E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: 20-vjetori e gjen PD-në në qeverisje. Seri antarësimesh

Kryeministri Berisha ka mbledhur sot kryetarët e PD-së në rrethe dhe grupin parlamentar demokrat në selinë qendrore të kësaj partie për të diskutuar për përgatitjet e festimeve me rastin e 20-vjetorit të fitores së PD-së në zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992.
 

Në fjalën e tij, kryeministri Berisha theksoi se ky përvjetor është i një rëndësie të veçantë të festohet në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë dhe do të kremtohet me nderimet më të mëdha.

"20-vjetori i fitores së PD-së përkon me 100-vjetorin e pavarësisë së vendit dhe asgjë që nga koha e pavarësisë nuk ka ndikuar më shumë sesa përmbysja e diktaturës komuniste dhe faktin që e festojmë sot të lirë. 22 marsi 1992 i ndau shqiptarët nga epoka dhe regjimi i skllavërisë, i sistemit socialist, i shtetëzimit të tij dhe bunkerizimit të vendit” theksoi Berisha.

Ai ka theksuar më tej se 20-vjetori i fitores së PD-së e gjen këtë forcë politike në qeverisje dhe kjo tregon besimin që shqiptarët i kanë dhënë asaj.

“Në këto zhvillime, shqiptarët ua besuan 20 vjet më parë PD, ishin pasivisht faktor përcaktuar të një ndryshimi epokal, por vendosën besimin e tyre te forca e re që kishte vetëm 1 vit e themeluar dhe këtë besim ata ia përsëritën kësaj force politike. Fakti që ky 20 vjetor e gjen në pushtet PD përbën jo vetëm nderimin më të madh, besimin më të madh, por edhe detyrime e përgjegjësi më të larta” tha Berisha.

Kreu demokrat i bëri ftesë gjithë shqiptarëve të bashkohen në festimet e këtij 20 vjetori. “Do doja që kjo festë të ishte festë e të rinjve shqiptarë, festë e 20 vjecarëve shqiptarë, e brezit më të lumtur në historinë e këtij vendi që nuk jetoi një ditë në diktaturën që përjetuam” theksoi Berisha ndërsa shtoi se duke qenë se 22 marsi është ditë pushimi, festa në Tiranë do të zhvillohet paradite e nuk do të ndalet deri pasdite vonë.

Sipas kryeministrit Berisha, besimi që i kanë dhënë shqiptarët Partisë Demokratike në këto 20 vite janë dëshmia e vullnetit të hekurt, e gjenisë krijuese të shqiptarëve për të investuar dhe ndërtuar të ardhmen e tyre europiane.

Kryetari i PD-së, njëherësh edhe kryeministër i vendit, Sali Berisha ka njoftuar krerët e partisë në rrethe se data 22 mars, përpos ditë feste për gjithë shqiptarët do të caktohet si dita në të cilën do të nisin një seri të re anëtarësimesh në PD.

“Kjo seri anëtarësimesh do të vazhdojë në mënyrë të pandërprerë deri në zgjedhje, ose një muaj para zgjedhjeve të qershorit 2013, seri në të cilën ne do të synojmë të ftojmë të bashkohen me ne energjitë më të mira të komunitetit dhe shoqërisë” tshtoi më tej Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›