Berisha: Nderimi ndaj të moshuarve, detyrim madhor
Kryeministri Berisha u shpreh se nderimi ndaj moshës së thyer është një detyrim madhor jo vetëm i qeverisë, por i të gjithë shoqërisë shqiptare. Duke i uruar të pranishmit nga zemra një vit të mbarë, me shëndet, gëzime e lumturinë që meritojnë, Kryeministri i garantoi të moshuarit se qeveria do të jetë gjithmonë pranë tyre për ta lehtësuar dhe për ta bërë më cilësore jetesën e tyre. “Të dashur nëna e baballarë, të pranishëm sot këtu në këtë drekë. Kam shumë kënaqësi të drekojmë sot së bashku për të festuar Vitin e Ri, për t'u nderuar ju,që në çdo ditë, çdo vit, të jetës suaj mbartni një sakrificë të madhe të shqiptarëve. Për t'u nderuar ju është një detyrim madhor, i qeverisë dhe mbarë shoqërisë, për t'u patur ju në vëmendje të vazhdueshme, për të bërë çdo përpjekje që vitet t'i jetoni me gëzim, me shëndet dhe të gëzoni të gjithë shërbimet që ju meritoni dhe për të cilat ju keni nevojë”, u shpreh Berisha. Ai shtoi se “katër vjet më parë unë vizitova një nga shtëpitë ku ju rrini. Më shprehët ankesat tuaja se ju mbanin një pjesë të madhe të pensionit. Qeveria e ndryshoi këtë gjë dhe prapë ajo është e gatshme ta rishqyrtojë , sikundër të jeni të sigurtë se do të bëjmë çdo gjë për kushtet më të përshtatshme, të mundshme dhe shërbimet më cilësore që meritoni aty ku qëndroni, në mënyrë që të ndjeni vazhdimisht ngrohtësinë njerëzore, ngrohtësinë shoqërore që ju meritoni”.