Fiks Fare zbulon skandalin: Fëmijët e Gërdecit kërkojnë për skrap tek krateri i mbushur me diegore
Banorët e varfër, mes tyre edhe fëmijë, kërkojnë për metale tek zona e kraterit të shpërthimit në Gërdec. Ethet e skrapit u rrezikojnë jetën pasi aty ka diegore dhe predha. Fiksi zbulon diegoren e paplasur në dorën e fëmijëve. Specialisti: Është vdekjeprurëse
Katër vjet pas tragjedisë së Gërdecit, disa nga banorët e tij dhe te fshatrave përreth guxojnë çdo ditë të hyjnë brenda zonës së rrezikut dhe të kërkojnë metalin e mbetur pas shpërthimit për ta shitur për skrap. Mes këtyre mbeturinave shpesh herë gjejnë edhe diegore të paplasura, të cilat i çmontojnë vetë. Këto municione të paplasura i gjen në duart e fëmijëve që gërmojnë bashkë me prindërit, edhe pse është një zonë e ruajtur nga ushtria dhe është rreptësisht e ndaluar hyrja. Krateri gjigand, që hapi shpërthimi atje ku dikur ishte fabrika e demontimit të armëve, tani është i rrethuar dhe zonë e ndaluar, po kështu edhe dhjetëra hektarë tokë janë të rrethuar dhe zonë e ndaluar për tu futur. Asnjë civil nuk mund të hyjë veç ushtarëve shqiptarë dhe specialistët ekspertë që punojnë për ta pastruar zonën nga predhat e paplasura. Oficerët e ushtrisë nuk të lënë të kalosh nëse tenton të hysh në zonën e infektuar, pasi ekziston mundësia e shpërthimeve të reja të predhave brenda territorit të rrethuar
Ndërkohë, gra, burra dhe fëmijë ço ditë, pas orës 16.00 futen në territorin që është vetëm pak metra larg kraterit vdekjeprurës. Ata kërkojnë të mbledhin metalin e mbetur pas shpërthimit dhe ta shesin atë për skrap, për të mbijetuar në kushtet e mungesës së mjeteve të mjaftueshme financiare.
Gazetarët e Fiks Fare janë futur bashkë me banorët në zonën e ndaluar për civilët dhe kanë gjetur diegore të paplasura, të cilat gjenden nga fëmijët e më pas çmontohen prej tyre për tu shitur për skrap. Pastrimi i kraterit po vijon tashme me faqen e kodrës, ndërkohë që bashkë me specialistët e kompanisë që është kontraktuar për pastrimin e zonës, punojnë edhe vetë banorët.
Fiks Fare solli fakte nga sakrifica e këtyre banorëve, të cilët për të siguruar shumë pak lekë rrezikojnë bashkë me fëmijët e tyre dhe gërmojnë në zonën e rrezikut.
Çdo ditë, sapo specialistët e huaj që merren me pastrimin dhe rehabilitimin e zonës së Gërdecit lënë punën, në zonën e rrethuar hyjnë rreth 70 banorë, burra, gra e fëmijë, të cilët me kazma e lopata gërmojnë për të gjetur copa metalesh.
Sapo punonjësit e Ministrisë së Mbrojtjes panë gazetarët e Fiks Fare që u afruan në zonën e kraterit, i kthyen mbrapsht, duke u treguar për rrezikun e madh që u kanoset nga municionet e paplasura.
***
Një banor i zonës na tregoi për rrugën që ndjekin çdo ditë fshatarët që kërkojnë skrap. Në kodër gjetëm fëmijë të vegjël, të cilët gërmonin bashkë me prindërit e tyre për të gjetur predha të plasura, apo gëzhoja.
Një vajzë 9-vjeçare nga Vora, e cila është vetëm në klasën e tretë, vjen çdo ditë në zonën e kraterit bashkë me mamanë e saj dhe kushërirën. Mbas mësimit, ajo gërmon në zonën e papastruar nga specialistët e Ministrisë së Mbrojtjes, për të gjetur copa bakri apo bronzi, të cilat më pas i shesin. Ajo na jep një djegore të paplasur. Na tregon sesi duhet ta mbajmë dhe të tregohemi të kujdesshëm, pasi djegorja mund të shpërthejë
Ka nga ata banorë që dikur kanë punuar në fabrikën e demontimit dhe dinë sesi duhet të veprojnë kur gjejnë predha të paplasura.
