E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berberi i Seviljes, turne në Francë

Shfaqja Pjesa u vendos tri vjet më parë në TK, nga regjisori Erik Vinje

Tri vite pas realizimit në skenën e Teatrit Kombëtar, shfaqja “Berberi i Seviljes” do të realizojë një turne në Francë. Sot, në një konferencë për shtyp, trupa e aktorëve do të bëjë të ditura detajet. Prej datës 19 prill, shfaqja, e vënë në skenë nga regjisori francez Erik Vinje, në sezonin teatror të 2007-ës, do të shfaqet për publikun francez deri në fund të muajit prill. Pjesa u interpretua nga aktorët Luiza Xhuvani, Roland Trebicka, Helidon Fino, Neritan Liçaj, Fadil Kujovska dhe Marko Bitraku. Regjisori Vinje u mundua që në historinë e njohur të fusë edhe elementë shqiptarë, siç ishin veshjet me fustanella. Regjisori iu largua në vënien e tij skemës klasike të kësaj vepre të shkruar para Revolucionit Francez në vitin 1773. Erik Vinje e konceptoi si një ndeshje mes së bardhës dhe së zezës, e dukshme në kostumet, personazhet, dritëhijet, si dhe në skenografinë e realizuar prej tij. “Kjo komedi vjen si një teatër muzikal. Ajo shkon përtej teatrit klasik, duke përfshirë lëvizjet, muzikën, dritën dhe hijet, dhe e gjitha kjo ka qenë një frymëzim për mua”, pati thënë tri vjet më parë regjisori francez. “Berberi i Seviljes” provoi të shfaqej edhe në skenën e Butrintit, në kuadrin e festivalit të përvitshëm teatror e po ashtu është shfaqur në festivalin “KosovaInfest”.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›