E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Nuk mund të heqim dorë nga hapja e kutive

Rama tha se vendimi për bojkotin dhe vazhdimin e tij, nuk janë çështje personale, por kanë të bëjnë me demokracinë në vend. “Nuk është përplasje interesash, nuk është përplasje për epërsi të një pale ndaj një tjetre. Eshtë përplasje për demokraci, për esencën e një sistemi që bashkërisht e kemi zgjedhur e që bashkarisht duhet ta mbrojmë. E këtu nuk bëhet fjala as për mua, as për 65 deputetë, dhe as më shumë se kaq, por për shumë më shumë se kaq”, u shpreh Rama.“Së pari ne kërkojmë hapjen e kutive si një element themelor i një procesi hetimi që do të bëjë transparencën e plotë të zgjedhjeve të shkuara, jo për t’i korrigjuar por për të mos lejuar që zgjedhjet e ardhshme të deformohen njësoj siç u deformuan në të shkuarën dhe ketu nuk ka asgjë që e pengon parlamentin që është sovran për të vepruar shpejt dhe drejt e në thelbin e çështjes duke hapur kutitë. Theksoj se kjo nuk ka të bëjë fare me vendimin e gjykatës apo me vetë pushtetin gjyqësor si kundër pretendohet në mënyrë abuzive dhe spekulative nga pala tjetër, u shpreh Rama, duke iu përgjigjur pyetjes rreth kërkesës së PS-së, për zgjedhje të parakohshme. Më tej, kreu socialist ka folur edhe për sistemin e drejtësisë, i cili sipas tij i është nënshtruar trysnisë së pushtetit. “Pa asnjë dyshim kemi një sistem drejtësie, i cili nga një anë është ende shumë arkaik dhe i pareformuar dhe nga ana tjetër është në deformim të vazhdueshëm për shkak të një presioni barbar që bëhet mbi të”, tha më tej Rama.                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›