Meta: Rikthimin tim në qeveri nuk e pengon asgjë, LSI me kandidat për president
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka rikonfirmuar edhe njëherë se mundësia për të qenë sërish pjesë e kabinetit qeveritar nuk është diçka e pamundur dhe e parealizueshme. Por për sa i përket kësaj çështjeje, Meta ka theksuar se ajo çka është e rëndësishme dhe nuk duhet lënë mënjanë, është udhëheqja e forcës politike që ai drejton. Në këtë pikëpamje, Meta nënvizon faktin se duke qenë pjesë e kabinetit qeveritar, përmbushja e detyrës në krye të LSI-së do ishte jo plotësisht e mundur. Me këtë fakt, Meta shprehet se zgjedhja e duhur është udhëheqja e kësaj force politike dhe përmbushja e detyrave e angazhimeve të saj në kuadër të integrimit të vendit. “Detyra ime më e rëndësishme ka qenë dhe do të jetë si kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim përmbushja e angazhimeve të LSI-së në politikën e vendit, kontributi i saj drejt proceseve integruese dhe në qeverisjen e vendit. Ndihem tepër komod për të përmbushur funksionet e mia si kryetar i kësaj force politike, që është një forcë shumë e rëndësishme dhe këtë e tregojnë edhe sulmet që bëhen ndaj saj”, - tha Meta duke shtuar më tej se rikthimin e tij në qeveri nuk e pengon asgjë. Ndërkohë, ai theksoi se në pozicionin aktual është më i frytshëm për LSI-në, pasi ajo është parësore. “Angazhimi im si kryetar i LSI-së është prioriteti im kryesor dhe mendoj se këtu mund të bëj politikë shumë më rezultative”, - tha ai.
Çështja e Presidentit
Meta theksoi se LSI është e përkushtuar të bashkëpunojë me koalicion qeverisës për të zgjidhur çështjen e Presidentit. Kreu i LSI-së u shpreh se çdo zgjidhje që do të vijë në këtë rast, do të jetë e mbështetur totalisht në Kushtetutën e vendit. “Nuk kemi një marrëveshje konkrete sepse çështja do të bëhet e tillë në korrik, por në marrëveshjen që kemi nënshkruar me PD-në, kemi shprehur angazhimin që si koalicion të bashkëpunojmë për të zgjidhur çështjen e Presidentit, përveç të tjerave. Ajo çka unë kam shprehur ka qenë një qëndrim tepër parimor: nuk dua të bëhem pjesë e spekulimeve, pra që të filloj të bëhem pjesë që tani për të diskutuar, pasi është tepër e parakohshme. Unë kam konfirmuar që ne do të jemi pjesë e zgjidhjes, pasi ky është një problem që do të zgjidhet natyrisht sipas Kushtetutës”, - tha Meta. Gjithashtu, ai nënvizoi faktin se edhe LSI-ja do të jetë pjesë aktive e garës për President me kandidatët e saj. “Çdo forcë politike e koalicionit ka dhe mund të paraqesë kandidatura të mundshme”, - tha ai.
Duke u ndalur tek ngjarjet e 21 janarit, ai tha se një nga arsyet e dorëheqjes së tij ishte pikërisht se videoja do të përdorej për dhunë. Lidhur me këtë çështje, Meta sqaroi se 21 janari nuk kishte të bënte me këtë çështje, por theksoi se 21 janari ishte një tentativë e inskenuar për të përmbysur qeverinë. “21 janari ka lidhje edhe me një çështje tjetër, me atë që ndodhi një vit më parë, që ishte liberalizimi i vizave për të gjithë qytetarët shqiptarë. Kjo pasi për fat të keq, lidershipi i PS-së për më shumë se 1 vit u përpoq ta bllokonte këtë proces përmes një konflikti të jashtëzakonshëm të provokuar pa asnjë arsye, pasi u bënë edhe greva në bulevard, pasi mbetën pa alternativë për të goditur qeverinë dhe për ta përmbysur atë, krijuan inskenimin e dhunshëm të 21 janarit dhe për këtë, përgjegjësia është e atyre që i bënë këto veprime dhe këto manipulime”, - theksoi Meta.