E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekretet e Topit, PD heq votimin e fshehtë

Debate të ashpra në mbledhjen e Këshillit të Rregullores për përbërjen. Topalli cakton Idrizin si përfaqësues të opozitës


TIRANË - Mazhoranca e djathtë heq votimin e fshehtë në Kuvend. Të gjitha dekretet
e kreut të shtetit, qofshin këto për poste ministrore apo edhe për anëtarë gjykatash, propozohet të votohen në mënyrë të hapur.


Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet në mënyrë të papritur, ka marrë dje në shqyrtim dy amendamentet e propozuara nga një grup deputetësh të djathtë, nëpërmjet të cilave synohet së pari që procedura e dhënies së pëlqimit nga ana e Kuvendit për dekretet e Presidentit të Republikës për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë të bëhet nëpërmjet një votimi të hapur me elektronikë.


Gjithashtu për të sheshuar zërat kundër procedurës së tanishme dhe për t'i krijuar mundësi Komisionit të Ligjeve për të shqyrtuar paraprakisht në mënyrë më të thelluar propozimet e kreut të shtetit, parashikohet që hapësira e deritanishme tre javore për të kryer këtë procedurë të zgjatet në tetë javë.

Këshilli


Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka thirrur dje mbledhjen e Këshillit të Rregullores, Mandatet dhe Imunitetet për të diskutuar propozimin e deputetëve Fatos Hoxha, Arenca Trashani, Ilir Bano dhe Viktor Gumi për disa ndryshime në Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë. Për shkak të mungesës së opozitës në jetën parlamentare dy ditë më parë kryetarja së Kuvendit ka bërë edhe emërimet e përfaqësuesve të majtë në këtë këshill, pavarësisht se një gjë e tillë është kontestuar dje fortë nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste, si jo ligjore.


Më konkretisht, duke emëruar në të si përfaqësues të majtë, deputetët Kastriot Islami, Pandeli Majko, Vangjel Tavo dhe Damian Gjiknuri. Për të arritur balancimin e detyrueshëm, që përcakton rregullorja, kryetarja e Kuvendit ka emëruar për hesap të opozitës edhe deputetin e PDU-së, Shpëtim Idrizi, megjithëse ai tashmë njihet si mbështetës i mazhorancës dhe votues i përhershëm i nismave të qeverisë.


Pikërisht procedura e ndjekur nga kryeparlamentarja për emërimin e anëtarëve të majtë në këshill ka marrë edhe pjesën dërrmuese të diskutimeve gati 120-minutëshe në mbledhjen e djeshme, ku përfaqësuesi socialist Damian Gjiknuri ka kundërshtuar me ngulm rrugën dhe mënyrën sesi është formatuar kjo strukturë.


Kështu mësohet se Gjiknuri e ka vlerësuar të paligjshme që anëtarët e këtij këshilli janë emëruar pa dijeninë e grupit përkatës parlamentar dhe pa dijeninë e vet deputetëve që janë emëruar në të, përfshi edhe veten e vet.


Ndërkohë që përfaqësuesit e mazhorancës janë mbrojtur në këtë aspekt me nenin 13 të rregullores, e cila, sipas tyre, nuk përcakton nëse emërimet në këshill bëhen me pëlqimin e drejtuesve të grupit respektiv parlamentar, duke ia lënë një gjë të tillë si kompetencë vetëm kryetares.


Gjithashtu, mësohet se Gjiknuri ka kundërshtuar raportet e përfaqësimit mes pozitës dhe opozitës, duke i konsideruar ato të pabalancuara, pavarësisht se Rregullorja e përcakton një gjë të tillë si të detyrueshme. Sipas Gjiknurit, raportet në Këshill aktualisht janë 6 me 4 në favor të mazhorancës, duke e konsideruar kështu deputetin e PDU-së, Shpëtim Idrizi, si pjesë të shumicës qeverisëse.


Rregullorja


Më pas Këshilli ka kaluar në diskutimin e amendimeve të paraqitura nga deputetët demokratë që nëpërmjet tyre tentohet të ndryshohet rregullorja e Kuvendit, por pa mundur t'i kalojnë ato. Kështu në nenin 1 të projektvendimit propozohet që nga neni 58 ku flitet për votimin e hapur të hiqen fjalët "për emërim dhe shkarkim ministri", duke e përcaktuar tashmë se çdo dekret i presidentit të Republikës bëhet i hapur.


Pra, ndryshe nga më parë ku një votim i tillë i hapur bëhej vetëm për dekretet e shkarkim-emërim të ministrave, tashmë me këtë ndryshim synohet që në një mënyrë të tillë të bëhet edhe votimi i dekreteve për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë.


Neni 2 i amendamentit parashikon ndryshimin e nenit 111 pika 6 e rregullores, ku ndryshohet afati 3-javor i shqyrtimit të dekreteve nga komisioni i Ligjeve në 8 javë. Pavarësisht praktikave të paraqitura mbi tryezën e Këshillit dhe të marra nga vendet e ndryshme të botës, deputetët nuk kanë mundur të gjejnë konsensusin për pikën e parë, duke e konsideruar heqjen e votimit të fshehtë si fundin e një procesi demokratik.


Kështu mësohet se përfaqësuesi socialistë në këtë Këshill e ka konsideruar këtë propozim si hapin që do të sillte kontrollin e votës në Kuvend. Megjithatë edhe mazhoranca nuk është nxituar ta kalojë këtë amendament, pasi për të gjetur edhe konsensusin e palës tjetër ka rënë dakord që ta shtyjë për sot vijimin e diskutimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›