Berisha- Basha, plani per te varrosur Korridorin 8
Kulisat, Basha fushatë me shkatërrimin te "Zogu i Zi" Në pjesën e dytë të rrëfimit për gazetën "Shekulli", Arben Meçe flet si specialisti që pa nga brenda se si bëheshin punët, jo ato publike, në MPPTT. Tregon se shkatërrimi i Zogut të Zi dhe bllokimi i rrugëve të Tiranës, u shfrytëzua për të prodhuar politikë për PDnë, në mungesë të punëve publike që nuk kishin nisur, se pushteti është përqendruar në disa duar, duke lejuar shkatërrimin e territorit dhe se rruga Durrës-Kukës-Morin, nuk është vetëm një aferë korruptive, por më shumë se kaq. Ajo jo vetëm ka rrëmbyer fonde kolosale që duhej të shkonin për projekte të tjera infrastrukturore në Shqipëri, por po ngrihet duke varrosur Korridorin 8, një projekt amerikan i fillimviteve '90, që do ta bënte Durrësin portën hyrëse të Ballkanit. Z.Meçe i rikthehemi pozicionit që kishit ju në MPPTT, kush i komandonte punët publike? Unë kisha një drejtori, që kishte në vetvete 5 nëndrejtori, siç ishin Drejtoria e Ujësjellësve, e Kontrollit të Territorit, e Politikave të Ndërtimit apo e Strehimit. Njëra prej tyre mbulonte gjithë politikën e strehimit në Republikën e Shqipërisë, tjetra atë të Ujësjellësve, njëra prej tyre mbulonte menaxhimin urban të Shqipërisë ku përfshihej Drejtoria e Urbanistikës së bashku me Institutin e Urbanistikës, dhe një tjetër kishte të bënte me politikën ligjore në ndërtim. Pra, hartimin e paketave ligjore mbi menaxhimin e përgjithshëm të ndërtimit. Duke qenë se të jesh drejtori i përgjithshëm në këtë sektor, në thelb nënkuptonte menaxhimin në total të gjithçkaje që kishte të bënte me ndërtimin, duke përjashtuar këtu rrugët, transportin detar dhe telekomunikacionin, për të cilat nuk isha unë. Mendova se një mendim teknik i imi mund të ishte një ndihmesë e madhe në realizimin e politikave në administrim. Kuptohet është një strukturë e re e imponuar nga Banka Botërore për të kryer një funksion shtesë midis elementit teknik, që ishin të gjitha drejtoritë dhe elementet politikë, që ishin zëvendësministër dhe ministër. Dhe e vërteta është se nuk isha në status politik, por në statusin e punonjësit të shoqërisë civile, pra isha teknik. Rezulton që kemi të bëjmë me një pozicion shumë strategjik në menaxhimin e ndërtimit në Shqipëri. Natyrisht ky pozicion, me këtë emër kaq të madh dhe pushtet kaq të madh, do të bëhej operativ dhe i ekzekutueshëm kur mbi të gjitha këto kompetenca të ishin reale. Dhe ajo që e bën real një pushtet, është Rregullorja e Brendshme ose një paketë ligjore e cila ligjërisht jep të drejtat dhe kompetencat e tua. Që ditën e parë që erdha konstatova disa skema të cilat, për hir të së vërtetës, ishin inekzistente. Pra mund të them që të gjitha këto drejtori në thelb ishin gati të bllokuara, gati nuk punonin, mungonin hartime dhe ekzekutime politikash. Drejtoritë ishin thjesht sekretari, ndërsa unë synoja që ato të bënin politika. Në ministri mungonte Rregullorja e Brendshme, që është baza e ndërtimit strukturor të një institucioni dhe baza ligjore midis hallkave të institucionit. Dhe në mungesë të saj personat kishin emra, por nuk kishin detyra, siç më ndodhi mua. E theksova këtë për të treguar