Pak metra më larg, një grup grash gërmojnë me kazma tokën. Ato kanë mbledhur disa diegore të paplasura. Këto djegore ndodhen në zonën që nuk është pastruar nga specialistët, tregojnë banorët. Tregojnë se e kanë pastruar vetë, duke mbledhur skrapin. Ata nuk frikësohen nga diegoret e paplasura që gjejnë në sipërfaqe.
Këto predha dhe diegore përmbajnë shumë bakër dhe bronz. Sipas tyre, arrijnë të shesin një kilogram copa metalesh bakri për 200 apo 300 lekë, ndërsa bronzi kushton më shumë, 800 lekë/kg. Shpërthimi i fabrikës së çmontimit të armatimeve në Gërdec katër vjet më parë mbuloi me predha një zonë prej 100 kilometrash katrore
Specialisti: Diegorja nëse shpërthen, është vdekjeprurëse
Specialisti i kontaktuar nga Fiks Fare, ish-shef i artilerisë së brigadës nr. 144 në Sukth, zoti Kosta Pashko sapo shikon djegoren e gjetur nga gazetarët e Fiks Fare në zonën e Gërdecit, thotë me siguri që 99% është një diegore luftarake, është e kalibrit të topave 85, 76mm ose e obuzëve 122 mm.
Sipas tij, kjo diegore është e rrezikshme nëse gjendet në ambiente të hapura, d.m.th jashtë depove të armatimit. Nëse shpërthen, shpërthimi është vdekjeprurës.
Është një lloj armatimi, me të cilin duhet pasur kujdes. Sipas tij, nëse kjo diegore goditet me gurë nga fëmijët, apo me çekanë, pëlcet.
Rrezikshmëria e saj është që vret në një rreze 25 metrash nëse shpërthen. Si specialist më vjen turp kur shikoj këto lloj armësh jashtë ambienteve të papërshtatshme, shton zoti Pashko.
Sipas tij, këto lloj armatimesh ruhen nëpër depo ushtarake dhe kur merren që përdoren, merren në bazë të një kriteri të përcaktuar me rregullore të veçantë.
Por sot, në duart e fëmijëve që gërmojnë për të gjetur copëza metali në zonën e Gërdecit gjen me dhjetëra të tilla.
Bisedat e gazetarëve të Fiks fare me punonjësit e ushtrisë në Gërdec
Fiksi:- A është e pastruar e gjitha kjo?
Roja:- Jo, jo akoma. Vazhdojnë punimet.
Roja: – Vazhdon punimi…ja (tregon me gisht).
Fiksi:- Gërmojnë, pastrojnë apo hedhin dhe vetëm?
Roja:- Po, pastrojnë tashi… Punojnë me ekskavator.
Roja:- Unë ju fola një çikë jashtë asaj… Se ne na frikëson edhe ajo puna e Fiksit… Vetëm kur ta shikoj veten në TV.
Ushtari – Nga keni hyrë njëherë?
Fiksi:- Aman, të lutem!
Ushtari – Se është dhe zonë e infektuar. Është zonë e shpërthimit, Gërdecit.
Fiksi:- Po pra, e dinim që është kjo.
Ushtari -Duhet të kthehemi urgjentisht prapa bashkë.
Ushtari- Nuk lejohet këtu është zonë e rrezikshme, zonë e infektuar.
Ushtari – Po pse nuk është pastruar akoma?
Ushtari- Absolutisht, vazhdon pastrimi, është në procedura, shiko si pastrohet, po gërmohet një metër thellë.
Ushtari – Rrezja e veprimit është kodër më kodër.
Fiksi:- Po ajo pjesa….
Ushtari – Kodër, kodër, kodër…diametër
Ushtari – Kompania angleze ka marrë urdhër nga shteti jonë që të bëhet pastrimi i vendit nga mbeturinat e plasjeve.
Fiksi: -Po.
Ushtari: – E predhave, nga mbeturinat e predhave, për arsye se janë burim rreziku.
Fiksi:- Po, por çfarë shkakton?
Ushtari – Ka arsye