Bëri kallëzim për humbjen e parave, por i kishte vjedhur vetë. Arrestohet 27-vjeçari

Një 27-vjeçar është vendosur në pranga nga policia pasi kishte bërë kallëzim të rremë për vjedhjen e një shumë parash por që më pas policia i gjeti në banesën e tij së bashku me çantën e dokumenteve.
“…pas kallëzimit të marrë nga shtetasi B. M., 27 vjeç, banues në Tiranë, se i kishin vjedhur çantën me dokumente dhe me 190 000 lekë, në automjetin e firmës ku punonte, në lagjen “Mazreku”, Kashar, kanë nisur menjëherë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të rastit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas policisë, nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi B. M. ka bërë kallëzim të rremë për vjedhjen e çantës me dokumente dhe parave.
“Gjatë kontrollit në banesën e tij është gjetur dhe sekuestruar çanta për të cilën kishte bërë kallëzim. Gjithashtu, pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shumën e parave, shtetasi B. M. e ka shpenzuar për lojëra fati.
Në përfundim të veprimeve, u bë arrestimi i shtetasit B. M., 27 vjeç, banues në Kashar, për veprën penale “Kallëzimi i rremë”, thekson më tej policia në njoftimin e saj.
/rtsh.al/