Bufoni Doll
Si në pasqyrë, më shfaqet dyshja Berisha-Doll një vit më parë. Pas shuplakës tejet të nxehtë të marrë njëkohësisht me opinionin turpërues të Komisionit, kryeministri-plak pati rendur njësoj të gjejë ‘strehë’ nën sqetullën e gjerë të injorancës së PPE-së për zhvillimet në Shqipëri. Në një konferencë për shtyp pata pyetur Zhozef Dollin, se si mund ta ndihmonte realisht mikun e djathtë shqiptar, që ky i fundit të bëjë realisht ndonjë gjë për integrimin e vendit. Kolegët e mi pyesin për buxhetin e BE-së, ne kemi 20 vjet që pyesim për zgjedhje të ndershme e të lira, pata shtuar për Doll. Berisha nuk u pyet për këtë, por ishte ai që ma pati kthyer: Ti ke humbur realitetin e vendit tënd!
Në Marsejë me Dollin nuk ka nevojë kush, as dëshirë as kohë të lexojë të paktën raportin e Komisionit Evropian. Akoma më keq, Doll ish-sindikalisti, ose siç njihet ndryshe në Shqipëri, katundari nga Franca, kapërceu edhe kufinjtë e ndaluar për vetë Berishën, kur u çorr se ky i fundit paskësh shpëtuar jetë njerëzish ndërsa Ed Rama i paska lënë pa gjumë ca net.
Për këtë të dytën, me thënë të drejtën u befasova (që Rama ia paskësh mbërritur natës të lërë pa gjumë Berishën, se është informacion që ka rrjedhur nga vetë burimi). Por për atë të parën, me ta dëgjuar, mu kujtua aty për aty një tjetër deklaratë po kaq e tmerrshme e këtij bufoni injorant. Kur qe pyetur pas 21 janarit se çfarë mendon për të vrarët në bulevard, përgjigja e tij qe: “Unë kam qenë vetë sindikalist, dhe më ka ndodhur të më jetë vrarë një protestues, i shtypur aksidentalisht me makinë.”
Ç’të thuash më për Doll-in, mikun fshatar francez të keqpërdorur pa mëshirë e me dëshirë nga miku i tij i ngushtë Berisha, duke e rrezikuar ta bëjë turpin e botës para zgjedhjeve në Francë. Ky ‘mik’ i shqiptarëve në fakt i ka thënë vetë të gjitha që në fillim, kur shprehu ndjenjat e thella dhe njohuritë për vendin tonë, në konferencën për shtyp që kish organizuar një vit më parë për të shpëtuar Berishën nga kritikat e Komisionit, duke i këshilluar institucionit që ka delegacion në Tiranë: “Duhet të shkoni më shpesh në Shqipëri. Unë mendoja se atje njerëzit vriteshin në rrugë, por kur vajta njëherë, nuk ishte ashtu!”
