E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berberi i kohës, 38 vjet mes gërshërëve dhe modës që ndryshon

Në një lagje të vjetër të Shkodrës, pas pasqyrave dhe mjeteve të thjeshta, fshihet një histori 38-vjeçare.

Ai është Viljan Troshani, berberi i lagjes me përvojë të gjatë, i cili prej shumë vitesh ruan zanatin e tij me pasion dhe përkushtim. 

“Si berber kam filluar në moshën 14 vjeç, në vitin ’87. Qysh atëherë e deri më sot, këtu. Ndër modelet më të kërkuara të asaj kohe ka qenë ‘kare’, ndërsa të rinjtë kanë pasur modelin ‘bishtpëllumb’,” tregon berberi Troshani.

Viljani thotë se stili i flokëve ka ndryshuar shumë gjatë këtyre viteve.

“Pothuajse deri nga ’97-ta ka qenë i njëjti stil. Atëherë kanë qenë qethjet me gërshërë. Tash kanë dalë qethjet me makina, me rryl si i themi ne, që i heq komplet [flokët], i bëjnë zero, me shkallëzime,” thotë z. Troshani.

Edhe pas shumë viteve, Viljani ka ende klientë besnikë. Madje, edhe ata që janë larguar jashtë vendit, kur kthehen në Shkodër, preferojnë të kalojnë sërish tek ai.

“Kam klientë që i kam prej 30 e ca vitesh, të cilët nuk ndërrojnë dorë. Presin edhe nga një javë. Bile sjellin edhe fëmijët e tyre,” thotë berberi.

38 vite me gërshërë në dorë dhe plot histori në kujtesë.

Ai nuk është thjesht berber, por një dëshmitar i modës, ndryshimeve dhe njerëzve që kthehen gjithmonë te dora e sigurt e berberit të lagjes.

Gazetare: Blerta Cina

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›