E Shtunë, 31 Tetor 2026

28 qershori si një ndëshkim për Berishën, Ramën e Metën

Do të jap dorëheqjen nga drejtimi i partisë, nëse nuk fitoj zgjedhjet parlamentare. Kjo ishte një prej deklaratave "në modë", vetëm pak ditë më parë, në atë çka cilësohet fushatë zgjedhore. Kryeministri në detyrë, Sali Berisha, në më shumë se dy herë, përsëriti se është i vendosur të hapë rrugën, edhe pse thellë brenda vetes një pyetje të tillë e cilësonte të pakuptimtë. Një entuziazëm që do ta bënte të betohej para elektoratit dhe gjithë publikut se, fitorja e 28 qershorit do të ishte e njëjtë me atë të marsit të vitit 1992. Një fitore që, në pjesën dërrmuese të rasteve, Berisha e cilësoi "plebishitare". Mbi këtë bazë, ai vazhdonte të ishte mosbesues ndaj sondazheve paraelektoralë që nxirrnin dy kampet kryesore me një diferencë mjaft të vogël. Si për t‘i dhënë ngjyrë atyre çka Berisha i cilëson limonada elektorale, kreu demokrat tha publikisht se nuk do të bënte kurrë koalicion me Edi Ramën dhe se LSI ishte gjysma e mollës së kalbur, e ndarë më dysh.

Nga krahu tjetër, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, pyetjes insistuese nëse do të dorëhiqej apo jo po të humbte zgjedhjet, dhe pse i bënte bisht përgjigjes, ju përgjigj: Pse bishtim është nëse thuhet po?! Unë thashë po! Siguria më të cilën Rama nuk e mendonte të mundshme tezën e humbjes kishte rrënjët te premtimi për një "politikë të re" dhe "Dialogu i tij me Shqipërinë". Rama pranoi të luante të gjitha për gjithçka, tentoi të "paralizonte" me një lëvizje, Sali Berishën, Ilir Metën dhe Fatos Nanon. Nuk mbeti pas dy të mëdhenjve kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. I ndodhur përballë një presioni dypalësh, ai do guxonte të premtonte publikisht se nëse LSI nuk merr 35 deputetë do të rishikonte pozicionin e tij në krye të kësaj partie. Për të mos thënë që objektivi personal i tij ishte zgjedhja në postin e Kryeministrit dhe "minimi" i rrugës së Edi Ramës drejt karriges së parë të ekzekutivit. Na mjaftuan vetëm më pak se 30 ditë për të pasur rastin të analizojmë qëndrueshmërinë e këtyre deklaratave publike, të thëna nga personazhe që mendohet se në punën e tyre nuk e njohin shprehjen "mashtrim publik".

Rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit ishte sa i vështirë për t‘u parashikuar po aq specifik për mesazhin që përmbante. Në një këndvështrim analitik, vota e shqiptarëve të dielën e fundit të qershorit ndëshkoi fuqimisht Sali Berishën, Edi Ramën dhe Ilir Metën. Kryeministri në detyrë, ndryshe nga sa kishte premtuar, nuk arriti të fitojë as numrin më minimal të deputetëve, të nevojshëm për formimin e një qeverie paszgjedhore. Nëse marrim të mirëqenë rezultatin aktual të zgjedhjeve, Partia Demokratike së bashku me Partinë Republikane dhe Partinë për Drejtësi dhe Integrim morën 70 mandate deputetësh. Dështimi i dytë kategorik i Berishës është mosarritja e fitores plebishitare që e premtoi publikisht dhe mbi të cilën ndërtoi edhe premtimet e shumta elektorale. Së treti, Berisha dështoi, sepse kishte premtuar se nuk do të bënte koalicion paszgjedhor me Partinë Socialiste, por as me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Për asnjë moment, Berisha nuk tha se do të fitonte zgjedhjet bashkë me LSI-në e Ilir Metës. Rrjedhimisht, Kryeministri në detyrë, bazuar në verdiktin e sovranit do të duhej të jepte dorëheqjen për t‘i hapur rrugën një tjetër figure në krye të selisë blu.

Më i qartë në mossuksesin e tij është edhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama. Rezultati elektoral, sado i krahasueshëm apo jo me atë të zgjedhjeve të shkuara, nuk garanton një qeverisje. Ndryshe nga sa priste anëtarësia e partisë dhe një pjesë e opinionit publik, Rama nuk solli fitoren e thellë dhe të dukshme të asaj çka e cilësoi prej më shumë se tre vitesh si "politikë të re". Rama deklaroi në fushatë se do të arrinte të fitonte në mënyrë të padiskutueshme mandatet e nevojshme për të qeverisur, pa pasur nevojën e koalicionit të kryesuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Në realitetin paselektoral duket qartë se Partia Socialiste, me në krye Ramën, nuk arriti të triumfonte e vetme, pa ndihmën e një aleance me LSI-në. Edhe ky rast tregoi se, verdikti i sovranit nuk preferoi një kryeministër si Rama për aq kohë sa nuk i dha votën për të qeverisur në mënyrë të padiskutueshme, duke e distancuar bindshëm nga Berisha, por edhe duke e "çliruar" nga Meta. E vetme, PS tanimë ka një numër prej 65 deputetësh dhe së bashku me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut shkon në 66. Edhe nëse do të merrte mandatin e shumëdebatuar të Beratit dhe Tiranës nuk do të arrinte shifrën magjike 71. Ky dështim do të duhej të çonte tek mbajtja e premtimit publik për largimin nga drejtimi i Partisë Socialiste.

Situata në kampin e Lëvizjes Socialiste për Integrim është diçka më kaotike. Ilir Meta e mbylli fushatën me shkeljen e premtimit të tij të parë publik se nuk do të rreshtohej i pari në listën e kandidatëve të Qarkut të Tiranës. Nëse diçka e tillë do të ndodhte, bazuar në rezultatin aktual të zgjedhjeve, Meta do të ishte jashtë Kuvendit.

Problemi i dytë i tij është dështimi numerik. Nuk arriti të merrte 35 deputetët me të cilët kushtëzoi qëndrimin në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim, por vetëm katër të tillë. Shkak i mjaftueshëm që duhet të sillte si pasojë mbajtjen e fjalës publike në fushatë dhe aktin e dorëheqjes nga drejtimi i partisë. Po kaq i dështuar Meta duhet të ndjehet edhe përballë premtimit të tij publik në mitingun përmbyllës të fushatës, se kishte një projekt për të larguar nga pushteti atë çka e cilësoi si "Sali Gërdeci". Sovrani sërish nuk preferoi Ilir Metën si kryeministër, por as nuk e votoi atë për të bërë koalicion me Sali Berishën. Rrjedhimisht nëse do të duhej të ndiqej deri në fund verdikti i sovranit dhe të mbahej premtimi publik, Berisha, Rama dhe Meta duhet të jepnin dorëheqjen. 28 qershori ishte një dështim për secilin prej tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›