E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: 2011 shënoi dy suksese, censusin dhe zgjedhjet

Kryeministri Berisha organizoi ditën e djeshme një pritje koktej për anëtarët e qeverisë me rastin e mbylljes së këtij viti dhe ardhjes së Vitit të Ri 2012. Në këtë pritje, shefi i qeverisë i falënderoi anëtarët e kabinetit për mbështetjen dhe përkushtimin e tyre në realizimin e reformave të mëdha gjatë këtij viti. Mirënjohje të veçantë kryeministri shprehu për të gjithë qytetarët shqiptarë, për punën dhe sakrificat e tyre gjatë këtij viti, për punonjësit e administratës, zyrtarët dhe bashkëpunëtorët e tyre. Ndërkohë, kreu i mazhorancës i ftoi ata për të vazhduar përpjekjet e përbashkëta në çdo fushë për realizimin e projektit më madhor, “Shqipëria- vend i zhvilluar”. “Falenderim e mirënjohje për kontributin tuaj, të bashkëpunëtorëve dhe ekipeve tuaja në procesin e reformave të gjithanshme të ndërmarra gjatë këtij viti. Reforma, të cilat kanë bërë të mundur që ky vend i vogël, me një ekonomi jo të rëndësishme krahasuar me vendet e mëdha të zhvilluara, në një kohë të krizës më të thellë që Europa ka njohur, të performojë, të funksionojë normalisht, të mos njohë krizën dhe të realizojë me ambicie të gjitha objektivat e parashikuara në programin e saj një vit më parë”, - tha Berisha. Më tej gjatë fjalës së tij kryeministri theksoi se viti 2011 ishte një vit i rëndësishëm, ku u shënuan dy suksese të mëdha: censusi dhe zgjedhjet lokale të 8 majit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›