Sula: Si i braktisi Topi 20 deputetët e PD, që më pas nuk u futën as në lista
“ Shpeshherë ndihesha keq ndaj ish-kolegëve të mi që nuk janë sot në Kuvend, të cilët shprehnin keqardhje. Ata nuk kishin marrë qoftë edhe një telefonatë apo një sms pas vitit 2009, kur nuk u përfshinë më në listat për deputetë. Ata u ndjenë të braktisur nga ai njeri, për të cilin kishin sakrifikuar shumë dhe e kishin mbështetur aq fuqishëm”
TIRANË Kushdo që ka parë zgjedhjen e Presidentit të Republikës, Bamir Topi në vitin 2007 në Kuvend, nuk mund të harrojë edhe kënaqësinë e shprehur asokohe të njërit prej deputetëve demokratë, Dashnor Sula. Por me kalimin e viteve dhe konsumimin e mandatit të Presidentit, shumë gjëra kanë ndryshuar në raportet mes tyre, dikur shumë miq me njëri- tjetrin. Në një intervistë për gazetën “Mapo”, deputeti i PD-së, Dashnor Sula rrëfen arsyet e krisjes së kësaj marrëdhënieje, si dhe qëndrimin e tij lidhur me ambicien e Presidentit të Republikës për krijimin e një force të re politike.
Z. Sula, kryeministri Berisha ka deklaruar se institucioni i Presidentit është kthyer në një partiçkë të vogël...ju personalisht, a keni krijuar një opinion tuajin mbi mënyrën se si po i ushtron kompetencat Presidenti i Republikës?
Duke iu referuar asaj që ju thatë, mund të them se vetë presidenti Bamir Topi ka artikuluar disa herë në qëndrimet e veta se e ardhmja e tij do t’i përkasë sërish politikës, duke lënë të kuptohet qartë se do të ndërmarrë një aksion të ri politik, që lidhet ndoshta me krijimin e një force të re politike. Personalisht më vjen keq që e konstatoj një fakt të tillë, sepse kam qenë një ndër mbështetësit më të fuqishëm, bashkë me shumë kolegë të mi e ish-kolegë që sot nuk janë në Kuvend, por që falë mbështetjes së tyre, Bamir Topi u zgjodh President në vitin 2007. Sinqerisht mund t’ju them se pa kontributin e PD-së, mbështetësve të tij, e veçanërisht kontributin e përkushtuar të Berishës si kryetar i PD-së, por edhe si kryeministër, Topi aktualisht nuk do të ishte President. Vetë Topi, para vitit 2007 nuk kishte një mendim të kristalizuar apo ta shikonte arritjen e postit të presidentit si një mundësi reale. Një ide e tillë u kristalizua nga dita në ditë, nga java në javë, nga muaji në muaj, falë mbështetjes (siç edhe e thashë më sipër) të mbështetësve që ai gëzonte, por edhe kryetarit të PD-së, i cili për hir të së vërtetës, pati edhe një kontribut tjetër të rëndësishëm atë vit, pasi ai arriti të ruante ekuilibrat edhe brenda PD-së. E them këtë, sepse jo të gjitha figurat kryesore në PD ishin dakord që Topi të zgjidhej President i Republikës.
Ju thatë që pa kontributin e Berishës, mbështetësve të tij, por edhe tuajin personalisht, Topi nuk do të zgjidhej President. Në fakt, meqenëse e prekëm pak të kaluarën, cili ishte kontributi juaj konkret?
Nuk do të hiqja një vijë ndarëse në këtë mes. E thashë pak më sipër se kontributi ishte i përbashkët. Mund të them se disa prej atyre që mbështetën fuqishëm Topin nuk mundën dot më të vazhdonin një politikë aktive në Kuvend, pra nuk u përfshinë në listat për deputetë të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009.
Si vijuan më pas raportet me z.Topi?
Të jeni të sigurt se pas vajtjes në karrigen e Presidentit, Bamir Topi (përjashtuar me dy ose tre kolegë), absolutisht shkëputi çdolloj lidhjeje me të tjerët. Ai humbi çdolloj kontakti me ta. Mua nuk më është dukur normale një fakt i tillë, sepse President i Republikës kurrsesi nuk mund të bëhesh dot i vetëm, sado kontribute të kesh. Pa mbështetjen e bashkëpunëtorëve të tu dhe pa kontributin e tyre, në mënyrë absolute nuk mund të arrish ato suksese.
