E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha- Çiçek: Turqia themelore në zhvillimin e Shqipërisë

TIRANË- Kryeministri Berisha gjatë takimit me Kryetarin e Asamblesë se Madhe Kombëtare të Turqisë, zotin Cemil Çiçek dhe delegacionin e parlamentarëve turq që e shoqëronte vlerësoi se ndihma e Turqisë ka qenë e një rëndësie themelore në ndryshimet dhe zhvillimin e vendit.

Kreu i ekzekutivit shqiptar duke theksuar se kjo vizitë është një kontribut i mëtejshëm në forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera miqësore e vëllazërore që ekzistojnë mes dy vendeve e kombeve, shprehu vullnetin e palëkundur të qeverisë shqiptare për ti thelluar dhe konsoliduar gjithnjë e më shumë këto marrëdhënie.

Zyra për shyp e kryeministrisë bën me dije se në këtë kontekst kryeministri Berisha tha se në të gjithë këto vite miqësie mes vendeve, Asambleja e Madhe Kombëtare e Turqisë ka votuar dhe ka marrë vendimet më miqësore dhe mbështetëse për shqiptarët.

Nga ana e tij, zoti Çiçek pohoi marrëdhëniet e ngushta tradicionale të miqësisë mes Shqipërisë dhe Turqisë, me rrënjë të thella në histori, si dhe shprehu vullnetin dhe angazhimin për ti forcuar e zgjeruar ato në të ardhmen.

Më tej, në takim u diskutua lidhur me mundësitë e reja për bashkëpunim në të gjitha fushat, në veçanti në fushën e ekonomisë dhe shkëmbimeve tregtare, në dobi të interesit më të mirë të qytetarëve të dy vendeve. Duke u ndalur veçanërisht tek investimet turke në Shqipëri, ata shprehën kënaqësinë që klima miqësore dhe vullneti i përbashkët ka bërë që ato të rriten me 9 herë, si dhe rikonfirmuan vullnetin për nxitjen dhe zhvillimin e tyre, si një e mirë e përbashkët për të dy vendet.
(el.me/BalkanWeb)

Lidhje te tjera Topalli-homologut turk: Berisha ka të drejtë, turqit kanë gjak shqiptari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›