se menaxhimi urban në Republikën e Shqipërisë, është një katastrofë e vërtetë, në strukturën se si është ndërtuar strategjia qeveritare për të menaxhuar, kontrolluar dhe planifikuar. Shqipëria nuk ka Kryearkitekt, nuk ka as Institucion Arkitekture. Ajo ka ngritur një institucion i cili, shpeshherë, në qarqet ndërtimore cilësohet si institucioni "Biçoku". Ky është institucioni më interesant që ekziston në vend. Marin Biçoku është drejtor i një drejtorie, e cila harton politikat. Nuk do të kap individin, por fenomeni "Biçoku" është personi që përgatit gjithë bazën ligjore mbi të cilën pretendohet të punojë sektori i menaxhimit të territorit. Ky pasi e përgatit, vete e mbron në Kuvend paketën ligjore, ky përgatit të gjitha projektet që do të hidhe në diskutim për t'u miratuar në vend, përgatit objektet urbane, ky i mbron këto projekte në institucionet ekzekutive. Këtë person e gjejmë si kryetar i grupit të PD-së pranë KRRT-së së Tiranës, këtë e gjejmë edhe pranë KRRT-së së Shqipërisë. Ky person i mbron këto projekte nëpër institucione dhe ky është personi juridik i dukshëm sot, që bën kontrolli pranë institucioneve ekzekutuese. Pra, gjithë sistemi i menaxhimit urban ka vetëm një emër: Marin Biçoku. Që nga ky moment, kur një individ me atribut drejtori ka pushtuar gjithë pushtetin ligjor, ekzekutiv dhe kontrollues, skema nuk funksionon sepse nuk mund të ndodhë që ai që përgatit bazën ligjore, të bëjë edhe kontrollin, është e pamundur që tre pushtete të përqendrohen në një dorë, dhe ka më keq, sepse këto pushtete nuk janë të institucionalizuara dhe kjo nuk është gjë tjetër veçse diktaturë. Z.Biçoku është në këtë pozicion pse ishte një partizan i qeverisë, në betejën me Bashkinë e Tiranës në vitin 2005 e më pas? Nuk doli Biçoku, por ai është i vetmi person, që në çfarëdolloj problematike në fushën urbane i ka të gjitha të drejtat. Ky ishte edhe kur u diskutua për të ndryshuar "Ligjin për Urbanistikën", ishte edhe në konfliktin me Bashkinë e Tiranës, edhe në konfliktin në KRRT, edhe në KRRTRSH, dhe ai qëndron në krah të Kryeministrit, ky është edhe në raportet e kontrolleve në zyrat urbane nëpër vend, dhe nuk ka institucion të dytë. Nëse ne shohim sot një katastrofë në zonën e Dajtit, në Farkë, në gjithë Republikën e Shqipërisë, shkaku kryesor është skema totalisht e gabuar e kontrollit të territorit, dhe kjo është e qëllimshme. Kush e nxiti dhe kujt i interesonte konflikti i qeverisë me bashkinë e Tiranës në vitin 2005? Duke pasur dy pushtete të ndryshme, njërin në Bashki dhe njërin në Qeveri, çdo konflikt që lind politizohet. Ne ligjin duhet ta zbatojmë jo me politikë seleksionuese, pra jo që në një projekt që bën kundërshtari të kërkojmë zbatimin ekselent të ligjit, dhe për projektin që bëjmë ne duhet ta harrojmë fare ekzistencën e ligjit. Sot, fjala vjen, jemi te rruga Durrës-Kukës-Morinë. Nëse në rrugët e Tiranës u ndërprenë procedurat se nuk ishte marrë leja e ndërtimit dhe nuk ishin kryer procedurat ligjore për të filluar punën, pra nuk kishin bërë oponencën apo nuk ishte marrë leja mjedisore, ne ballafaqohemi sot me një realitet tmerrësisht të hidhur, që rruga Durrës-Kukës-Morinë nuk ka as oponencën, as lejen