Megjithatë, Topi sfidoi se, nëse Presidenti do të zgjidhej nga populli, ai do të fitonte...A mund të shihet Topi si alternativë e re brenda së djathtës?
Dëshira e tij për t’u zgjedhur nga populli është një shashkë e hedhur nga ai, sepse mbi të gjitha Topi ka qenë në PD dhe ishte kjo forcë politike që e bëri atë President. Ju siguroj se z. Topi e ka shpërdoruar besimin e PD-së dhe gjithë mbështetësve të tij...Dëshira e tij për t’u zgjedhur nga populli është një ëndërr me sy hapur, për të treguar që unë kam mbështetje popullore.
Por, a ka në fakt Topi mbështetje, ju duhet ta dini më mirë sa kohë keni qenë një ndër miqtë e tij më të ngushtë?
Këtë do ta tregojë koha. Personalisht nuk besoj se Topi do të gëzojë atë mbështetje që ka pasur, sepse më 21 janar dhe në zgjedhjet lokale të 8 majit, dy ngjarje shumë të rëndësishme për këtë vit që lamë, qëndrimi i Topit ka qenë totalisht kundër mazhorancës. Nuk dua të them se Topi duhet të mbante anën e PD-së, por qëndrimi i tij duhet të ishte parimor. Ju siguroj që PD-ja dhe vetë Berisha nuk i kanë imponuar atij qoftë edhe njëherë të vetme një vendimmarrje, duke filluar që nga përzgjedhja e kandidaturave për Prokurorin e Përgjithshëm, anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, si dhe shumë ambasadorëve. Absolutisht kjo forcë politike dhe vetë Berisha nuk i kanë bërë qoftë edhe presionin më të vogël atij për të sjellë apo propozuar njerëz që i duheshin PD-së. Me sa duket, Bamir Topi e arriti qëllimin e tij (sa duket e hershme) që kur një ditë të zgjidhej në krye të shtetit, të bënte më pas një lëvizje të vetën duke mos i qenë mirënjohës më PD-së, falë së cilës Topi gëzonte edhe mbështetjen. Nuk dua të them se ai nuk ka mbështetje, por ju siguroj se pas këtyre ngjarjeve mbështetja ndaj tij do të jetë minimale. Marr rastin konkret qarkun e Elbasanit, një zonë të cilën unë e njoh mjaft mirë. Ju siguroj se nga kontaktet që kam dhe ajo që unë vërej, nëse Topi do të finalizojë një forcë të re politike, atëherë përqindja e kësaj partie në këtë qark do të jetë minimale, duke u radhitur krah atyre forcave politike që sot kanë një numër të vogël mbështetësish. Unë e njoh edhe mënyrën sesi z. Topi punon. Ai nuk është shquar për aksione politike apo për ndonjë punë intensive, sepse të udhëheqësh një forcë politike dhe të jesh pjesë e saj do të duhet një punë e madhe dhe impenjative, gjë që nuk e shoh tek z. Topi. Ai, por edhe shumë politikanë të tjerë në PD që kanë gëzuar funksione të larta në këtë parti, absolutisht janë produkt i z. Berisha në radhë të parë dhe partisë që përfaqësojnë, sepse pa Berishën dhe pa PD-në, të jeni i sigurt se Topi nuk do t’i kishte këto suksese.
Ju keni qenë mik me z.Topi. Pse kaq pakënaqësi ndaj tij? Ku qëndron krisja mes ju të dyve?
Absolutisht unë kam qenë një nga mbështetësit kryesorë të z. Topi. E kam mbështetur atë në punën që ka bërë deri në vitin 2009, sepse kam besuar në parimet e tij. Kam menduar se qëndrimet e tij kane qenë pasojë e parimeve. E kam pasur këtë bindje kur ai ka qenë kryetar i grupit parlamentar të PD-së, madje edhe kur shkoi në Presidencë. E shikoja Topin si njeriun që fliste për parime dhe kishte një vizion të qartë. Më pak fjalë, ai ishte një njeri tek i cili unë besoja shumë.
Por çfarë ndryshoi?
Nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, fillova të dalloja tek z. Topi një qëndrim ndryshe. Po shikoja simptoma të shkëputjes dhe të një sjelljeje, që mendoj se nuk ishte normale. U referohem raporteve njerëzore që ai kishte me mbështetësit, me miqtë, pikërisht me ata të cilët i kishin qëndruar shumë afër. Shpeshherë ndihesha keq ndaj ish-kolegëve të mi që nuk janë sot në Kuvend, të cilët në biseda të vazhdueshme shprehnin keqardhje. Ata nuk kishin marrë qoftë edhe një telefonatë apo një sms pas vitit 2009, kur nuk u përfshinë më në listat për deputetë. Ata u ndjenë të braktisur nga ai njeri, për të cilin kishin sakrifikuar shumë dhe e kishin mbështetur aq fuqishëm, sepse para se të jemi politikanë, jemi njerëz dhe njerëzit kanë nevojë që të kenë marrëdhënie korrekte dhe të shëndosha jo vetëm në ditët kur ke nevojë. Ditën tjetër kur je mirë dhe ke gjithçka, nuk mund të harrosh miqtë, shokët dhe mbështetësit.
Në fakt, për cilët kolegë e keni fjalën z. Sula, sepse Sali Shehun ai e propozoi për kryetar të KLSH-së, Bujar Leskajn po ashtu, me Gazmend Oketën ruan marrëdhënie të mira gjithashtu...?
Nuk kanë qenë vetëm këta emra që ju përmendët, sepse këta janë dy ose tre. Mbështetja për të në vitin 2007 ka qenë e madhe dhe bëhej fjalë për rreth 25 emra mbështetësish të fuqishëm të Topit, që tani janë vetëm katër ose pesë.
Ju personalisht, përse i keni prishur marrëdhëniet?
Mua më ka tronditur qëndrimi i tij për ngjarjen e 21 janarit dhe vota e tij më 8 maj për z. Rama. Historia ime, e familjes sime, është e lidhur ngushtësisht me PD-në, ndaj nuk mund të hesht sa kohë që Bamir Topi do të devijojë të tradhtojë këtë forcë politike. Në mënyrë absolute nuk mund të jetë bashkëpunëtori im.
Edhe ju keni pasur qëndrime të ndryshme ndaj PD-së?
Sigurisht që kam pasur qëndrime të ndryshme, qëndrime të cilat në momente të caktuara nuk kanë shkuar në koherencë me PD-në, por kjo ka qenë e lidhur me mënyrën sesi unë i kam perceptuar gjërat gjithnjë brenda PD-së. E kam pasur atë kurajë qytetare të shpreh mendimin ndryshe për gjëra që edhe nuk mund të kenë shkuar mirë në këtë parti, por kurrsesi ato nuk janë lidhur me synimin për të tradhtuar këtë forcë politike për çfarëdolloj arsyeje.
Le të flasim pak për qeverinë, më saktë për një tjetër deklaratë të kryeministrit Berisha se do të jetë në krye të fushatës edhe në vitin 2013. Ju jeni ndër politikanët që jeni angazhuar në PD prej vitit 2005, ashtu si edhe disa politikanë të tjerë të rinj, që për hir të së vërtetës shquhen edhe për ambicien e tyre për të ngjitur shpejt shkallët në PD. A mendoni se ka ardhur koha për një rotacion brezash?
Në dhjetëvjeçarin e fundit në PD ka pasur mjaft prurje të reja, veçanërisht në vitin 2005 disa prej tyre spikatën, duke filluar nga Lulëzim Basha, Aldo Bumçi apo Majlinda Bregu e disa të tjerë, që aktualisht janë në poste të larta drejtuese qoftë në ekzekutiv, ashtu edhe në funksionet partiake. Duke e njohur nga afër PD-në, mund të them se përpos prurjeve të reja, angazhimit të të rinjve, asnjëherë nuk e kam vënë në dyshim kontributin e z. Berisha dhe aftësinë e tij për të udhëhequr PD-në. Në mënyrë absolute e shoh si njeriun që mund ta çojë PD-në në fitore të tjera.
Mendoni se është ai që duhet ta drejtojë fushatën e 2013-ës?
Absolutisht po. Zgjedhjet e 2013-ës do të shërbejnë për të parë kontributin e gjithsecilit prej nesh. Rezultati i këtyre zgjedhjeve duhet të jetë edhe njësia matëse e secilit prej deputetëve, e zyrtarëve në PD e deri tek kryetarët e degëve, sepse në sajë të këtyre rezultateve do të mund të kemi edhe një pasqyrë më të qartë se kush janë figurat që duhet të jenë në krye të PD-së, në krye të degëve të PD-së për në zgjedhjet e pushtetit lokal të vitit 2015. Mendoj se njësia matëse kryesore për secilin prej nesh është pikërisht vota popullore. Është kjo votë që përcakton kontributin e të gjithëve ne.