E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha- deputetëve: Presidenti, drejtues i lartë i PD. Koalicioni është i qëndrueshëm

Share

Berisha u garanton deputetëve të tij se do hyjë në negociata me emrin e një drejtuesi të lartë të PD, që duket se do jetë Jozefina Topalli. Berisha ka qetësuar deputetët se koalicioni është i qëndrueshëm

Në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, mësohet se kryeministri Sali Berisha ka folur edhe për presidentin e ardhshëm. Siç raporton Top Channel, Berisha u ka thënë deputetëve të tij se pas kthimit nga Samiti i Çikagos do të mbleshë kryesinë e PD për të marrë mandatim për të negociuar me aleatët dhe faktorët e tjerë parlamentarë.

Partia Demokratike do të shkojë në negociata me kandidatin e saj, që duhet të jetë një nga drejtuesit e Partisë Demokratike. Ky kandidat nuk do të jetë një drejtues me rëndësi të dorës së dytë apo të tretë, ka thënë Berisha. Në këtë mënyrë duket se emri në mendjen e Berishës është ai i Jozefina Topallit. Këtë emër nuk e ka pranuar në mënyrë të prerë opozita, ndërkohë që LSI është shprehur se presidenti duhet të jetë një faktor uniteti.

Po ashtu sipas TCH, kryeministri Berisha nuk ka përmendur për asnjë moment takimin mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, por ai ka siguruar deputetët demokratë për qëndrueshmëri të koalicionit. Të paktën, siç është shprehur kryeministri Berisha, Partia Demokratike po përmbush me luajalitet detyrimet e saj ndaj koalicionit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›