mjedisore. Ishte iniciativë e Bashës, apo e Berishës, ajo për të bllokuar punët te "Zogu e Zi" dhe disa rrugë të Tiranës? Politizimi i fenomenit nxori Bashën. Ka një institucion që quhet Polici Ndërtimore, e cila për çdo ndërtim që bëhet, të vjen e të kontrollon një paketë dokumentesh. Kërkesat ajo i bënte ligjore, por seleksionuese pra nuk e bënte për çdo investim, por vetëm për ato të bashkisë. Me dashje dhe pa dashje, kur ngjarja mori përmasa politike, Basha u fut në lojë. Tjetra, e vetmja që Basha të bëhej publik, ishte të menaxhonte konfliktin e lindur. Sepse deri në atë kohë ai nuk kishte se çfarë të ekspozonte, sepse nuk kishte produkte. Ministri i Punëve Publike është baza populiste e qeverisë, pra vetëm me punët publike, në Shqipëri bëhet populizëm, sepse vendi ka nevojë për rrugë, për ndërtime urbane. Kur mbaruan zgjedhjet e shkurtit 2007 unë thashë se zgjedhjet i humbi Lulzim Basha, sepse në dy vjet sa ishte ministër ai nuk prodhoi asnjë produkt, nuk kishte se çfarë të inauguronte. U inaugurua rrethrrotullimi te Zogu i Zi... Rrethrrotullimi te "Zogu i Zi" është tjetër procedurë, dhe për të duhet folur në mënyrë më specifike. Unë po flas për konfliktin e rrugëve, Basha u fut aty se i duhej, sipas mentalitetit shqiptar, ku nëpërmjet konfliktit identifikohen persona. Te "Zogu i Zi" procedura ka nisur nga Policia Ndërtimore... Policia Ndërtimore tregoi se ka qenë vegël qorre në duart e qeverisë Jo, ky është një interpretim politik... Pse politik, kur për dy vite ndërroi disa drejtorë? Unë kam mendimin se shkatërrimi urban i Shqipërisë ka ndodhur nga atrofizimi i qëllimshëm i Policisë Ndërtimore. Unë kisha kontestimet e mia për investimin te "Zogu i Zi" dhe nuk ishin kontestime politike, por teknike. Unë isha i bindur se ai shesh nuk duhej të menaxhohej në atë formë. Unë jam sërish kundër se si u menaxhua pas prishjes ai shesh. Unë isha organizatori i prishjes te "Zogu i Zi", por nuk e bëra për politikë, por nga ana profesionale, sepse isha i bindur se Tiranës ai vend i duhej shesh, sesa objekt. Besoj se zoti Rama më pas e kuptoi se duhej të ishte më gjithëpërfshirës në vendimmarrje dhe kjo lëvizja që po bën nëpër rrethe, nuk është e habitshme. Te "Zogu i Zi" u prish një investim që kishte vajtur deri në 1 milionë euro, për t'u bërë një rrethrrotullim. Sa kushtoi ribërja? Për mendimin tim ajo vlera që u hodh atje do t'ia humbte vlerat sheshit, ajo vlerë që u hoq, prodhoi vlera për të gjithë sheshin. Por duhet të kuptohemi, qëndrimi im për atë shesh, menjëherë pasi u bë prishja, nuk është ai që u realizua. Ne mbasi të sheshonim sheshin do të prodhonim në atë shesh një situatë të përkohshme, që duhet te ishte një rreth në mes, i ndërtuar me një kosto rehabilitimi minimale, dhe të mos bënim ga- bimin trashanik. Atje u prish një projekt, për të zbatuar një projekt tjetër, që u bë totalisht pa projekt. Sa kushtoi ribërja? Nuk më intereson sa ka kushtuar, por mekanizimi i përdorur. Unë mendoja që rehabilitimi i sheshit të bëhej në një kohë më të qetë kur palët në konflikt, Qeveria dhe Bashkia do të bashkoheshin në një projekt të sheshit. Sot kemi sheshin "Skënderbej" dhe ai po rri në atë gjendje sepse para dy muajsh, falë një