Berisha Rama, u rikthehen replikave për plehrat
Pak ditë pas arritjes së pakti mazhorancë – opozitë dhe një ditë pas miratimit të vendimit për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, dy liderët kryesore në vend kanë rinisur replikat në distancë. Debati mes kreu të mazhorancës Sali Berisha dhe liderit të opozitës Edi Rama ka qenë përsëri për çështje që kanë të bëjnë me ligjin e “plehrave”.
Berisha gjatë përurimit të impiantit të prodhimit të biokarbureve në Porto Romano, Durrës tha se qeveria e tij do të mbrojë mjedisin pavarësisht atyre që pretendon ajo që ai e quan Aleanca e Plehut. Gjithashtu ai kritikoi edhe programin e Partisë Socialiste lidhur me propozimin për vendosjen e taksës progresive.
Qeveria do të bëjë gjithçka për mjedisin më miqësor ndaj jush. Dhe ata, të cilët besojnë se mund të zhvillojnë vendin duke u vërsulur me taksa ndaj të pasurve, siç thonë, u rikujtojnë shqiptarëve një kohë të cilën kurrë nuk do ta pranojnë më, u shpreh Berisha.
Lidhur me këtë “sulm” ka reaguar lideri i opozitës Edi Rama. Në rrjetin social Twitter ai shprehet se Berisha po mbron mjedisin duke kënduar si gjeli majë plehut duke e kritikuar në këtë mënyrë për masat që qeveria ka marrë. Rama thekson se PS është ajo që u jep përgjigje problemeve të taksimit, mjedisit dhe plehrave.
Të pasurit do shpëtojnë nga gjobat, mjedisi nga plehrat dhe Shqipëria nga kënga e gjelit majë plehut, shprehet Rama.