M.Toçi: Jemi Elbasani, luajmë ndershëm deri në fund
Mesfushori verdheblu, Mateos Toçi, pohon se të rinjtë duhet të shfrytëzojnë këtë moment për tu afirmuar me skuadrën e tyre
Elbasani, pas disa javësh zhgënjyese, që e kanë nxjerrë nga objektivi, kërkon të bëjë kthesën në transfertën e vështirë të Mamurrasit. Të gjithë në kampin verdheblu e kanë të qartë se do të jetë një sfidë shumë e vështirë, pasi kundërshtari lufton për mbijetesë, por stafi teknik dhe lojtarët shprehen se do të japin maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv.
Mateos Toçi Mesfushori i ri elbasanas, Mateos Toçi, shprehet se skuadra e tij i ka të gjitha mundësitë për të marrë pikë në Mamurras. Ai thekson se Elbasani, për vetë emrin që ka në futbollin shqiptar, do të përpiqet të bëjë lojëra të bukura dhe të mos tolerojë askënd. Kemi përpara një ndeshje mjaft të vështirë në fushën e Mamurrasit. Do të shkojmë atje me mendimin për luajtur futboll me nivel dhe jo për formalitet.
Kemi mundësi të marrim një rezultat pozitiv në këtë ndeshje dhe kam shumë besim se do të kthehemi me pikë. Jemi Elbasani dhe do të luajmë ndershëm deri në fund, pavarësisht se jemi jashtë objektivit, thekson futbollisti verdheblu.
Të rinjtë Toçi flet më tej edhe për objektivin personal: Elbasani ka si synim vetëm lojën e mirë e të ndershme, si dhe afirmimin e lojtarëve të rinj, të cilëve stafi teknik po u jep shansin ta tregojnë veten në ndeshjet që kanë mbetur nga ky kampionat.
Për të rinjtë e Elbasanit po tregohet kujdes mjaft i veçantë dhe gjej rastin ta falënderoj stafin teknik për këtë gjë. Afirmimi i lojtarëve të rinj është diçka pozitive për të ardhmen e skuadrës dhe të gjithë të rinjtë duhet të mos e humbasin këtë shans, – ka përfunduar mesfushori Mateos Toçi.
