisht si një skuadër me përvojë dhe pretendente e denjë për kthimin në superligë, është shprehur Gava për Sportin shqiptar. Ai është një nga lojtarët më të rëndësishëm në ekip, prandaj dhe drejtuesit nuk e lejuan të largohej. Mesfushori pohon se Elbasani është në gjendje të fitojë në çdo stadium gjatë fazës së dytë.

E thashë edhe më lart se jemi Elbasani, një skuadër me autoritet, që duhet të fitojë në çdo fushë. Jam i bindur se do të paraqitemi ashtu siç presin tifozët tanë. Do të jemi padyshim pretendentë seriozë për tu ngjitur në superligë. Faza e dytë do të jetë një sukses për ne si skuadër, sepse edhe kalendari na favorizon së tepërmi. Do të mundohemi ti shfrytëzojmë të gjitha mundësitë tona për të siguruar play-off-in dhe më pas kthimin në elitë, ka përfunduar mesfushori Orgest Gava.
Mateos Toçi grumbullohet me kombëtaren U-21

Mesfushori i talentuar elbasanas, Mateos Toçi, është thirrur nga trajneri i kombëtares U-21, Skënder Gega. Është një arritje për këtë futbollist të ri të talentuar. Ai pëlqehet nga trajneri Gega, i cili e njeh mirë, pasi e ka pasur edhe me kombëtaren U-19, ku duket se elbasanasi ka lënë mbresa. Toçi është aktivizuar në pjesën më të madhe të ndeshjeve gjatë fazës së parë me Elbasanin, duke i bindur të gjithë për talentin e tij. Ai është një nga elementët më premtues të verdhebluve.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›