Berisha: 250 mijë vende të reja pune gjatë mandatit të ardhshëm
Kryeministri Berisha bashkëbisedon me studentë dhe pedagogë të fakulteteve të ekonomikut në Tiranë, për programin e Partisë Demokratike gjatë katër viteve të ardhshme qeverisëse
Pikat e forta të ligjëratës së kryeministrit Berisha
- Veç punësimit, do ruhet edhe trendi i fortë i rritjes së pagave
- Mbështetja e biznesit, rruga më e shpejtë për zhvillimin e gjithanshëm të Shqipërisë
- Ndëshkime të ashpra për krimet e shëmtuara - hapësira evropiane e ka hequr dënimin me vdekje
Kryeministri Sali Berisha vijon bashkëbisedimet e hapura me qytetarët, duke ndarë me ta disa nga pikat e programit të Partisë Demokratike, për mandatin e tretë qeverisës të Shqipërisë. Në një Toën Hall me studentë dhe pedagogë të fakulteteve të ekonomikut publike dhe private në Tiranë, kryeministri Berisha premtoi punësimin e 250 mijë qytetarëve shqiptarë gjatë katër viteve të ardhshme. Në këtë takim kryeministri Berisha ka folur për klimën e biznesit dhe punësimin në vendin tonë.
Kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria arriti të ruajë rritjen ekonomike, e cila do të shërbejë si gjenerator kryesor i punësimit, arriti të përballojë me sukses papunësinë e saj të përcaktuar si nga grupmoshat që hyjnë në moshën e punës dhe nga emigracioni i brendshëm. “Këto 4 vite do jenë vitet e uljes më të madhe të papunësisë, qeveria e ardhshme do të krijojë 250 mijë vende pune në të gjitha fushat e jetës. I gjithë projekti i punësimit është dyfishimi i investimeve të huaja. Do bëjmë gjithçka për nxitjen e punësimit në industri. Një nga fushat më të rëndësishme mbetet turizmi, i cili do të jetë përparësi madhore, sepse zonat prej nga vijnë shumica e parave kërkojnë projekte të gatshme dhe nuk do ngurrojmë t’i realizojmë ato. Potencialet e Shqipërisë janë shumë herë më të mëdha. Kemi patur një punësim prej 35 mijë në të gjitha investimet publike, punësim prej 20 mijë punonjësish në fusha të ndryshme të energjetikës, punësim prej rreth 10 mijë në teknologjinë e informacionit, punësim prej 30 mijë punonjësish në industrinë e drurit. Turizmi ka punësuar gjithashtu një numër prej mbi 150 mijë njerëzish. Shqipëria arriti të ruajë rritjen ekonomike, e cila do të shërbejë si gjenerator kryesor i punësimit, arriti të përballojë me sukses papunësinë e saj të përcaktuar si nga grupmoshat që hyjnë në moshën e punës dhe nga emigracioni i brendshëm. Shqipëria pati ulje të papunësisë. Ne, vijmë në këtë moment, si një histori suksesi në tërheqjen e investimeve të huaja, në shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët. Falë investimeve Shqipëria arriti të ruajë në kohën më të vështirë të krizës evropiane rritjen ekonomike. Sipas të gjitha statistikave, u arrit që vendi të përballojë me sukses ndikimin e krizës. Ne do ta përqendrojmë punësimin në lirinë ekonomike, pasi besojmë se ajo është pasuria e të gjitha pasurive. Në këtë kontekst, qeveria ndërmori disa hapa të mëdha, si një nga vendet që nuk takson kapitalin”- u shpreh Berisha.
Kryeministri veçoi se “kemi ndërmarrë hapa të tjerë shumë të rëndësishëm, në veçanti në sektorin e bujqësisë, duke hequr çdo lloj takse e tarife për të gjitha llojet e inputeve që nevojiten në këtë sektor, duke llogaritur se potencialet për zhvillim të këtij sektori janë dhjetë herë më të mëdha sesa aktualet. Shqipëria ka një nga sistemet më të avancuara të regjistrimit të biznesit”. “Ka një nga raportet më të mira mes pagës dhe sistemit. Ka një standard shumë të mirë për kreditimin dhe lehtësirat”- theksoi kryeministri.
Megjithatë, shtoi shefi i ekzekutivit, “Shqipëria ka një sërë praktikash që duhet t’i përmirësojë”. Sipas tij, klima ndaj biznesit është përmirësuar ndjeshëm dhe do njohë lehtësira dhe më tej, duke theksuar se aktualisht leja e ndërtimit merret brenda 45 ditësh. “Rritja ekonomike është një nga gjeneratorët kryesorë të rritjes së punësimit, por jo i vetmi”, tha Berisha, duke shtuar se “integrimi europian është një tjetër shtyllë kryesore e programit të punësimit, i cili hap mijëra vende pune, jo vetëm për fondet publike që jep, por ka dhe një ndikim tejet pozitiv”. “Integrimi Europian përbën një faktor të rëndësishëm për punësimin e shqiptarëve, jo vetëm se ky integrim nënkupton qindra milion euro më shumë për qindra fonde të investimeve publike, por sepse përbën një pasaportë të shkëlqyer, pas anëtarësimit të vendit në NATO”, tha kryeministri Berisha. Kreu i Qeverisë tha se janë shënuar reforma të suksesshme, por se edhe në katër vitet që vijnë punësimi i shqiptarëve do pasohet me lirinë ekonomike. Berisha tha se synohet dyfishimi i investimeve të huaja dhe nuk bëhet fjalë për punësimet në industri pavarësisht se do të bëhet gjithçka për nxitjen e saj.