bashkëpunimi u fut në KRRT projekti për rehabilitimin e tij përfundimtar, dhe kjo u bë me konkurs, siç ishte edhe konkursi për godinën e re te Kuvendi i Shqipërisë. Kthehemi te vlera e rrethrrotullimit, ajo u manifestua si ide, se po bëhet me iniciativën e sipërmarrjeve, që unë e kam kundërshtuar që në fillim. Nuk mund të bëhen investime serioze me sipërmarrje vullnetare. Ai që nxjerr para nga xhepi, të ka dhënë një koncesion, të cilën ti do t'ia kthesh me përmasë më të madhe. Të gjitha firmat që morën pjesë atje u futën në borxh nga shteti dhe mekanizmi i investimit të tyre në këtë vend ishte: "Vërtetë ju bëjeni si pa lekë këtë, por këto do t'ua kthejmë duke ju dhënë tendera, në investime të tjera, ku vlera e tenderit të mbartë brenda edhe shpenzimet që ju keni bërë". Ky mekanizëm e kompromenton qeverinë. E fundit që kundërshtova te "Zogu i Zi" ishte shatërvani, investimi më vulgar që është bërë në Shqipëri. Qoftë në syrin e arkitektit, qoftë në perceptimin bashkëkohor. Në mënyrë absolute nuk mund të prezantohet kryeqyteti me një shatërvan të ndërtuar me mënyrën më primitive të mundshme. Ai shatërvan nuk e ka jetën të gjatë dhe do të prishet. Megjithatë, u përdor politikisht para zgjedhjeve vendore... Pikërisht dhe unë këtë po them, gabimi më serioz që bëhet sot në Shqipëri, është kur ne politizojmë investimet dhe e bëjmë në mënyrën më vulgare të mundshme. Edhe në inaugurim u fut procesi i pastër politik, duke iu vënë emri "Rilindja" dhe u bë një inaugurim, i cili do të mbetet në histori si inaugurimi më qesharak i bërë dhe vulën ia vuri ajo pllakë mediokre, e cila sot nuk ekziston, kur emërtimet e shesheve i bën një pushtet tjetër, Bashkia që ka marrë mandatin, dhe kjo është një fatkeqësi që e kemi pranuar të gjithë. Së fundi, desha të kalojmë te skandali që denoncuat ju i pari më 6 mars 2007, abuzimet me rrugën Durrës-Kukës-Morinë. Me pak fjalë, pse duhet marrë i pandehur ish-ministri i Punëve Publike, Lulzim Basha? Më vjen mirë që po i rikthehemi një çështjeje që ne e kemi bërë casus. Që nga marsi, deklarimi im ka qenë i prerë: "Lulzim Basha, fajtor dhe të kalojë para drejtësisë". Ky deklarim nuk u bë nga qëndrimi im emocional, u bë sepse dokumentacioni që unë disponoja, qoftë në planin ligjor, qoftë në planin teknik më rezultonin me një aferë me përmasa drastike, të cilat nuk kishin të bënin vetëm me vjedhje, me mitmarrje, apo përvetësim të vlerave, por kishin të bënin me një strategji jashtëzakonisht të gabuar për zhvillimin ekonomik të mëtejshëm të vendit, sepse po prodhohej një gropë e zezë, në të cilën gjithë pasuria e këtij vendi do të depozitohej, duke prodhuar vakuum në pjesën tjetër dhe duke prishur ekuilibrat në investime, që do të sillnin pasoja sociale. U prodhua mungesë lekësh në Shqipëri, mungesë investimesh në pjesën tjetër të Shqipërisë. Shumë mundohen të ekuivalentojnë investimet në Durrës-Kukës- Morinë me investimet në Veri dhe të gjitha investimet në Jug. Rruga Durrës-Kukës- Morinë u bë një njollë e zezë dhe gjithë pje tjetër mbeti pa investime. Pas investime ka mbetur edhe Shkodra, pavarësisht investimeve jo të vogla që mori Topalli, sepse Shkodra meriton dhe ka nevojë për shumë më tepër, por