Berglund: Fitore, nuk luajmë për barazim 0-0
Sulmuesi Fredrik Berglund është i kënaqur në prag të ndeshjes dhe thekson se sot do të luajnë në sulm që nga minuta e parë të dy sulmuesit suedezë së bashku me të rikthyerin Daniel Nannskog. "Kemi zhvilluar një stërvitje të mirë dhe mendoj se me praninë e Danjelit në fushë jemi më të fortë se sa Tirana. Ne jemi dyshja bombe e sulmit nga Suedia", ka theksuar dje Berglund. Ai mendon se ekipi ka qenë në formë në ndeshjet e fundit dhe ky trend do të vazhdojë edhe në këtë takim. "Do të bëj një ndeshje të mirë. Kjo është dëshira ime, pasi për momentin nuk mund të premtoj asgjë", shton Berglung. Ai ka shënuar 6 gola në dy ndeshjet e fundit në shtëpi, të vlefshme për kampionatin norvegjez dhe sot beson se do të luajnë për fitore. "Nëse do të hyjmë në fushë për të barazuar 0-0, kjo do të ishte shumë e rrezikshme. Ne duhet të mendojmë se rezultati në total është 0-0 dhe të japim maksimumin si në një ndeshje ku na duhen me domosdoshmëri 3 pikët", ka vënë theksin Berglund. Dyshja Berglung dhe Nannskog është me të vërtetë shpërthyese. Dhe këtë e ka treguar edhe në kampionatin norvegjez, ku po demonstrojnë një formë të shkëlqyer.