E Diel, 1 Nëntor 2026

Papulias: Një qeveri teknokratësh për të shpëtuar Greqinë

Share

Presidenti grek, Karolos Papulias, do të shmangë zgjedhjet e reja. Për këtë arsye të hënën në mbrëmje ai ka propozuar krijimin e një qeverie teknokratësh. Lajmin e bëjnë të ditur drejtuesit e partive pasi dolën nga takimi me kreun e shtetit.

Të martën pritet që Papulias të takohet sërish me drejtuesit e partive për të marrë një mendim në lidhje me këtë propozim. Në takim do jenë përfaqësuesit e partive, përjashtuar ekstremistët e djathtë të Agimit të artë.

Kreu i PASOK, Evangelos Venizelos, bëri me dije se propozimi është që në kabinet të ketë personalitete të njohura jo- politike.

Megjithatë Antonis Samaras, shefi i konservatorëve të Demokracisë së Re, thotë se është skeptik në lidhje me një qeveri ekspertësh. Fillimisht duhet të vendosin politikanët, pastaj të mendojmë për teknokratët. Rezultati i zgjedhjeve na ka imponuar që të bashkëpunojmë të gjithë.

Mësohet se në takimin e sotëm, Papulias u ka paraqitur përfaqësuesve të partive një mesazh nga kryeqeveritari në detyrë, Papademos. Aty thuhet se vendi ka para deri në qershor.

Politikanët kanë kohë deri të enjten për të zgjedhur një qeveri. Në rast të kundërt vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Në këtë rast, Syriza, sipas sondazheve del parti e parë me 20.5 përqind të votave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›