Tërbuni i pamposhtur në miqësore, mund edhe Olimpikun
Tërbuni ka zhvilluar dje pasdite një miqësore me Olimpikun, një rival në luftën për kategorinë e parë në grupin e vet. Pukjanët nuk janë ndalur edhe dje, duke fituar me rezultatin 3-2. Golat për ekipin e Stojkut, janë shënuar nga Agastra, Pepa me penallti dhe Bardhi.
Trajneri Stojku ka aktivizuar fillimisht lojtarët më të mirë që ka pasur në dispozicion, ndërsa në pjesën e dytë u ka dhënë hapësira edhe lojtarëve të stolit dhe atyre që janë në provë. Duke qenë se kanë edhe disa ditë në dispozicion, deri në prag të përballjes së parë që do të luajnë në transfertë me skuadrën e Veleçikut, pukjanët do të zhvillojnë edhe ndonjë ndeshje tjetër miqësore.
Gjithsesi, merkatoja e Tërbunit ende nuk është mbyllur dhe presidenti Petrit Syla vazhdon bisedimet me dy lojtarë cilësorë që kanë luajtur në kategorinë e parë në fazën e parë të sezonit. Jam i kënaqur me paraqitjen që ka bërë deri më tani skuadra ime edhe pse duhet të përmirësohemi akoma deri në fillim të fazës së dytë.
Tërbuni është ndërtuar pothuajse 90% dhe unë jam i bindur se në fazën e dytë nuk do të kemi rival që do të na thyejë. Jam në bisedime edhe me dy futbollistë, sepse merkatoja është e hapuar, – tha pas miqësores së djeshme presidenti Syla, i cili dje ka parë nga afër skuadrën e tij.