qeveria nuk kishte më lekë. U ndërprenë investime serioze në Shqipëri, që nuk ishin investime, por politika gjeostrategjike. Është ndërprerë përfundimisht Korridori 8 në Shqipëri, dhe tani ai ka humbur përfundimisht funksionin dhe humbja e funksionit u duk në momentin e parë, se ishte një investim drejt veriut, ose drejt Kukës-Morinit, por në fakt ka qenë një strategji e pastër e shprehur jo më vonë se para një muaji nga ministri i sotëm i Jashtëm, Basha, i cili tha se rruga më e shkurtër për të shkuar në Sofje nuk është më Korridori 8, por është rruga Durrës-Kukës-Morinë, që do të thotë se në strategjinë e pastër, të pashpallur të qeverisë sot, i është dhënë dërma përfundimtare Korridorit 8 sot. Ai ka dalë nga axhenda strategjike e qeverisë shqiptare, dhe vendin e ka zënë korridori Kukës-Morinë. Problemi nuk mbetet këtu, sepse bëhet ndërprerja e investimeve strategjike që lidhin përfundimisht Durrësin me Shkupin, Durrësin me Athinën dhe Durrësin me Malin e Zi. Dhe të gjitha po shkojnë drejt lidhjes së Durrësit me autostradën e Nishit, sepse në thelb është ajo dhe nuk është Kosova. Autostradën e Nishit si synim e theksoi edhe Kryeministri pak ditë më parë. Pikërisht dhe unë vazhdoj të them se Lulzim Basha është njëri nga fajtorët e prishjes së këtij ekuilibri, me pasoja serioze në stabilitetin ekonomiko-politik të vendit. Ju ishit shumë bashkëpunues me grupin e prokurorëve të dosjes për abuzimet me rrugën Durrës-Kukës-Morinë. Cili ishte shqetësimi kryesor i tyre? Ishte denoncimi im që filloi procedurën, e cila nga përmasat e saj e detyronte prokurorinë që kryesisht të niste çështjen, sepse pati shumë reagime dhe shqetësimi arriti deri në bazë. Prokuroria filloi çështjen kryesisht. Në pozicionin vetëmbrojtës Lulzim Basha denoncon për shpifje qytetar in Arben Meçe. Atëherë prokuroria bëri bashkimin e dy çështjeve, Basha si jurist e di shumë mirë se kështu do të vinte procedura, Prokuroria kishte nevojë për njerëz që kishin dijeni për çështjen dhe i pari isha unë që kisha denoncuar. Kështu unë u bëra bashkëpunëtor jo i prokurorisë, por i procedurës penale, e cila më shpinte mua jo me dëshirë, por me detyrim para prokurorisë, që të gjithë informacionin t'ia jepja shtetit. Më vonë Basha doli me pretendimin që prokuroria, si prokurori politike kishte nisur një hetim, kur rezultoi se këtë hetim e kishte nisur vetë Basha dhe prokuroria nuk bëri gjë tjetër veçse denoncimin e Bashës e ktheu në materie. Megjithatë, Sollaku nuk arriti ta merrte në pyetje. Procedura eci në mënyrën më ligjore të qytetarmundshme, në fazën e parë operon Prokuroria e Shkallës së Parë, e cila, mbasi bën hetim me personat që kanë dijeni, prodhon një paketë dhe formon konceptin e kryerjes ose jo të veprës penale. Kjo është punë e pavarur e Prokurorisë. Në këtë moment, të gjithë personat kanë vetëm një cilësi, kanë dijeni për ngjarjen, siç isha unë, zëvendësministri i MPPTT-së, Teleti, këshilltari Juridik, Toma, drejtoresha e Rrugëve, Saraçi. Në këtë cilësi u thirr edhe ministri që kishte bërë denoncim. Nga hetimi paraprak i Prokurorisë doli se vepra penale ishte kryer, dhe atë e kishin kryer Lulzim Basha, Armand Teliti dhe Andi Toma, ndërkohë që Lejla Saraçi