Berisha- të rinjeve: 2010, viti i reformave të thella
Gjatë një takimi me të rinjtë e Forumit Rinor të PD-së dhe stafin që organizoi fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare, Kryeministri Berisha tha se "dua t'u shpreh falenderimin tim për ndihmën e jashtëzakonshme që ju dhatë me mençurinë, përkushtimin, në fushatën elektorale dhe bëtë të mundur që të festojmë vitin e Ri 2010 si fitimtarë”.Kryeministri Berisha vuri në dukje se "ne ia dolëm gjithashtu që këtë betejë shumë të përfolur për problemin e zgjedhjeve, t’iu dëshmojmë qytetarëve shqiptarë dhe mbarë botës se shqiptarët dinë të votojnë në dinjitet të plotë si qytetarë të lirë"."Beteja elektorale është një betejë e vështirë, por duhet t'u garantoj se gjatë gjithë asaj periudhe asgjë nuk më ka rritur me shumë optimizmin dhe besimin tek fitorja, sesa përkushtimi juaj i plotë dhe total, të cilët sëbashku me ne formësuan një fitore historike, një fitore europiane për shqiptarët", tha Kryeministri Berisha. Kryeministri Berisha e cilësoi vitin 2009 si vitin më të mbarë në historinë e kombit, pasi sipas tij, "ishte një vit në të cilin vendi ynë u bë anëtar i NATO-s, një vit ku vendi ynë mori aprovimin e të gjitha vendeve të Bashkimit Europian për të ecur në rrugën e anëtarësimit në BE, një vit në të cilin u bënë të gjitha parapërgatitjet që ju muajt që vijnë të lëvizni të lirë në mbarë Europën pa viza". Duke u ndalur te ekomonia, ai tha se "ekonomia shqiptare nuk u rrokullis në labirintet e krizës, e vërteta ndodhi që ne në të gjitha vështirësitë ia dolëm të rrisim ndjeshëm buxhetin e 800 mijë familjeve shqiptare, në qytete dhe fshatra të vendit". Kryeministri Berisha garantoi të rinjtë se viti i ardhshëm do të jetë viti i refomave të thella. "Do të ndërmarrim reformat më të thella për shkollimin dhe punësimin e të rinjve shqiptarë, do të ecim me shpejtësi të madhe drejt moshës dixhitale, dhe sëbashku vitin 2010 do të shndërrojmë në vitin përcaktues për një fytyrë të re të Shqipërisë, fytyrën tuaj".Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha tha se "vitin e ardhshëm do të angazhohemi për një vit edhe më të mirë, për një vit, të cilin, me punën tonë, do ta bëjmë që të ecim shumë më përpara në proçesin e integrimit të vendit".