Ekzekutivi, nesër vendimi për strukturën
Të mërkurën, më datë 22, Komiteti Ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Futbollit do të mblidhet për të vendosur rreth strukturës së Kategorisë Superiore. Katër skuadrat që nuk mbijetuan në elitë (Partizani, Elbasani, Lushnja dhe Bylisi) kërkuan shndërrimin e formulës së kampionatit, duke e bërë me 14 skuadra. Në mbledhjen e zhvilluar më 17 qershor, Ekzekutivi nuk mori asnjë vendim, pasi më shumë se gjysma e ekipeve që do të militojnë në aktivitetin më të rëndësishëm në sezonin e ri u treguan indiferentë ndaj kësaj kërkese, ndërsa Laçi dhe Kastrioti u shprehën kundër. Gjatë gjithë kësaj kohe, grupi i punës, i kryesuar nga anëtari i ekzekutivit, Skënder Hyka e sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani, kanë shqyrtuar të gjithë dokumentacionin e mbledhur rreth kalimit apo jo me 16 skuadra. Në takimin e radhës të organit më të lartë vendimmarrës të futbollit, ata do të paraqesin argumentet e mbledhura, ndërsa më pas do të vendoset rreth fatit të Superiores. Hyka dhe Prodani do të paraqesin një relacion të gjerë, i cili do të diskutohet nga anëtarët e KE-së, që në sinkron me statutin e federatës, por edhe në bazë të konsultave me UEFA-n do të përcaktojnë se si do të jetë kampionati i ardhshëm. Nëse faktet e paraqitura nuk janë bindëse, atëherë Partizani, Elbasani, Lushnja dhe Bylis do të luajnë në Kategorinë I, ndërsa elita e futbollit në vend do të qëndrojë të paktën edhe për një sezon me 12 skuadra.