Berisha- mesazh për 8 Dhjetorin: Rinia do përcaktojë fitoren tonë të thellë në vitin 2013
Kryeministri Sali Berisha, që ndodhet në Francë në samitin e Partive Popullore Europiane, ka dërguar një mesazh me rastin e Ditën e Rinisë. Berisha tha se rinia do përcaktojë fitoren e zgjedhjeve të ardhshme. Shqipëria është sot vite drite larg asaj që ishte në dhjetorin e ’90-ës. Ju përcaktuat fitoren e qendrës të djathtë në vitin 2009, përcaktuat fitoren e parimeve të lëvizjes së dhjetorit në vitin 2011. Kam bindjen më të plotë se me energjinë, mençurinë, vizionin, përkushtimin dhe idealet e larta fisnike të dhjetorit ’90 do të përcaktoni fitoren më të thellë të qershorit 2013, tha Berisha.
Ëndrra europiane e të rinjve të vendit u bë realitet, gjaku i atyre dhjetëra, në mos qindra të rinjve dhe të rejave që u ekzekutuan barbarisht në ’90 u bë dritë, dhe sot shqiptarët lëvizin të lirë në mbarë Europën, vijoi më tej kryeministri.