ishte në pikëpyetje, por nuk u klasifikua si person që ka kryer veprën penale. Prokuroria e Tiranës shpalli kryerjen e veprës penale për dy persona, Telitin dhe Tomën, ndërsa personit të tretë nuk mund t'ia shpallte juridikisht, sepse nuk e lejonte ligji. Atëherë ajo transmeton në Prokurorinë e Përgjithshme jo hetimin, por kërkesën ligjore që institucioni më i lartë, Prokuroria e Përgjithshme ta transmetojë pranë Parlamentit dhe me t'u hequr imuniteti, shpalljen e veprës penale. Nga ai moment ndryshon statusi i personave dhe ai nuk është më person që ka dijeni, por të atij që ka kryer veprën penale, por që Prokuroria e Tiranës nuk mund t'ia transmetojë se nuk e lë ligji. Ai nuk bën hetim, por thjesht trajton dosje. Dhe nga dosja rezultoi se Basha ishte autor i kryerjes së veprës penale. Ajo i kërkon Parlamentit heqjen e imunitetit, që Prokuroria të ketë të drejtë t'i shpallë kryerjen e veprës penale. Tani pritet vetëm heqja e imunitetit të tij në Parlament dhe shpallja e veprës penale, që do të thotë se çdo procedurë tjetër që pushon çështjen është manipulimi i prokurorisë. Kjo çështje, pa kushte, do të kalojë në Gjykatë. Heqja e imunitetit, do të arrijë ta çojë z.Basha para drejtësisë? Unë jam shumë skeptik në këtë moment, sepse shumë procedura në Kuvend u vonuan në emër të absurdit, mjafton që të ikte Prokurori i Përgjithshëm, Sollaku. Kur ai u shkarkua, çuditërisht si me thikë, ndryshoi qëndrimi politik i PD-së dhe u vendos në Byronë Parlamentare që t'i hiqej imuniteti dhe që këtu filloi loja e parë. "Ne po ia heqim imunitetin, por ky nuk e ka kryer veprën penale", thotë Topalli. Topalli me këtë merr përsipër një mision që është antiligjor, se nuk e përcakton Kryetarja e Kuvendit nëse është kryer apo jo vepra penale. Kjo prodhon skepticizmin e parë për Parlamentin, ku nuk do të thuhet nëse do t'i hiqet imuniteti, por do të votohet heqja e imunitetit. Pra, askush nuk e ka të sigurt nëse do të votohet heqja e imunitetit të Bashës. Mos heqja e imunitetit të Bashës nga Kuvendi do të thotë që gjithë procesi i nisur nga prokuroria të bllokohet, dhe dosja të mbyllet deri në një moment të dytë. KORRIDORI 8, RRUGA QË BASHKON LINDJEN ME PERËNDIMIN Projekti për lidhje hekurudhore, rrugore dhe energjitike midis Italisë, Shqipërisë, Maqedonisë, Bullgarisë dhe Turqisë, i ashtuquajturi Korridori 8, nënkupton lehtësime në komunikacion, transport, në sferën e energjisë dhe çfarëdo lloj komunikimi midis Lindjes dhe Perëndimit. Si pjesë e Korridorit 8 paraqitet edhe projekti i gazifikimit, i cili pjesërisht është realizuar. Ekspertët thonë se ai do të ketë ndikim direkt në rritjen e produktivitetit, pasi që do të sigurojë qasje në një burim energjie të lirë dhe natyror. Si pjesë veçanërisht atraktive e paketës së projekteve të përfshira në Korridorin 8 llogaritet ndërtimi i naftësjellësit AMBO, për transportimin e naftës nga porti i Burgasit deri në Vlorë, në bregdetin shqiptar. Bëhet fjalë për një tubacion të gjatë 912 kilometra, me të cilin do të shkurtohej rruga e transportimit të naftës nga baseni i Kaukazit deri në shtetet evropiane dhe SHBA. Projekti kushton 1,2 miliardë dollarë, ndërsa për realizimin e tij nevojiten tre vjet.