Borsh, zaptohen tokat, priten drunjtë shekullorë
Banorët e Borshit janë inatosur pa fund me të gjitha padrejtësitë që po i bëhen, si dhe për veshin e shurdhët që po bëjnë strukturat përkatëse karshi dëmtimit të kësaj zone. “Shoqata Pronarët e Borshit për Zhvillim” kanë listuar dje gjithë problematikat që ka sot ky fshat, duke denoncuar shkeljet dhe dëmtimet që po pëson zona, nga uzurpimi i truallit, te prishja e mjedisit e deri te ndërtimet e paligjshme. Anëtarët e kësaj shoqate kanë kërkuar ndihmë jo vetëm nga strukturat shtetërore vendase, por njëkohësisht edhe nga strukturat diplomatike të akredituara në Shqipëri. Anëtarët e shoqatës brenda dhe jashtë atdheut janë të shqetësuar se çfarë po ndodh në fshat.
Përzierja pa kriter të popullsisë ka bërë që shumë të ardhur nga të gjitha zonat e vendit, duke mos njohur traditën dhe kulturën e kësaj treve, me vlera të lashta historike dhe me kontribute të evidentuara edhe në mënyrë të dokumentuar, këta persona po sillen në mënyrë barbare me natyrën. Sipas shoqatës po presin ullinjtë shekullorë, po dëmtojnë bimësinë e egër dhe të kultivuar nga dora e njeriut siç janë agrumet. “Po dëmtohet prej tyre fondi i tokës dhe si në një ‘mall pa zot’ dhe si në një ‘shtet pa ligje’, këta persona të papërgjegjshëm, madje shumë prej tyre me nivelin e mjaftueshëm kulturor dhe civil, si dhe me poste zyrtare, po ju rrëmbejnë pronat borshiotëve, duke ndërtuar në mënyrë të paligjshme”, thuhet në deklaratën e shoqatës. Sipas njoftimit me mënyra jo të bazuara në ligj, ata kanë arritur të hipotekojnë toka që nuk u takojnë, si dhe të trajtojnë me ‘politikën e faktit të kryer’ ndërtimet e tyre pa leje. Nga vlerësimi i shoqatës, një masakër e tillë nuk lejon që në këtë zonë të ndërtohet një turizëm elitar, si dhe është gjykuar nga studime profesionale të organeve kompetente brenda vendit, si dhe nga specialistët e Bankës Botërore. “Ne gjithashtu ngremë zërin tonë të protestës civile dhe ligjore ndaj organeve të pushtetit lokal, Kryepleqësisë dhe Komunës, si dhe ndaj institucioneve qendrore. Ato po neglizhojnë detyrimet që burojnë nga ligji, pasi shumë nga bashkëfshatarët tanë që banojnë në Borsh, në mes të ditës po zaptojnë tokat e borshiotëve të tjerë që kanë tituj pronësie dhe dokumentacion të pakontestueshëm arkivor dhe kadastral për ato troje”, sqaron zyrtarisht shoqata.
#