Shqipëria, histori suksesi në zhvillim
Kryeministri Sali Berisha theksoi se Shqipëria është një histori e vërtetë suksesi në zhvillim. Duke iu përgjigjur pyetjeve të pjesëmarrësve në takimin me studentë dhe pedagogë të fakulteteve të ekonomikut, kryeministri deklaroi se “Shqipëria ka pasur një standard ndër më të ulëtit në rrafshin ekonomik”.
“Në vitin 1992 ishte vendi me të ardhura më të ulëta, krahas Ugandës dhe Angolës. Nëse e shohim Shqipërinë është një histori e vërtetë suksesi në zhvillim. Nuk është ende një vend i zhvilluar sepse nuk ka nivelin e të ardhurave të vendeve të zhvilluara, por në disa tregues themelorë ka barazuar dhe lë mbrapa disa vendeve anëtare të OECD-së. Në banesa për 1000 banorë, Shqipëria lë mbrapa 5 vende anëtare të OECD. Sot janë 340 mijë familje shqiptare që kanë më shumë se një banesë. Ata që bëjnë fjalë për klasë të mesme, një nga produktet e këtyre 20 viteve ka qenë krijimi i klasës së mesme shqiptare. Shqipëria ka rritur të ketë një jetëgjatësi të disa prej vendeve anëtare të BE. Ka një vdekshmëri foshnjore më të ulët se disa vende anëtare të BE e OECD. Por sërish Shqipëria ka një rrugë të gjatë për të bërë”- tha ai.
I gjithë projekti i punësimit tonë është dyfishimi i investimeve të huaja, shtoi kryeministri. “Në këtë rast ne do të bëjmë gjithçka për nxitjen e punësimit në industri. Në fushën e ndërtimit të hidrocentraleve dhe energjetikës fillojnë projektet më të mëdha në historinë e Shqipërisë. Janë firmosur kontrata me sektorin privat për ndërtimin e 363 hidrocentraleve. Së paku 30 mijë forca pune do të nevojiten në ndërtimin e këtyre projekteve, përfshi këtu edhe punonjësit në projektin TAP. Ne jemi të sigurt se do të dyfishojmë numrin e punonjësve në teknologjinë e lartë. Ne do të bëjmë gjithçka që Shqipëria dixhitale të ketë së paku 25 mijë të punësuar”, tha kreu i qeverisë. Kryeministri gjithashtu shtoi se “sot Shqipëria ka një nga administratat më të vogla në botë. Koncepti është sepse ne besojmë se shteti nuk është ndërmarrje punësimi. Punësimi duhet të jetë atribut i sipërmarrjes së lirë. Nëse do të kishim administratë të përmasave të mëdha, imagjinoni se çfarë barre do të ishte”- theksoi kryeministri.
Vrasja e 11 vjeçarit akt barbar dhe mizor – dënime të ashpra për krimet e shëmtuara
Kryeministri Berisha e cilësoi si akt barbar dhe mizor ngjarjen e zbuluar dje, ku 45-vjeçari Ardian Prenjasi pasi u arrestua për rrëmbimin e një të mituri rrëfeu se ka vrarë 11-vjecarin Julian Çela. “Rasti i djeshëm është më tragjiku, më tronditëse, barbari e vërtetë dhe nag dje deri sot mund të kem marrë me 100 SMS që kërkojnë dënimin me vdekje. Kam mirëkuptim për të gjitha këto, pasi ngjarja është tronditëse, por nga ana tjetër jetojmë në një hapësirë europiane, që me vendosmërinë më absolute ka hequr dënimin me vdekje. Kjo është bërë në respekt të Konventës Europian të të Drejtave të Njeriut”, vuri në dukje Berisha. Por cili është reagimi, vijoi kryeministri, nuk po rrimë duarkryq. Kemi një Kod Penal, i cili ka ruajtur disa standarde të një kohe tjetër. Ky Kod Penal do ndryshojë. Do i përshtatet kësaj situate. Nëse policia dhe organet e zbatimit të ligjit dhe i vë para ligjit dhe drejtësia u jep dënimin ligjor, atëherë një ekstra masë duhet. Për disa vepra penale, si vrasja në familje për të cilat drejtësia shqiptarë ka qenë e padrejtë, do ketë ndëshkimet më maksimale. Ajo që sot është 25 vjet, do bëhet 40 vjet. Nga 20 do bëhet 30 vjet. Nuk kemi dënimin me vdekje, por përjetë. Do heqim çdo falje për disa krime të cilësuara, si polici, gruaja, gjakmarrja. Në tërësinë e tyre ndaj çështjeve penale, gjykatat funksionon me vendosmëri. Paketa që shkon këtë javë në parlament, do japë përgjigje më të mirë”, u shpreh kryeministri.